Lajme Zone
Ron Yeffet i Edi Ramës si Damir Faslliç i Berishës: Delvina dhe TEC-i i Vlorës, pazari i ri i Edi Ramës me izraelitin
EkonomiPamfleti

Ron Yeffet i Edi Ramës si Damir Faslliç i Berishës: Delvina dhe TEC-i i Vlorës, pazari i ri i Edi Ramës me izraelitin

Akuza e Arben Ahmetajt për gazin e Delvinës dhe TEC-in e Vlorës prek një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Ish-zëvendëskryeministri pretendon se Edi Rama kanë punuar për nëntë ose dhjetë muaj që Ron Yeffet të marrë kontrollin e këtyre dy aseteve, duke zbatuar të njëjtën skemë që qeveria përdori te “TIMAK Defence”: shteti krijon shoqërinë, siguron asetet dhe financimin, ndërsa partneri privat merr shumicën e aksioneve.

Damir Faslliç dhe Ron Yeffet / Akuza e Arben Ahmetajt zbulon një skemë të pretenduar ku shteti vendos pasuritë dhe financimin, ndërsa miku i Edi Ramës merr kontrollin mbi gazin dhe prodhimin e energjisë. Arben Ahmetaj akuzon Edi Ramën se po përpiqet t’i kalojnë Ron Yeffetit kontrollin mbi gazin e Delvinës dhe TEC-in e Vlorës, përmes një skeme ku shteti vendos asetet dhe paratë, ndërsa privati merr shumicën dhe fitimin. Dokumentet publike nuk e provojnë ende kalimin, por tregojnë se të dyja pasuritë ndodhen në një proces riorganizimi që kërkon hetim të menjëhershëm.

Akuza e Arben Ahmetajt për gazin e Delvinës dhe TEC-in e Vlorës prek një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Ish-zëvendëskryeministri pretendon se Edi Rama kanë punuar për nëntë ose dhjetë muaj që Ron Yeffet të marrë kontrollin e këtyre dy aseteve, duke zbatuar të njëjtën skemë që qeveria përdori te “TIMAK Defence”: shteti krijon shoqërinë, siguron asetet dhe financimin, ndërsa partneri privat merr shumicën e aksioneve.

Ahmetaj e mbështeti denoncimin e tij te pjesë të një audiopërgjimi që, sipas tij, i përket janarit 2026. Në bisedë pretendohet se përfshihet Ron Yeffet dhe dy persona të tjerë, njëri rusishtfolës dhe tjetri ukrainishtfolës. Materiali i transmetuar nuk përmban dosjen e plotë audio, të dhënat teknike, identifikimin e pavarur të zërave ose një ekspertizë që të vërtetojë autenticitetin. Për këtë arsye, përgjimi përbën indicie për hetim, jo provë përfundimtare.

Megjithatë, Ahmetaj nuk ngriti një akuzë të përgjithshme. Ai përshkroi një mekanizëm konkret, përmendi emra, përcaktoi një periudhë dhe e lidhi skemën me modelin e “KAYO”-s. Sipas tij, partneri privat nuk vendos kapitalin kryesor, sepse shteti i siguron paratë, pronën dhe kontratat, ndërsa privati merr kontrollin e aktivitetit.

Rasti kërkon fillimisht një saktësim. Gazi i Delvinës nuk administrohet drejtpërdrejt nga shteti. Qeveria miratoi në vitin 2007 marrëveshjen hidrokarbure mes “Albpetrol” dhe “Stream Oil & Gas”, e cila më vonë mori emrin “TransAtlantic Albania”. Në vitin 2016, të drejtat mbi vendburimin e Delvinës kaluan te “Delvina Gas Company”. Marrëveshja ka një afat të deklaruar prej 25 vjetësh.

Të dhënat e regjistrit tregtar tregojnë se Sokol Meqemeja kontrollon tërthorazi 90% të kapitalit, përmes një zinxhiri kompanish që kalon nga “Energy Development Group” te “EDG Future Gas”, “Delvina Holding” dhe në fund te “Delvina Gas Company Ltd”. Struktura përfshin një shoqëri të regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë.

Pra, akuza nuk lidhet me privatizimin e parë të gazit të Delvinës, sepse ky shfrytëzim ndodhet prej vitesh në duar private. Ajo lidhet me një tentativë të pretenduar për ndryshimin e kontrollit, futjen e Ron Yeffetit në marrëveshje ose krijimin e një strukture të re ku shteti do të financonte investimin dhe partneri i zgjedhur do të merrte pjesën drejtuese.

TEC-i i Vlorës paraqet një situatë tjetër. KESH-i e ndërtoi centralin me financimin e vet, të Bankës Botërore, BERZH-it dhe Bankës Europiane të Investimeve. Projekti kushtoi 130 milionë euro dhe ka një fuqi të instaluar prej 97 megavatësh. Centrali pësoi një defekt në tubacionin e ftohjes në janar 2012 dhe nuk hyri më në prodhim të qëndrueshëm. KESH-i deklaron se impianti vazhdon të qëndrojë në konservim.

Shteti ka paguar ndërtimin, kreditë, mirëmbajtjen dhe konservimin e TEC-it, megjithëse qytetarët nuk kanë marrë energjinë që centrali duhej të prodhonte. Pikërisht kjo histori e bën çdo propozim për futjen e një partneri privat veçanërisht të ndjeshëm. Nëse privati merr sot kontrollin e një impianti ku shteti ka investuar 130 milionë euro, qeveria duhet të publikojë vlerësimin e asetit, kapitalin që do të vendosë partneri, ndarjen e aksioneve dhe mënyrën e përzgjedhjes.

Më 28 prill 2026, qeveria njoftoi krijimin e projektit “Vlora Energy Hub”, i cili përfshin modernizimin e TEC-it, ndërtimin e kapaciteteve të reja, infrastrukturën e gazit të lëngshëm dhe lidhjen me rrjetin kombëtar. Në Kryeministri u nënshkruan një memorandum për zhvillimin e qendrës energjetike dhe një marrëveshje kuadër për furnizimin me gaz të lëngshëm. Qeveria e paraqiti projektin si bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Greqinë, ndërsa përmendi një marrëveshje tregtare 20-vjeçare me vlerë 6 miliardë euro.

Njoftimi zyrtar flet për furnizim afatgjatë me gaz të lëngshëm amerikan, duke filluar nga viti 2030. Ai nuk përmend gazin e Delvinës, Ron Yeffetin ose ndonjë shoqëri të përbashkët me të. Kjo mospërputhje hap dy mundësi: Ahmetaj mund të ketë zbuluar negociata paralele që qeveria nuk i ka bërë publike, ose mund të ketë lidhur me Yeffetin një projekt që dokumentet zyrtare ia atribuojnë partnerëve të tjerë. Vetëm hetimi i dokumenteve, komunikimeve dhe takimeve mund të përcaktojë se cili version qëndron.

SPAK-u nuk ka nevojë të marrë si të mirëqenë interpretimin politik të Ahmetajt. Prokurorët duhet të kërkojnë çdo projektmarrëveshje, mandat negocimi, studim fizibiliteti dhe shkëmbim elektronik që përmban emrat e “Delvina Gas Company”, TEC Vlorës, “KAYO”, “TIMAK”, Ron Yeffetit ose kompanive të lidhura me të. Ata duhet të verifikojnë gjithashtu nëse zyrtarët kanë diskutuar krijimin e një shoqërie të re, transferimin e licencës hidrokarbure, përdorimin e fondeve publike dhe ndarjen e aksioneve pa procedurë konkurruese.

Modeli i “TIMAK Defence” e bën këtë kontroll të domosdoshëm. Qeveria përcaktoi fillimisht një pjesëmarrje shtetërore prej të paktën 45%, por më pas e uli në 20%. Shoqëria private mori 80%, ndërsa shteti mbeti aksionar pakice. Nëse qeveria ka menduar të përdorë të njëjtën formulë për Delvinën dhe Vlorën, kemi përballë një projekt ku publiku mban barrën financiare, ndërsa partneri i zgjedhur kontrollon vendimmarrjen.

Lidhja mes vendburimit dhe termocentralit ka logjikë ekonomike. Gazi siguron lëndën e parë, ndërsa TEC-i e kthen atë në energji. Kush kontrollon të dyja hallkat fiton ndikim mbi prodhimin, furnizimin dhe çmimin. Pikërisht për këtë arsye, bashkimi i tyre në duart e një operatori të vetëm kërkon garë ndërkombëtare, kontroll parlamentar dhe mbikëqyrje rregullatore.

Qeveria duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve të drejtpërdrejta: A ka negociuar Edi Rama ose ndonjë ministër me Ron Yeffetin për gazin e Delvinës? A ka përgatitur KESH-i një projekt për futjen e tij në TEC-in e Vlorës? A ka diskutuar “Albpetrol” ndryshimin e operatorit të vendburimit? Kush do ta financonte investimin? Sa aksione do të merrte shteti dhe sa privati? Me çfarë procedure do të zgjidhej partneri?

Heshtja nuk mund ta rrëzojë akuzën e Ahmetajt. Ajo vetëm e rëndon dyshimin. Qeveria ka detyrimin të publikojë dokumentet, ndërsa SPAK-u duhet të përcaktojë nëse kemi përballë një deklaratë politike apo një plan për të bashkuar gazin e Delvinës dhe TEC-in e Vlorës nën kontrollin e një klienti të ri të pushtetit.

Nëse Ahmetaj provon se qeveria planifikoi këtë skemë, atëherë çështja nuk lidhet vetëm me favorizimin e Ron Yeffetit. Ajo lidhet me përpjekjen për t’ia dorëzuar një privati zinxhirin energjetik që nis te nëntoka e Delvinës dhe përfn te prodhimi i energjisë në Vlorë, ndërsa shteti shqiptar paguan faturën./Pamfletiron yeffet damir faslliç delvina tec-i i vlorës Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Anti-Mafia Dy 'koordinatorët' e Ramës: Ron Yeffet hap fermë kuajsh në resortin e Ergys Agasit 11 Shtator 2026, 12:1112:11Anti-Mafia Ahmetaj tha “ndiqni paratë”/ Si i shpëtoi dosjes së inceneratorëve biznesmeni Helidon Begaj? 10 Shtator 2026, 12:2012:20Anti-Mafia I gjithë shteti në duart e miqve të dyshimtë të Edi Ramës: Wasim Said Mohd Al Mraqtan ka monopolin e pasaportave dhe jo vetëm 9 Shtator 2026, 13:0613:06Anti-Mafia Ron Yeffet në përgjim: Kush e pajtoi për “punët e zeza” dhe pse SPAK-u nuk mund të bëjë të shurdhrin 9 Shtator 2026, 11:2111:21Anti-Mafia Si e çmontoi Arben Ahmetaj skemën e kreut të Organizatës: Edi Rama reduktoi pjesëmarrjen e shtetit nga 45% në 20% dhe i hapi TIMAK-ut arkën e ushtrisë 8 Shtator 2026, 11:2211:22Anti-Mafia ‘Hanëmja’ e Edi Ramës, Elira Kokona: 7 apartamente dhe 2 milionë euro në bankë, 2 vjet pa deklaruar pasurinë 7 Shtator 2026, 17:2517:25Anti-Mafia