Edi Rama Përplasja mes qeverisë dhe drejtësisë për pagat ka hyrë në një fazë të re. Gjykata Administrative ka urdhëruar Ministrinë e Financave dhe Thesarin të mos bllokojnë listëpagesat e GJKKO-së, ndërsa Edi Rama ka sulmuar publikisht vendimin dhe gjyqtarët, duke këmbëngulur se ndryshimi i pagave duhet të kalojë nga Kuvendi... Kryeministri Edi Rama ka vijuar sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, këtë herë pas vendimit të Gjykatës Administrative që ndërhyri në përplasjen mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë për nivelin e pagave.
Konflikti nisi pasi, me një urdhër të Ministrisë së Financave, Thesari bllokoi procesimin e pagave për punonjësit e sistemit të drejtësisë, përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët. Masa erdhi pas vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përcaktimin e pagave, në kushtet kur Kuvendi nuk kishte marrë ende një vendim pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Përplasja u zhvendos në Gjykatën Administrative, e cila pranoi kërkesën për sigurimin e padisë dhe urdhëroi Ministrinë e Financave dhe Degën e Thesarit Tiranë të mos pengojnë ose pezullojnë procesimin e urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave të paraqitura nga GJKKO.
Vendimi ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Edi Ramës. Në një postim në platformën “X”, kryeministri sulmoi shpejtësinë me të cilën Gjykata Administrative mori vendimin dhe e lidhi atë drejtpërdrejt me interesin financiar të sistemit.
“Nëse Gjykata Administrative do të kishte një standard për çdo qytetar apo institucion në vështirësi, shpejtësinë e tmerrshme me të cilën veproi sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e pagave të veta pa miratimin parlamentar, besoj se çdo shqiptar i punësuar do të ishte i gatshëm t'u falte gjysmën e pagës vrapuesve të paqëndrueshëm të Gjykatës Administrative”, shkruan Rama.
Kryeministri shkoi më tej, duke e cilësuar vendimin shqetësues dhe duke pretenduar se gjykata po ndërhyn për një interes që prek drejtpërdrejt pagat e sistemit.
“Por të kapësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë botërore, jo për të ndaluar, por për të inkurajuar për interes personal ekzekutimin e një akti që ka të ngjarë të shkelë ligjin dhe interesin publik, ndërsa mijëra e mijëra dosje problematike kanë pritur prej vitesh në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka krejtësisht shqetësuese!”, deklaroi Rama.
Në të njëjtin reagim, kryeministri këmbënguli se vetëm Kuvendi mund të autorizojë efektet financiare që lidhen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Dyert e thesarit të shtetit hapen vetëm nga pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë çështje, në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të enjten, më 17 shtator”, shprehet Rama.
Gjithashtu ai ka publikuar edhe një tabelë lidhur me nivelin aktual të pagave dhe atyre që kërkojnë gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas tabelës, pagat në sistemin e drejtësisë kërkohet të rriten me rreth 51 për qind, sipas të dhënave të paraqitura mbi pagat aktuale dhe nivelin e propozuar. Nëse kërkesa miratohet, rritja mujore bruto do të varionte nga 171 mijë deri në mbi 312 mijë lekë, në varësi të institucionit.
Për gjyqtarët e Shkallës së Parë, paga bruto mujore paraqitet aktualisht në 336 600 lekë, ndërsa kërkohet të arrijë në 508 200 lekë. Diferenca është 171 600 lekë në muaj.
Në Apel, paga aktuale prej 348 840 lekësh kërkohet të rritet në 526 680 lekë, ose 177 840 lekë më shumë në muaj.
Për Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, paga bruto mujore paraqitet në 361 080 lekë, ndërsa niveli i kërkuar është 545 160 lekë. Kjo do të sillte një rritje prej 184 080 lekësh.
Rritja më e madhe në vlerë absolute paraqitet për SPAK dhe GJKKO. Nga paga aktuale bruto prej 613 224 lekësh, kërkohet që ajo të arrijë në 925 848 lekë, me një diferencë prej 312 624 lekësh në muaj.
Të dhënat i referohen pagës bruto mujore dhe, sipas materialit të paraqitur, përllogaritja lidhet me një vjetërsi mesatare prej 15 vjetësh.
Por deri në vendimmarrjen e Kuvendit, urdhri i Gjykatës Administrative prodhon efekt të menjëhershëm. Sipas vendimit, masa e sigurimit ndalon efektet e veprimit administrativ të Ministrisë së Financave dhe veprimet pasuese të strukturave të Thesarit që kanë sjellë mosprocesimin, pezullimin ose pengimin e urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave.
Gjykata urdhëron Ministrinë e Financave dhe Degën e Thesarit Tiranë që, gjatë kohëzgjatjes së masës së sigurimit, të vijojnë procesimin e listëpagesave dhe urdhër-shpenzimeve të GJKKO-së.
Vendimi është i ekzekutueshëm menjëherë. Në rast mosekzekutimi, ai parashikon ndërhyrjen e shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror ose privat, ndërsa palët kanë të drejtë të bëjnë ankim të veçantë në Gjykatën Administrative të Apelit brenda pesë ditëve nga njoftimi.
Kështu, deri më 17 shtator, përplasja nuk zhvillohet vetëm për nivelin e pagave. Në njërën anë qëndron vendimi i Gjykatës Administrative, i cili kërkon zhbllokimin e procesimit të pagesave të GJKKO-së. Në anën tjetër qëndron qeveria, e cila përmes Ministrisë së Financave i bllokoi ato dhe përmes Edi Ramës po e zhvendos konfliktin publikisht te kompetenca e Kuvendit. /Pamfletirama administrative paga Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike SPAK merr nën hetim deputetin e PD, Boçi: Pse prokurorët specialë nuk hetojnë punët e pista të Ramës 11 Shtator 2026, 15:5315:53Politike Nga Shqipëria në Spanjë: Vera e protestave kundër mënyrës sesi po zhvillohet turizmi 11 Shtator 2026, 15:4015:40Politike “Reforma, shkak që kalova ylberin”, Dashnor Sula: Asnjë inspektim pa kamera, pa njoftim dhe uniformë 11 Shtator 2026, 15:3315:33Politike PD shënjestrën KAYO-n: Hetim parlamentar për paratë, armët dhe dyshimet për trafik ndërkombëtar 11 Shtator 2026, 15:2215:22Politike Rama e shkarkoi si ministër i Brendshëm, reagon Besfort Lamallari 11 Shtator 2026, 13:1513:15Politike U mor i pandehur nga SPAK për fshehje pasurie, Luan Baçi: Ish-ortaku më kallëzoi pas 16 vitesh! 11 Shtator 2026, 12:4712:47Politike

