Lajme Zone
11 shtatori, luftërat dhe Trump: Si Amerika humbi vetëbesimin e saj
BotëPamfleti

11 shtatori, luftërat dhe Trump: Si Amerika humbi vetëbesimin e saj

Udhëheqësit Houthi që kanë pushtuar bregdetin jemenas të Bab el-Mandebit janë një rast më vete. Brenda pak orësh nga marrja e kontrollit, ata u premtuan banorëve vendas pagesa prej 500 dollarësh në këmbim të bay’ah-ut të tyre, ose besnikërisë. Houthit e quajtën këtë “dividend”, të përllogaritur mbi të ardhurat e ardhshme që do të nxirreshin nga tarifat ndaj cisternave që kalojnë nëpër këtë ngushticë, natyrisht, vetëm anijet nga vendet e “miratuara” mund të përfitojnë. Dhe ndërsa vazhdojnë përshkallëzimin kundër Qeverisë saudite, Houthit po u ndryshojnë emrat qyteteve, provincave, ishujve dhe elementeve të tjera të rëndësishme gjeografike brenda mbretërisë, si një mënyrë tjetër për të goditur Shtëpinë e Saudëve.

Një çerek shekulli pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, luftërat për ndryshimin e regjimeve jashtë vendit, dobësimi i bazës ekonomike dhe rënia e besimit te institucionet kanë transformuar vetë shoqërinë amerikane… Udhëheqësit Houthi që kanë pushtuar bregdetin jemenas të Bab el-Mandebit janë një rast më vete. Brenda pak orësh nga marrja e kontrollit, ata u premtuan banorëve vendas pagesa prej 500 dollarësh në këmbim të bay’ah-ut të tyre, ose besnikërisë. Houthit e quajtën këtë “dividend”, të përllogaritur mbi të ardhurat e ardhshme që do të nxirreshin nga tarifat ndaj cisternave që kalojnë nëpër këtë ngushticë, natyrisht, vetëm anijet nga vendet e “miratuara” mund të përfitojnë. Dhe ndërsa vazhdojnë përshkallëzimin kundër Qeverisë saudite, Houthit po u ndryshojnë emrat qyteteve, provincave, ishujve dhe elementeve të tjera të rëndësishme gjeografike brenda mbretërisë, si një mënyrë tjetër për të goditur Shtëpinë e Saudëve.

Po bëj shaka, po bëj shaka. Jo për marrjen e kontrollit nga Houthit, që është krejtësisht reale, por për pagesat e “dividendëve” dhe riemërtimin e vendeve. Këto janë llojet e veprimeve që mund të pritej t’i kryente një grup i çorganizuar militantësh jemenas. Por këto ditë, ato lidhen më lehtë me administratën e Presidentit Trump në Shtetet e Bashkuara, një kthesë befasuese dhe dëshpëruese për vendin, teksa shënon 25-vjetorin e 11 shtatorit.

Me gjithë tmerrin dhe ligësinë e tyre, sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ndodhën në një periudhë vetëbesimi të thellë amerikan, si edhe të një lloj thjeshtësie epistemike. Një dekadë më parë, një version i modernitetit të Iluminizmit, liberalizmi i tregut, kishte mposhtur rivalin e tij kryesor dhe të fundit serioz, komunizmin. Gjithçka që mbetej për t’u bërë ishte zgjerimi i sistemit deri në skajet më të largëta të Tokës dhe ruajtja e funksionimit të tij të pandërprerë.

Sigurisht, kishin mbetur disa kundërshtarë të prapambetur, ultranacionalistë serbë këtu, fanatikë islamistë dhe kryekomandantë lufte afrikanë atje, por asnjëri nuk mund ta kërcënonte realisht sistemin. Dhe edhe nëse arrinin të shkaktonin dëme serioze, siç bënë atë ditë fatale, fuqia amerikane mund t’i mposhtte gjithmonë dhe t’ua ribënte shoqëritë; logjika universaliste e sistemit nuk kërkonte asgjë më pak.

Megjithatë, 25 vjet më vonë, ajo thjeshtësi e bekuar ka humbur. Dhe më keq akoma, një çerek shekulli i kaluar duke ribërë shoqëritë e të tjerëve e ka lënë Shtetet e Bashkuara të duken si një prej shteteve rebele që dikur qëndronin jashtë sistemit: paranojake, luftarake për hir të vetë luftës, të përçarë shoqërisht në kampe, psikologjikisht të brishta, të prirura ndaj kultit të udhëheqësit dhe të paafta për të artikuluar një ide universale.

Për të kuptuar këtë ndryshim të zymtë, duhet së pari të shqyrtojmë strukturën e vendimmarrjes që çoi deri këtu.

Është bërë tashmë një pohim i rëndomtë se ajo që ndodhi pas 11 shtatorit ishte produkt i arrogancës neokonservatore. Por nuk mjafton të përsëritet kjo akuzë e vjetër. Nëse George W. Bush dhe grupi neokonservator rreth tij ranë pre e arrogancës, atëherë të njëjtën gjë e bënë edhe shumë të tjerë. E bënë Clintonët dhe Joe Biden. E bënë The Economist dhe The New York Times. E bënë Fareed Zakaria, Christopher Hitchens dhe shkrimtari i majtë Paul Berman. Edhe unë e bëra, duke nisur nga fundi i viteve 2000, si një ish-i majtë i kthyer në skifter. Megjithatë, kishte shumë rrugë veprimi më të arsyeshme se ajo që zgjodhën ata, që zgjodhëm ne. Uashingtoni dhe aleatët e tij mund të kishin bombarduar masivisht bastionet e Talibanëve dhe të kishin përdorur forcat speciale për të ndjekur autorët e 11 shtatorit (dhe, në fakt, pikërisht kështu Osama bin Laden u soll përfundimisht para drejtësisë). Duke e parë në retrospektivë, nuk kishte ndonjë arsye të dukshme pse përpjekja në Afganistan duhej të përfshinte gjithashtu mësimin e grave afgane për Marcel Duchamp-in dhe dadaizmin, përpara se Talibanët të rimerrnin të gjithë vendin.

Ndërkohë, Iraku as nuk po zhvillonte armë të shkatërrimit në masë dhe një përllogaritje tradicionale e ekuilibrit të fuqisë duhej të kishte nxjerrë në pah vlerën e Saddam Husseinit si kundërpeshë ndaj iranianëve. Ndërhyrjet në Libi dhe Siri ishin edhe më të pamenduara, duke krijuar hapësira të paqeverisura në zona të gjera të rajonit, prej nga u përhap terrorizmi dhe që dërguan më shumë se një milion migrantë drejt brigjeve të Evropës. Libia tani ka tregje të hapura skllevërish; Siria është stabilizuar nën sundimin e një kryekomandanti lufte të Al-Kaedës, tashmë të veshur me kostum.

Atëherë, si dolën gjërat kaq shumë jashtë kontrollit? Pse u shkua kaq larg? Tani më duket se pema e vendimmarrjes ishte e paracaktuar si nga faktorë materialë, ashtu edhe nga faktorë ideologjikë. Nga ana materiale, ekzistonte pabarazia e jashtëzakonshme ndërmjet fuqisë relative të Shteteve të Bashkuara dhe asaj të gjithë të tjerëve gjatë viteve 1990 dhe 2000. Në atë kohë, Rusia ishte e poshtëruar dhe ekonomia kineze mezi merrej në konsideratë si rivale. Kjo bëri që pothuajse të gjithë strategët amerikanë, me vetëm pak përjashtime, të arrinin në përfundimin: ndoshta mundemi, pse të mos e provojmë?

Ky raport i pazakontë forcash i dha mendjes perëndimore një lloj dehjeje të rrezikshme. Disa vite përpara 11 shtatorit, teoricieni politik Benjamin Barber kishte parashikuar se fillimi i shekullit XXI do të karakterizohej nga përplasja ndërmjet globalizmit kapitalist, të cilin ai e quante “McWorld”, dhe reagimit tradicional e identitar, të cilin e përmblidhte me termin “Jihad”.

Për të qenë të qartë, vetë Barber i kundërshtonte të dyja këto pole, duke i konsideruar reduktuese dhe të dëmshme për lumturinë autentike njerëzore. Por shumë të tjerë ishin të gatshëm të ngulnin flamurin e McWorld-it në zemër të Jihadit, një ambicie që mori formë konkrete te Burger King-u i famshëm brenda Zonës së Gjelbër të Bagdadit. Po ashtu, ideja e një armiku islamist monolit, në vend të realitetit të një bote islame të fragmentuar përgjatë vijave të shumta kombëtare dhe sektare, i dha liberalizmit global atë lloj kundërshtari të vetëm ideologjik që i kishte munguar që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Sigurisht, kjo kishte qenë gjithmonë një iluzion. Islamizmi nuk ishte një konkurrent i vërtetë i McWorld-it. Ishte brutal dhe rraskapitës; brenda një ose dy dekadash, publiku arab vendosi se preferonte McWorld-in e vet vezullues në vend të një ummah-u të rivendosur ndërkombëtar nën një kalif.

Megjithatë, iluzioni i një kundërshtari total, të ngjashëm me ata që kërcënonin lirinë në vitet 1930, i mobilizoi intelektualët. Njerëz si Berman e mbanin “fundamentalizmin e Iluminizmit” si simbol krenarie. Ateizmi i Ri i Hitchens-it, Sam Harris-it e të tjerëve i lartësonte luftërat e pas 11 shtatorit si një mënyrë për të hedhur dritën e ftohtë të arsyes mbi perënditë e errëta dhe të tmerrshme që vazhdonin të mbanin miliarda njerëz nën pushtetin e tyre. Nëse islamizmi ose vetë Islami mund të tërhiqej, vazhdonte ky arsyetim, atëherë të njëjtën gjë mund të bënte edhe krishterimi provincial i votuesit mesatar të Bushit (pa marrë parasysh se pikërisht besimtarët e shteteve republikane do të thirreshin për të kryer ndryshimin e regjimeve).

Dhe kjo na çon te pasojat. Kombet kanë vetëm burime dhe vëmendje të kufizuara në një botë që vazhdon të karakterizohet nga pamjaftueshmëria. Gjatë gjithë kohës që përpiqeshin të ribënin Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Shtetet e Bashkuara dhe shumë prej aleatëve të tyre evropianë neglizhuan themelet e brendshme të fuqisë së tyre. Prodhimi industrial u tkurr, sepse ideologjia e McWorld-it mësonte se rritja ekonomike është rritje ekonomike; dhe se nuk ka rëndësi nëse PBB-ja gjenerohet nga mallra konkrete e të tregtueshme apo nga programe kompjuterike dhe shërbime, qofshin ato të nivelit të lartë apo të ulët. Gjatë gjithë kësaj kohe, Wall Street-it iu lejua të gëlltiste pjesë të mëdha të ekonomisë reale, duke prodhuar në këmbim pushime nga puna dhe pasiguri për klasën punëtore dhe shtresën e mesme. Një ultraliberalizëm gërryes e mbushi boshllëkun që mbeti me pornografi, kanabis të legalizuar dhe lojëra fati në internet.

Gjatë gjithë kësaj kohe, uria e punëdhënësve për paga të ulëta dhe dëshira e profesionistëve urbanë për dado, kopshtarë dhe shërbime pastrimi kimik të lira, u lejua të diktonte politikën e emigracionit, pavarësisht pasojave për sistemet e mirëqenies sociale dhe kohezionin kulturor. Teknologjive të reja dhe mbresëlënëse sociale iu lejua të depërtonin me forcë në komunitete dhe në mendjet e individëve, pa marrë parasysh pasojat për aftësinë e përqendrimit dhe shëndetin mendor.

Ndërkohë, rezultatet e këqija dhe të parashikueshme të luftërave për ndryshimin e regjimeve e dobësuan vetëbesimin kombëtar dhe ushqyen mosbesimin ndaj autoritetit institucional. Nëse “ata” gënjyen për armët e shkatërrimit në masë të Irakut, për çfarë tjetër gënjyen “ata”? Veçanërisht familjet e ushtarakëve e panë nga afër hendekun e madh ndërmjet retorikës së skifterëve dhe realitetit të zymtë të këtyre konflikteve. Edhe vetë demokracia u vu në dyshim; pavarësisht se për cilën parti votoje, D apo R, përfje me më shumë luftëra për ndryshimin e regjimeve.

Një pasojë e rëndë e gjithë kësaj ishte një degradim i përgjithshëm i kapitalit njerëzor amerikan. Autorë si kolumnisti i UnHerd, Richard Hanania, të cilët e identifikojnë rënien e kapitalit njerëzor si krizën e kohës sonë, nuk e kanë gabim. Por shumë shpesh ata anashkalojnë kushtet shoqërore dhe materiale që nevojiten për të kultivuar kapital njerëzor të nivelit të lartë. Luftërat e pas 11 shtatorit i dëmtuan këto kushte të domosdoshme në Shtetet e Bashkuara dhe, deri në njëfarë mase, edhe në Evropë. A është atëherë për t’u habitur që politika amerikane karakterizohet nga ryshfet politik i hapur dhe demagogjik, si premtimi i fundit i Trumpit për të shpërblyer çdo të rritur me një “dividend” prej 5,000 dollarësh të financuar nga të ardhurat e tarifave? (Për të qenë të qartë, këto të ardhura nuk do të afroheshin as me mbulimin e kostos së plotë.) Apo që diskursi politik amerikan është shtrembëruar nga një lloj konspiracionizmi i dyfishtë, ku masat dyshojnë për një dorë të fshehtë të huaj, shpesh hebraike, prapa rrjedhës së ngjarjeve, ndërsa vetë elitat ia atribuojnë ndjenjat e masave ndërhyrjes së huaj shpesh ruse?

A është për t’u habitur që ikona e periudhës së vonë të Trumpit është i ashtuquajturi “MAGA-tard” një krijesë gnomike me një dhëmb të vetëm, që i thotë vetes se nafta me 6 dollarë ia vlen si çmim për çlirimin e Iranit? Apo që administrata ka kërkuar “administrim akademik të detyruar” për të garantuar që programet universitare të historisë dhe studimeve rajonale të jenë në përputhje me ideologjinë trumpiste? Apo që “këshilltarja e besimit” e Trumpit, Paula White-Cain, ka nxjerrë një lloj fetvaje sipas së cilës “t’i thuash jo Presidentit Trump do të ishte njësoj si t’i thoshe jo Zotit”?

Të gjitha këto, shpërndarja e favoreve politike, teoritë e kudogjendura të konspiracionit, kulti i udhëheqësit, mbikëqyrja e jetës intelektuale e kështu me radhë, ishin karakteristike për Lindjen e Mesme ku kam lindur. Deri edhe mania për riemërtimin ideologjik të monumenteve dhe vendeve.

Kështu, luftërat e pas 11 shtatorit nuk dështuan të arrinin asgjë, siç besohet zakonisht. Ato e ribënë Amerikën sipas imazhit të Lindjes së Mesme. /Përshtati Pamfleti nga UnHerd/ 11 shtatori trump shba images gettyimages 1161124 083646800c845f994a7717b80a7bfee3d382362e Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Trump e lidh luftën me Iranin me 11 Shtatorin: Nuk do t’i harrojmë kurrë, prandaj luftojmë sot 11 Shtator 2026, 17:4817:48Rajoni dhe Bota Meloni bën prapakthehu, rebelimi i aleatëve vë qeverinë nën presion 11 Shtator 2026, 17:3317:33Rajoni dhe Bota Memoriali i Pentagonit për 11 shtatorin, Trump dhe Hegseth shtyjnë përpara luftën me Iranin 11 Shtator 2026, 17:3217:32Rajoni dhe Bota “Abuzim me pushtetin”, Von der Leyen kritikohet ashpër pasi mbështeti marrëveshjen hapësinore 11 Shtator 2026, 17:0817:08Rajoni dhe Bota 11 Shtatori, ora 09:27/ Telefonata që ndryshoi rrjedhën e sulmeve 11 Shtator 2026, 17:0117:01Rajoni dhe Bota Panik në aeroportin e Milanos/ Kabina mbushet me tym, evakuohet avioni me 146 pasagjerë 11 Shtator 2026, 16:4416:44Rajoni dhe Bota