Edi Rama dhe Ron Yeffet / Nga McGonigal te Yeffet, njerëzit ndryshojnë, por shqetësimi mbetet: pse personazhet problematike e gjejnë kaq lehtë rrugën për te Edi Rama? Ka një rregullsi në pushtetin e Edi Ramës që, pas më shumë se një dekade në krye të Qeverisë, është e vështirë të shpjegohet vetëm me rastësinë. Ndryshojnë emrat, vendet dhe historitë, por pranë kryeministrit shfaqen vazhdimisht njerëz me para, ndikim, lidhje të forta dhe aftësi për të lëvizur në ato hapësira ku biznesi, politika dhe pushteti informal takohen me njëri-tjetrin.
Disa prej tyre kanë pasur probleme me ligjin përpara se të afroheshin me pushtetin, të tjerë janë përballur më vonë me drejtësinë, ndërsa për disa janë ngritur akuza ose pretendime që ende presin përgjigje nga gjykatat.
Nëse do ta pagëzojmë me një emër politik këtë fenomen, mund ta quajmë “sëmundje” të Edi Ramës, jo në kuptimin klinik të fjalës dhe aq më pak si një përpjekje për të improvizuar diagnoza psikologjike, por si përkufizim të një mënyre të ushtrimit të pushtetit që përsërit të njëjtin model. Pas trembëdhjetë vjetësh, materialin për këtë diagnozë nuk duhet ta kërkojmë te karakteri apo fëmijëria e kryeministrit, por te njerëzit që ka zgjedhur, marrëdhëniet që ka ndërtuar dhe mënyra se si këto marrëdhënie janë afruar me shtetin.
Edi Rama ka treguar gjatë qeverisjes së tij një prirje të fortë për marrëdhëniet personale me njerëz që kanë akses, kapital, kontakte ndërkombëtare dhe mundësi për të hapur dyer që institucionet normale i hapin vetëm përmes procedurave. Të njohësh njerëz të fuqishëm nuk është as faj dhe as faj politik në vetvete. Problemi fillon kur marrëdhënia personale afrohet me interesin publik, kur njeriu që ka akses te kryeministri shfaqet njëkohësisht pranë projekteve ku vendos qeveria dhe, mbi të gjitha, kur kjo histori përsëritet me një rregullsi që e bën gjithnjë e më të vështirë shpjegimin e saj me padijen e kryeministrit.
Charles McGonigal mbetet rasti që e nxori këtë mënyrë marrëdhëniesh përtej kufijve të Shqipërisë. Rama nuk ishte i pandehur në proceset amerikane ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së dhe askush nuk duhet t'i ngarkojë atij përgjegjësi që drejtësia amerikane nuk ia ka ngarkuar ende. Megjithatë, vetë kryeministri pranoi publikisht se e kishte takuar disa herë McGonigal dhe se, pas takimit të shtatorit 2017, kishte mbajtur me të një marrëdhënie të vazhdueshme. McGonigal përfi më pas përpara drejtësisë amerikane dhe u dënua, ndërsa Shqipërisë i mbeti dyshimi se përse një kryeministër kishte ndërtuar një marrëdhënie të tillë personale me një zyrtar të huaj, jashtë kanaleve të zakonshme institucionale.
Brenda vendit, lista e zgjedhjeve problematike është më e gjatë. Elvis Rroshi nuk u bë vetë kryetar i Bashkisë së Kavajës; Partia Socialiste e kandidoi dhe Edi Rama e mbështeti politikisht, përpara se çështja e së kaluarës së tij të kthehej në një nga rastet simbol të procesit të dekriminalizimit. Tom Doshi nuk ishte një kalimtar i rastësishëm në mazhorancën socialiste, por një njeri me peshë, të cilin Departamenti amerikan i Shtetit e shpalli më vonë të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se kishte informacion të besueshëm për përfshirjen e tij në korrupsion domethënës.
Sa herë ka shpërthyer një histori e tillë, pushteti është përpjekur ta ndajë personazhin nga sistemi që e afroi, e mbështeti ose bashkëpunoi me të. Kryeministri nuk dinte, kryeministri nuk mund të kontrollojë biografinë e çdo njeriu, kryeministri nuk përgjigjet për atë që një person bën në jetën e vet. Secili prej këtyre argumenteve mund të ketë kuptim kur përballemi me një rast të vetëm, sepse askush nuk mund të mbajë përgjegjësi për çdo njeri që ka njohur gjatë jetës. Kur i njëjti shpjegim përsëritet për vite me radhë dhe emrat vazhdojnë të ndërrohen, problemi nuk qëndron më vetëm te njerëzit që kanë kaluar pranë pushtetit, por te mënyra se si pushteti i përzgjedh dhe i afron ata.
Rasti i Ron Yeffet e rikthen sot këtë pyetje në një terren edhe më delikat, sepse nuk kemi përballë një njohje protokollare të kryeministrit dhe as një biznesmen që ka kaluar rastësisht nëpër Shqipëri. Dokumentet tregojnë një prani shumëvjeçare të Yeffet në vend dhe interesa ekonomike që kanë prekur fusha ku shteti shqiptar ka pasur rol të drejtpërdrejtë. Gjurmët e tij shfaqen në historikun e kompanisë private që hyri në projektin Air Albania, ndërsa vite më vonë ai bleu 49 për qind të TIMAK, kompani që hyri në partneritet me KAYO-n shtetërore për industrinë e mbrojtjes.
Edhe këtu duhet të ruajmë kufirin mes faktit dhe akuzës. Ron Yeffet nuk mund të shpallet fajtor për pretendime që një gjykatë nuk i ka provuar dhe as kemi nevojë ta bëjmë këtë për të ngritur problemin politik. Pyetja që duhet t'i drejtohet Edi Ramës është shumë më e thjeshtë dhe njëkohësisht edhe e rëndë: si ndodh që njerëzit që fitojnë akses personal te kryeministri shqiptar shfaqen kaq shpesh edhe në hapësira ekonomike dhe strategjike ku vendos shteti shqiptar?
Këtu marrëdhënia private pushon së qeni vetëm private. Edi Rama mund të zgjedhë lirisht me kë darkon, kë takon dhe me kë krijon miqësi, sepse këtë të drejtë ia garanton jeta private si çdo qytetari tjetër. Kur i njëjti person shfaqet në kompani, projekte ose sektorë ku qeveria, ndërmarrjet shtetërore dhe paratë publike kanë rol, publiku fiton të drejtën të kërkojë të dijë se ku mbaron miqësia dhe ku fillon interesi.
Kjo është edhe pika ku duhet kërkuar “sëmundja” e Edi Ramës. Ajo nuk qëndron te fakti se kryeministri njeh njerëz që më vonë kanë probleme me drejtësinë, sepse një gjë e tillë mund t'i ndodhë kujtdo. Problemi qëndron te një mënyrë ushtrimi të pushtetit ku marrëdhënia personale, ndërmjetësi, njeriu me akses dhe biznesmeni që di të hapë dyer fitojnë një rëndësi që duhet ta kenë institucionet, procedurat dhe distanca mes interesit privat dhe atij publik.
Një shtet funksional nuk ka nevojë për miqtë e kryeministrit që të gjejë investitorë, nuk ka nevojë për ndërmjetës privatë që të ndërtojë marrëdhënie ndërkombëtare dhe nuk duhet të krijojë as dyshimin se afërsia me njeriun që drejton qeverinë mund të shërbejë si kapital ekonomik. Pikërisht për këtë arsye, sa herë që një njeri i afërt me pushtetin hyn në një sektor strategjik, barra e transparencës duhet të bëhet më e madhe dhe jo më e vogël.
Pas trembëdhjetë vitesh Kryeministër, Edi Rama nuk mund ta shpjegojë pafundësisht këtë varg me njerëzit që e kanë zhgënjyer, me të kaluarën që nuk ua njihte apo me problemet që ata krijuan pasi e njohën. Një herë mund të gabosh për një njeri, një herë mund të mos dish me kë ke të bësh dhe një herë mund të të mashtrojë dikush që ke afruar. Kur modeli përsëritet përgjatë gjithë pushtetit tënd, pyetja nuk është më se çfarë problemi kishte secili prej tyre, por çfarë kriteri përdore ti për t'i afruar.
Ndoshta pikërisht këtu gjendet edhe diagnoza politike e kësaj qeverisjeje. Edi Rama nuk duhet të përgjigjet për mëkatet e çdo njeriu që ka njohur, por duhet të përgjigjet politikisht për sistemin që ka ndërtuar dhe për dyert e shtetit që kontrollon. Sepse ajo që mbetet pas McGonigalit, Rroshit, Doshit etj., etj., dhe tani pas historisë së Ron Yeffet është shqetësimi; përse Edi Rama i gjen kaq shpesh ata, ose përse ata e gjejnë kaq lehtë Edi Ramën./Pamfletiron yeffet dhe sëmundja e vjetër e edi ramës gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Kur teknologjia bie në duart e barbarëve 2 Tetor 2026, 12:4212:42Editorial Grahmat e fundit të malavitës 1 Tetor 2026, 11:1311:13Editorial Shakaxhiu i Integrimit 30 Shtator 2026, 12:2712:27Editorial Vlora dhe ‘strategjia e maces së ngordhur’ 29 Shtator 2026, 12:0512:05Editorial Presidenti që “u tërhoq zvarrë” nga Kosova 28 Shtator 2026, 11:3811:38Editorial Pse është trembur Edi Rama? 27 Shtator 2026, 19:2619:26Editorial

