Dodik dhe familja e tij festuan si zakonisht fitoren e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur. Burimi: ATV. / Zgjedhjet e reja kanë konfirmuar epërsinë politike të Milorad Dodikut dhe SNSD-së në Republikën Srpska. Kampi serb nuk ka dhënë asnjë sinjal për një ndryshim të rëndësishëm kursi, ndërsa rezultati tregon se Dodiku mbetet një nga figurat përcaktuese të politikës boshnjake. Në kampin kroat ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm, ndërsa gara mes forcave boshnjake ka prodhuar një rezultat më të ngushtë, duke paralajmëruar një presidencë trepalëshe sërish të tensionuar... Zgjedhjet e së dielës në Bosnjë dhe Hercegovinë, kanë ndryshuar disa ekuilibra politikë, por nuk kanë prekur ndarjet kombëtare që prej vitesh përcaktojnë sistemin politik të vendit. Ndryshimi më i dukshëm është largimi i Zhelko Komshiç nga presidenca, ndërsa në kampin serb rezultati ka qenë i kundërt.
Republika Srpska ka konfirmuar edhe një herë forcën politike të Milorad Dodikut dhe të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, SNSD. Në garën për anëtarin serb të presidencës trepalëshe, Zhelka Cvijanoviç, kandidatja e SNSD-së, ka fituar me 281.190 vota, ose 55.37 për qind.
Kundërshtari i saj më i afërt ka marrë 134.782 vota, ose 26.54 për qind. Pra, Cvijanoviç ka siguruar më shumë se dyfishin e votave të kandidatit të dytë, duke marrë një mandat të fortë për të përfaqësuar kampin serb në institucionin më të lartë kolektiv të shtetit.
Epërsia e SNSD-së nuk kufizohet vetëm te rezultati i Cvijanoviçit. Në garën për presidencën e Republikës Srpska, Savo Miniç kryeson me 269.290 vota, përballë 216.867 votave të kandidatit të opozitës, Branko Blanushës.
Ndërkohë, SNSD-ja ka marrë 38.85 për qind në zgjedhjet për parlamentin e entitetit serb dhe, sipas rezultateve paraprake, 40.91 për qind në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të parlamentit shtetëror boshnjak në territorin e Republikës Srpska.
Këto rezultate tregojnë se, pavarësisht presionit politik, përplasjeve me institucionet qendrore dhe konfliktit të vazhdueshëm me aktorët ndërkombëtarë, Dodik vazhdon të jetë figura kryesore politike e entitetit serb.
Edhe kur nuk kandidon drejtpërdrejt, ndikimi i tij mbetet i dukshëm përmes SNSD-së dhe kandidatëve që garojnë nën siglën e saj. Makineria elektorale e partisë ka funksionuar sërish, ndërsa opozita nuk ka arritur të prodhojë përmbysjen që do të ndryshonte ekuilibrin politik në Republikën Srpska.
Në këtë kuptim, zgjedhjet nuk kanë sjellë dobësimin e kampit serb që mund të pritej nga kundërshtarët e Dodikut. Përkundrazi, ato kanë konsoliduar pozicionin e tij. Republika Srpska mbetet bastioni politik ku Dodiku dhe SNSD-ja gëzojnë një epërsi të qartë, ndërsa elektorati serb nuk ka treguar ndonjë zhvendosje të rëndësishme drejt forcave opozitare.
Ndërsa në kampin kroat, rezultati ka sjellë një ndryshim shumë më të dukshëm. Kandidatja e HDZ-së së Bosnjë-Hercegovinës, Darijana Filipoviç, ka fituar vendin e rezervuar për kroatët, duke i dhënë fund epokës së Zhelko Komshiçit.
Me më shumë se 90 për qind të votave të numëruara, Filipoviç ka marrë 107.242 vota, ose 46.55 për qind, ndërsa Slaven Kovaçeviç i Frontit Demokratik ka siguruar 70.428 vota, ose 30.57 për qind.
Fitorja e Filipoviçit ka një peshë të veçantë për partitë kroate të Bosnjës, të cilat prej vitesh kanë kundërshtuar mënyrën se si Komshiç ka arritur të fitojë mandatin e rezervuar për përfaqësuesin kroat.
Në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, anëtarët kroat dhe boshnjak të presidencës zgjidhen nga votuesit e së njëjtës njësi federale. Për shkak se baza elektorale boshnjake është shumë më e madhe, votat e boshnjakëve mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjen e përfaqësuesit kroat.
Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i fenomenit “Komshiç”. Ai e kishte fituar katër herë vendin e rezervuar për kroatët, shpesh falë votave të boshnjakëve, ndërsa partitë kryesore kroate në Bosnjë dhe një pjesë e rëndësishme e forcave politike në Kroaci e konsideronin atë si një përfaqësues që nuk pasqyronte vullnetin politik të shumicës së kroatëve të Bosnjë-Hercegovinës.
Komshiç mori 225.500 vota në vitin 2018 dhe 227.540 katër vjet më vonë. Këtë herë, kandidati i Frontit Demokratik nuk iu afrua këtyre rezultateve. Për më tepër, partia e tij është dobësuar ndjeshëm edhe në zgjedhjet parlamentare.
Në vitin 2022, Fronti Demokratik kishte marrë 107.736 vota dhe 12 mandate, ose 10.52 për qind. Sipas rezultateve paraprake, mbështetja e tij këtë herë ka rënë në rreth 6.38 për qind.
Në kampin boshnjak, gara ka qenë dukshëm më e ngushtë. Denisi Beçiroviç kryeson me 206.684 vota, ose 38.12 për qind, ndërsa lideri i SDA-së, Bakir Izetbegoviç, ka marrë 184.230 vota, ose 33.98 për qind.
Diferenca prej pak më shumë se 22 mijë votash, i ka mjaftuar Beçiroviçit për të siguruar vazhdimin e mandatit si përfaqësues boshnjak në presidencën trepalëshe. Rezultati është veçanërisht domethënës për shkak të peshës së Partisë së Aksionit Demokratik, SDA. Humbja personale e Izetbegoviçit nuk është përkthyer në një humbje të forcës politike që ai drejton. Përkundrazi, SDA-ja është ndër fitueset më të mëdha në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe aktualisht ka 30.57 për qind në zgjedhjet parlamentare federale, rreth gjashtë pikë për qind më shumë se në vitin 2022.
Kjo krijon një konfigurim të ri në presidencën trepalëshe. Kampi serb do të përfaqësohet nga Zhelka Cvijanoviç, e cila vjen me një mandat të fortë politik nga SNSD-ja, ndërsa kampi kroat nga Darijana Filipoviç e HDZ-së së Bosnjë-Hercegovinës.
Përballë tyre do të jetë Beçiroviç, i cili vjen nga një sfond socialdemokrat, por që mbetet i lidhur me disa prej çështjeve më të ndjeshme të politikës boshnjake, veçanërisht me forcimin e institucioneve qendrore dhe ruajtjen e unitetit territorial e shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës.
Prandaj, rezultati i zgjedhjeve nuk jep shumë shpresë për të pritur një ulje të tensioneve. Përkundrazi, presidenca e re mund të përballet me përplasje të forta mes përfaqësuesit serb dhe atij kroat, nga njëra anë, dhe qëndrimeve boshnjake mbi unitetin e shtetit dhe funksionimin e institucioneve qendrore, nga ana tjetër.
Një tjetër tregues interesant lidhet me votat e pavlefshme. Në zgjedhjet për presidencën shtetërore, përqindja e fletëve të pavlefshme ka rënë në 4.39 për qind, nga 6.65 për qind në vitin 2022. Në zgjedhjet për presidencën e Republikës Srpska, ajo ka zbritur nga 5.75 në 4.74 për qind.
Por në zgjedhjet parlamentare, tendenca është e kundërt. Në zgjedhjet për parlamentin e Republikës Srpska janë regjistruar 49.959 fletë votimi të pavlefshme, ose 9.17 për qind, krahasuar me 5.52 për qind katër vjet më parë. Nga këto, vetëm 10.086 ishin fletë të bardha, ndërsa 39.873 u shpallën të pavlefshme për arsye të tjera.
Shifrat mund të ndryshojnë deri në përfundimin e plotë të numërimit, por mesazhi politik i zgjedhjeve është tashmë i qartë. Në kampin serb nuk ka ndodhur përmbysja që mund të kishte ndryshuar raportet e forcave.
Milorad Dodik mbetet figura qendrore e Republikës Srpska, SNSD-ja ruan epërsinë dhe elektorati serb ka konfirmuar, të paktën për momentin, vazhdimin e të njëjtit kurs politik.
Në anën tjetër, largimi i Komshiç dhe fitorja e Filipoviçit ndryshojnë ekuilibrin në kampin kroat.
Nga ana tjetër gara e ngushtë mes Beçiroviçit dhe Izetbegoviçit tregon se edhe kampi boshnjak mbetet politikisht i fragmentuar. Në vend që të prodhojnë një formulë të re bashkëjetese, zgjedhjet duket se kanë riformatuar aktorët brenda të njëjtave ndarje etnike dhe kushtetuese që vazhdojnë ta bëjnë Bosnjë-Hercegovinën një nga sistemet politike më të brishta dhe më të ndërlikuara të Evropës./Përgatiti Pamfletimilorad dodik bosnja Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Putin kërcënon hapur liderët europianë: Kush shkon në Kiev, rrezikon të vdesë 5 Tetor 2026, 10:0310:03Rajoni dhe Bota Spanja drejt zgjedhjeve të parakohshme, Miku i Ramës në telashe, shpërndan Parlamentin 5 Tetor 2026, 08:4808:48Rajoni dhe Bota SHBA godet anijen e mbushur me kokainë në Karaibe, 4 persona të vrarë (Video) 5 Tetor 2026, 08:2508:25Rajoni dhe Bota Alarmi për sulme terroriste nga Irani, SHBA largon avionët bombardues B-1 nga baza e saj në Britani 5 Tetor 2026, 07:4707:47Rajoni dhe Bota "Duhet të reagojmë", kryeministri libanez: Bejruti s'mund të presë derisa të arrihet marrëveshja SHBA-Iran 4 Tetor 2026, 22:5722:57Rajoni dhe Bota Nga aeroporti te kullat e Tel Avivit, zbardhet plani i bashkëpilotit të Flydubai: Kisha ëndërr të përplasesha në Ben Gurion 4 Tetor 2026, 22:3822:38Rajoni dhe Bota

