Në Komisionin e Ligjeve po shqyrtohet sot propozimi i PS për hartën e re territoriale, e cila nëse do të miratohet në Komision, do të kalojë të enjten e 8 tetorit në seancë plenare në Kuvend, për të marrë 84 votat e deputetëve (3/5 e deputetëve). Seanca në Komision u shoqërua me debate të forta mes përfaqësuesve më mazhorancës dhe opozitës. Deputetët e PD dhe PL e kanë cilësuar projektligjin për hartën e re territoriale si një ‘qëllim kriminal’ që nuk i shërben interesit qytetar, por vetëm interesave elektorale të PS-së. LEXO edhe...Territorialja/ Manja: Projektligji respekton frymën kushtetuese! Ndoja: Ulsi, je në vështirësi! Kemi qenë bashkëvuajtës, ishim konviktorë të dy, por s’kemi pasur marrëdhënie Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, deputeti socialist Ulsi Manja, por edhe përfaqësues të tjerë të PS-së, kanë theksuar se projektligji është në përputhje me frymën kushtetuese. Ndërkohë jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, protestues të shumtë nga bashkitë që pritet të shkrihen me njësitë më të mëdha administrative, me pankarta në duar kanë kundërshtuar projektin e PS për hartën e re territoriale. Ora 13:40 Territorialja/ Manja: Projektligji respekton frymën kushtetuese! Ndoja: Ulsi, je në vështirësi! Kemi qenë bashkëvuajtës, ishim konviktorë të dy, por s’kemi pasur marrëdhënie Opozita dhe mazhoranca janë përfshirë në debate në Komisionin e Ligjeve, ku po shqyrtohet propozimi i PS për hartën e re territoriale.Kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti Ulsi Manja, tha se projektligji i PS për Reformën Territoriale respekton frymën kushtetuese.Manja tha gjithashtu se pasi të miratohet projektligji për ‘Territorialen’, do të vijë një paketë ndryshimesh ligjore për funksionet, autonominë dhe kompetencat e bashkive.Në përfundim të fjalës së tij, Manja tha se i përlqente debati juridik me deputetin demokrat Arjan Ndoja, pasi të dy sipas tij, janë me formim të njëjtë profesional dhe kanë punuar në të shkuarën si prokurorë.“Ne mendojmë se ky projektligj që ka ardhur sot respekton në frymë dhe në gërmë nenin 13 dhe 108 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe rregulloren e Kuvendit. Ama për një gjë duhet të biem dakord të gjithë. Që kjo është një çështje që gëzon parimin e gjësë së gjykuar. Ka vajtur në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën tuaj në vitin 2014, me kërkesën e 1/5 së deputetëve të opozitës së kohës dhe në një seancë plenare të datës 9 dhjetor 2014 Gjykata Kushtetuese i ka marrë nën shqyrtim në mënyrë shteruese 4 pretendime.Me vendimin nr 19 të datës 15 prill 2015, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash ka vendosur rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se bashkimi ose ndryshimi i kufijve të njësive vendore, nuk cenon vetëvetiu vetëqeverisjen vendore. Kjo do të thotë se pretendimet për antikushtetutshmëri të këtij procesi, nuk janë të bazuara. Unë bashkohem me ju në një pikë, po është reformë shumë e rëndësishme. Nëse kemi një shqetësim decentralizimin, autonominë, funksionet, kompetencat, por edhe buxhetimin e bashkive, jam plotësisht dakord që pasi të votohet ky projektligj, patjetër që do vijë paketa e ndryshimeve sa i takon këtyre çështjeve që ju ngrini.Sepse janë pjesë përbërëse e asaj pakete që shoqëron hartën territoriale, nuk mund të vijë më parë. Me reformën e 2014-ës ka shumë njësi administrative që kanë distanca shumë më të largëta sesa ato që përmenden me qendrat e bashkive respektive dhe reforma ka qenë sukses në këtë drejtim. Më pëlqen debati juridik me zotin Ndoja, edhe për shkak të begraundit dhe formimit që jemi të dy si ish-prokurorë, sepse jurist jemi të gjithë në këtë komision”, tha Manja.Ndërkohë deputeti Ndoja sqaroi në Komision me Ulsi Manjën kishin qenë të dy ‘bashkëvuajtës’ dhe konviktorë. Ai shtoi se nuk kishte pasur kurrë marrëdhënie me Manjën, por vetëm se kanë ndjekur të njëjtin rrugëtim.Në përfundim ai i tha Manjës se deputeti socialist nuk duhet të ndërhynte pas fjalës së çdo anëtari opozitar në Komisionin e Ligjeve.“Për publikun e gjerë, ne jemi bashkëvuajtës, kemi pas të njëjtin rrugëtim, kemi qenë konviktorë të dy. As kemi dhënë e as kemi marrë nga njëri-tjetri. Kemi pasur të njëjtin rrugëtim në jetë, edhe ti ke punuar prokuror, edhe unë. Ti bën një përmbledhje, e cila herë pas here të takon edhe si anëtar komisioni, por jo si kryetar komisioni.Ti bën kundërshtime edhe si deputet, por duke pasur kaq shumë personalitete PS në Komision për çështjet ligjore dhe administratën publike, ti nuk mund të ndërhysh sa herë flet secili prej deputetëve të opozitës, sepse e para ta kanë dhënë, s’kanë çfarë të të japin më tepër në Komisionin e Ligjeve PS, të kanë bërë kryetar komisioni.Po do ishin anëtarët e tjerë të nderuar të Komisionit, që secili me aftësitë e tij të posaçme në këtë fushë, siç është e drejta, do bënin kundërshtimet përkatëse të argumentave tona. Ti ndërhyn për çdo diskutim tonin. Prandaj thonë edhe njerëzit ‘ça ka Ulsiu?’. Ulsiu është në pozicion të vështirë. Ose ke marrë barrën e krejt ekipit, ose s’të pëlqejnë mendimet tona”, tha mes të tjerash Ndoja. Share Ora 12:51 Komisioni i Ligjeve/ Bylykbashi: ‘Territorialja’ cenon Kushtetutën dhe interesin qytetar! Alizoti: Reforma e propozuar nga PS ka qëllime elektorale Deputetët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Tomor Alizoti kanë kundërshtuar ashpër në Komisionin e Ligjeve propozimin e PS për ndjarjen e re territoriale.Bylykbashi tha gjatë fjalës së tij se Reforma Territoriale sipas propozimit të PS, është shkelje e Kushtetutës dhe e interesit të qytetarëve.Ai e cilësoi propozimin e PD për ‘Territorialen’ shumë më të mirë se ai i PS, ndërkohë që akusoi Kuvendin se në mënyrë të qëllimshme pengon iniciativën legjislative të opozitës.“Jemi në përfundimin e Kushtetutës dhe të interesit të qytetarëve. Është depozituar propozimi i PD-së për një ndarje tjetër administrative. Kemi kërkuar që të bashkohen, ndërsa ju keni refuzuar që të bashkohen 2 proceset në një të vetme. Sigurisht që kjo është një cenim tjetër jo thjeshtë i procesit legjislativ. Sepse mundet të jeni përpjekur ta respektoni te gërma, por asaj që është thelbi. Kemi një propozim i cili është shumë më i mirë se ai që keni ju. Megjithatë kjo t’i lihet për gjykim deputetëve, por edhe të çohet për konsultim, të merret opinioni i njësive përkatëse. Ndërkohë kemi kërkuar edhe vlerësim nga Kongresi i Autoriteteve Vendore e Rajonale i Këshillit të Europës. Të gjitha këto i keni refuzuar se nxitoni. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të qëllimshme pengon iniciativën legjislative të opozitës, që ajo të konsultohet dhe të vijnë qëndrimet e komuniteteve dhe pushteteve vendore lidhur me këtë propozim”, tha mes të tjerash Bylykbashi.Nga ana tjetër, deputeti Tomor Alizoti tha se nuk mundet që një nismë deputetësh të heqë dëshirën e njerëzve që jetojnë në bashkitë që ‘shkrihen’ sipas propozimit të PS, për të zgjedhur sipas vullnetit të tyre.Duke iu drejtuar mazhorancës socialiste, Alizoti tha se PS nuk mund të përdorë forcën e shumicës për të realizuar gjithçka.Në përfundim Alizoti u shpreh se propozimi i PS për hartën e re territoriale ka qëllime elektorale. Sipas tij, sa herë që PS-së i duhen vota, ata bëjnë një Reformë të re Territoriale.“Një reformë kaq e rëndësishme siç është Reforma Territoriale do kohë. Sepse flitet për territorin e njerëzve. Nuk mundet një nismë deputetësh të heqë dëshirën e njerëzve që jetojnë atje. Nëse Këshilli Bashkiak i Prrenjasit apo edhe i të tjerave del kundra, si mund ta anashkaloni këtë? Sepse thelbi i demokracisë ka bazë konsensusin. Ju s’mund të ushtroni forcën e shumicës, për të realizuar gjithçka. Dhe sillni këtu çdo lloj planesh. Si mund ta merrni me forcë një zonë, duke i hequr të drejtën. Ky është një qëllim elektoral. S’mund të bëni një hartë territoriale që nuk e duan njerëzit. Sa herë që duhen vota, nuk mund të bëhen reforma”, tha Alizoti. Share Ora 12:26 Territorialja/ Blushi te ‘Ligjet’: Urdhër kriminal, ndërprisni mbledhjen ose deklaroni që jeni pengje të Ramës! Manja: Po ti ça elektorati ke? Kujt i flet, vetes? (VIDEO) Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, janë përfshirë në debate të forta sot në Komision, ku po shqyrtohet ndarja e re territoriale.Blushi teksa kundërshtoi propozimin e PS për Reformën Territoriale, i kërkoi Manjës që ta ndërpriste mbledhjen.Tedi Blushi tha se PS nuk ka mandat që të marrë vendime për të detyruar banorë e familje për të përshkruar kilometra të rrugë dhe për të shpenzuar më shumë.Debati me Manjën nisi kur Blushi i kërkoi deputetit socialist që të ndërpriste mbledhjen, pasi sipas tij, edhe nëse nuk e bënte, nuk do i shtoheshin pikë te Edi Rama.“Çfarë po votoni sot? Përse nuk keni kurajon të dilni nga një urdhër kriminal që do t’u marrë në qafë të gjithëve? Dhe çdo vendimmarrje ka për t’ju përndjekur gjithë jetën. Do ju përndjekë në rrugë, do ju përndjekë në punë dhe në çdo vend tjetër. Ndërpriteni këtë mbledhje. Nëqoftëse jeni pengje të Edi Ramës, më mirë deklarojeni këtu, sepse do shpëtoni. S’mund të rrini gjithë jetën peng, sepse jeni mes dy zjarreve tani. Këtë protestues do ju përndjekin gjithë jetën. Ju s’keni mandat të merrni vendime për banorë e familje që i detyroni tani që jo vetëm të përshkruajnë kilometra rrugë, por edhe të shpenzojnë më shumë. Kush j’ua ka dhënë këtë mandat, Edi Rama? Fakti që më ndërpret nuk t’i shton pikët te Edi Rama. Ju e shikoni këtë si çështje pikësh, unë e shoh si çështje kombëtare. Ndërpriteni këtë mbledhje, sepse nuk do ju mbrojnë as makinat me xhama të zinj dhe as Garda e Republikës”, tha mes të tjerash Blushi.Ndërkohë Manja iu përgjigj se nuk kishte nevojë për pikë në mandatin e katërt të PS, teksa ironizoi Blushin duke i thënë ‘po ti çfarë elektorati ke? Kujt i flet, vetes’.“Po jo mor çfarë pikësh, s’kam nevojë për pikë unë në mandatin e katërt. Pikë të duhen ty o Blush, pikë të duhen ty, sepse t’i flet për socialistët, por ti çfarë elektorati ke? Kujt i flet ti, vetes”, tha Manja. Share Ora 12:09 Territorialja te Ligjet, Shehu-mazhorancës: Po shkelni parimet europiane dhe po cenoni demokracinë! Ky është shkatërrim i historive qindra vjeçare (VIDEO) Në Komisionin e Ligjeve po shqyrtohet propozimi i PS për hartën e re territoriale, i cili nëse merr miratimin sot, do të kalojë në seancë plenare në Kuvend të enjten në 8 tetor.Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e ka kundërshtuar propozimin për ‘Territorialen’ te ‘Ligjet’, ku tha se mazhoranca po përshpejton procedurat, me qëllim që të anashkalojë propozimet e qytetarëve dhe kundërshtitë e Këshillave bashkiakë që kundërshtojnë ndarjen e re.“Ju thoni do të miratojmë në parim dhe nen për nen këtë projektligj kaq të rëndësishëm. Si është e mundur? A mund të miratohen sot nen për nen dhe në parim për të gjitha bashkitë dhe pastaj në tërësi? Unë them se këtu kemi një shkelje të rëndë të procedurës. Si mund të mendohet që brenda 2-3 orësh ne të bëjmë me një procedurë të tillë rrufe, të kalojmë gjithë këta elementë? Kur këto janë kaq të diskutueshme nga ana proceduriale. Unë di të tre vendimet e Këshilleve të bashkive të Gjirokastrës, që kundërshtojnë propozimin. Ne jemi në një procedurë rrufe sot dhe kërkojmë të mbyllim hesapin”, tha mes të tjerash Shehu.Më tej Shehu tha se mazhoranca s’mund të shkatërrojë një histori qindra vjeçare me një të rënë të lapsit.Në përfundim Shehu theksoi se me mënyrën sesi mazhoranca po vepron për Reformën Territoriale, po shkel parimet europiane dhe po cenon demokracinë.“Unë mendoj se nga ana proceduriale ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë pa një diskutim serioz dhe pa një analizë nga ana proceduriale të elementëve ekonomikë e historikë. S’mund t’i biem me një kalem të shkatërrojmë historira qindra vjeçare. S’po na rri njeri nga pas. Unë mendoj që të qetësohemi dhe ta marrim ngadalë, jo me këtë yrrysh që është marrë për të shkelur parimet europiane dhe demokracinë shqiptare”, shtoi Shehu. Share Ora 11:35 ‘Ligjet’ shqyrtojnë sot propozimin e PS për hartën e re territoriale, banorë nga disa bashki që shkrihen, protestë para Kryesisë së Kuvendit: S’e shuani dot identitetin tonë (VIDEO) Një grup banorësh nga disa prej Bashkive që preken nga ndarja e re Territoriale e propozuar nga Partia Socialiste, u mblodhën sot sërish përpara kryesisë së Kuvendit, ku Komisioni i ligjeve do duhet të miratojë projektin që i redukton nga 61 në 46, bashkitë e vendit.Në pankartat që mbanin në duar, protestuesit kundërshtonin shkrirjen e Bashkive të Memaliajt, Fushë Arrëzit, Poliçanit dhe Selenicës. Ndërsa dy të para janë bashki që drejtohen nga Partia Demokratike, Poliçani dhe Selenica, kanë kryebashkiakë socialistë.‘Poliçani nuk negociohet’, ‘mos e prekni Selenicën’, ‘nuk e shuani dot identitetin tonë’, protestuesit i thonë ‘jo’ ndryshimeve për ‘Territorialen’, thuhej nw pankarta.Mes protestuesve u shfaq dhe kryebashkiaku demokrat i Fushë Arrëzit, Hil Curri.Nëse propozimi do të marrë miratimin te Komisioni i Ligjeve, atëherë projektligji i kalon për miratim Kuvendit në seancën plenare të ditës së enjte, në datë 8 tetor. Share R.Xh/ReportTv.al PD PS opozita mazhoranca Komisioni i ligjeve kuvend reforma territoriale Komento Komente Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 70.9% Jo 21.7% Nuk e di 7.3% Vota total: 2002 Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?
