Foto Pamfleti / Nga sekretet e shtetit te sekretet e dhomës së gjumit: shqipëtarët ndërruan temë pikërisht kur pushtetit i nevojitej më shumë... Prej disa ditësh Shqipëria është zhytur në një atmosferë videosh erotike, të cilat kalojnë nga një telefon në tjetrin me një shpejtësi që do ta kishte zili çdo lajm me rëndësi kombëtare.
Kërkohen emrat, krahasohen fytyrat, dalin ekspertët e moralit, hapen gjyqe popullore në rrjet dhe, sapo interesi për njërën video nis të bjerë, shfaqet tjetra për ta ushqyer përsëri kureshtjen. Në gjithë këtë zallamahi, e vetmja gjë që nuk po diskutohet është: kujt i intereson që Shqipëria të merret kaq gjatë me këto video?
Pyetja bëhet edhe më e arsyeshme po të shohësh se çfarë po ndodhte në vend përpara se seksi të pushtonte telefonat e shqiptarëve. Drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit përfi nën masë sigurie dhe u shkarkua nga detyra, ndërsa hetimi i SPAK-ut ngriti pikëpyetje të rënda për marrëdhëniet e saj me Ergys Agasin gjatë kohës kur ky ishte në kërkim.
Çështja mbërriti deri në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Shqipëria, për herë të parë pas shumë kohësh, po përballej me pyetje që preknin drejtpërdrejt institucionin ku ruhen sekretet më të rëndësishme të shtetit.
Në një vend me një opinion publik më pak të dhënë pas spektaklit, kjo histori do të kishte prodhuar javë të tëra debati. Do të kërkoheshin përgjigje për informacionet që mund të kenë dalë nga SHISH-i, për njerëzit që mund t'i kenë marrë, për përgjegjësinë e drejtuesve të institucionit dhe, mbi të gjitha, për përgjegjësinë politike të atyre që i kanë zgjedhur dhe mbajtur në detyrë.
Në Shqipëri ndodhi diçka tjetër. Brenda pak ditësh, vëmendja u largua nga zyrat ku ruhen sekretet e shtetit dhe përfi në dhomat e gjumit të disa njerëzve të njohur.
Policia ka nisur hetimin dhe asaj i takon të zbulojë se nga kanë dalë videot, kush i ka hedhur në qarkullim, nëse pas tyre fshihet shantazhi, hakmarrja, përfitimi financiar apo ndonjë interes tjetër. Mirëpo, për të kuptuar se kujt i shërben një situatë, nuk është gjithmonë e nevojshme të njohësh atë që e ka krijuar. Në politikë autori dhe përfituesi mund të jenë dy njerëz krejt të ndryshëm.
Pikërisht këtu fillon pjesa interesante e kësaj historie.
Edi Rama dhe qeveria e tij janë përfituesit politikë më të dukshëm të kësaj orgjie kolektive kureshtjeje, pavarësisht se kush i ka nxjerrë videot.
Historia politike njeh raste kur seksi është përdorur qëllimisht për këtë punë dhe Rusia e fundviteve '90 ofron një prej shembujve më të njohur. Në mars të vitit 1999, kryeprokurori Yuri Skuratov po hetonte çështje korrupsioni që preknin njerëz pranë majës së pushtetit rus, kur televizioni shtetëror transmetoi një video ku pretendohej se ai shfaqej në marrëdhënie seksuale me dy gra. Skuratov e quajti publikimin provokim dhe e lidhi me përpjekjet për ta larguar nga hetimet që po drejtonte. Brenda pak kohe, Rusia nuk po diskutonte më vetëm për korrupsionin që hetonte prokurori; diskutonte për jetën seksuale të vetë prokurorit.
Ngjashmëria me Shqipërinë nuk duhet kërkuar te autorësia, sepse për këtë nuk kemi prova, por te fuqia që ka skandali seksual për të përpirë çdo bisedë tjetër. Politika e ka njohur prej kohësh këtë dobësi njerëzore. Dokumenti kërkon kohë për t'u lexuar, dosja kërkon mendje për t'u kuptuar, përgjegjësia institucionale kërkon këmbëngulje për t'u ndjekur. Seksi nuk kërkon asgjë prej këtyre. Mjafton një telefon dhe kureshtja bën pjesën tjetër.
Edhe Ballkani e njeh përdorimin e intimitetit si mjet presioni. Në Maqedoni, në çështjen e njohur si “Spiuni”, hetimet përfshinë edhe materiale komprometuese dhe pretendime për filmimin e politikanëve e biznesmenëve në situata intime, të përdorura më pas për shantazh. Teknologjia ka ndryshuar që atëherë, ndërsa mekanizmi njerëzor ka mbetur po ai: jeta private e tjetrit ka një fuqi të jashtëzakonshme për të tërhequr turmën, sidomos në shoqëritë ku skandali seksual vazhdon të peshojë më shumë se skandali politik.
Në Shqipërinë e sotme as nuk është e nevojshme që dikush të ndërtojë me kujdes një operacion diversionist. Mjafton të hedhësh një video në rrjet dhe mekanizmi vihet vetë në punë.
Portalet kërkojnë klikime, televizionet kërkojnë audiencë, rrjetet sociale kërkojnë trafik, ndërsa publiku kërkon videon pasardhëse. Secili merr pjesën e vet dhe, pa u mbledhur askund për të hartuar ndonjë plan, të gjithë së bashku arrijnë një rezultat që çdo pushtet në vështirësi do ta dëshironte: vendi harron për disa ditë problemin e madh dhe merret me skandalet e vogla.
Kjo është arsyeja pse nuk ka shumë rëndësi, të paktën për analizën politike, nëse Edi Rama ka ndonjë lidhje me origjinën e videove. Deri tani nuk kemi asnjë provë për ta thënë këtë, por edhe nuk kemi nevojë ta themi. Mjafton të shohim se çfarë po ndodh. Një kryeministër që duhej të përballej çdo ditë me një krizë të paprecedentë në drejtimin e Shërbimit Informativ, sheh se vendi është marrë peng nga kureshtja për jetën seksuale të disa njerëzve.
Një dhuratë politike nuk bëhet më pak e vlefshme vetëm sepse nuk e ke porositur vetë.
Këtu qëndron edhe ironia më e madhe e kësaj historie. Mund të mos ketë fare një dorë që i lëshon videot sipas një kalendari politik. Mund të kemi përpara një histori të rëndomtë hakmarrjeje, shantazhi ose tregtie pornografike, të cilën etja shqiptare për skandal e ka shumëfishuar deri në marrëzi. Rezultati politik, megjithatë, nuk ndryshon: sa më shumë Shqipëria kërkon të dijë se çfarë ka ndodhur në shtratin e dikujt, aq më pak pyet se çfarë ka ndodhur në zyrat e shtetit.
Pikërisht këtu duhet të kthehet vëmendja.
Shqipërisë nuk i rrezikohet siguria kombëtare nga ajo që dy njerëz të rritur bëjnë në privatësinë e tyre. Siguria kombëtare mund të rrezikohet kur informacioni që ruhet nga shteti përfn në duart e njerëzve që nuk duhet ta kenë. Qeveria nuk rrëzohet moralisht sepse një këngëtare, një aktore apo kushdo tjetër ka një jetë seksuale, qoftë edhe të shthurur. Një qeveri ka problem kur institucionet që duhet të mbrojnë shtetin dyshohen se nuk kanë mbrojtur dot as sekretet e tij.
Prandaj, pasi të shuhet edhe videoja e fundit dhe turma të lodhet duke kërkuar tjetrën, do të mbetet po ajo pyetje që kishim përpara se të fillonte kjo histori: çfarë ka ndodhur në SHISH dhe deri ku shkon përgjegjësia?
Pikërisht këtë pyetje duhet të vazhdojmë të bëjmë sot, ndërsa të tjerët shohin videot./Pamfletirepublika e videove erotike Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial A do t’i mbijetojë Amerika Trumpizmit? 4 Tetor 2026, 13:5313:53Editorial Ron Yeffet dhe “sëmundja” e vjetër e Edi Ramës 3 Tetor 2026, 14:2414:24Editorial Kur teknologjia bie në duart e barbarëve 2 Tetor 2026, 12:4212:42Editorial Grahmat e fundit të malavitës 1 Tetor 2026, 11:1311:13Editorial Shakaxhiu i Integrimit 30 Shtator 2026, 12:2712:27Editorial Vlora dhe ‘strategjia e maces së ngordhur’ 29 Shtator 2026, 12:0512:05Editorial

