Komisioni i Ligjeve Mazhoranca thotë se bashkitë e reja do të kenë më shumë kapacitete dhe se krijimi i 71 qyteteve afron administratën me qytetarët. PD dhe PL e kundërshtojnë projektin, e lidhin hartën me interesat elektorale të PS-së dhe paralajmërojnë se bashkimi i bashkive do të largojë shërbimet nga qytetarët... Komisioni i Ligjeve miratoi në parim ndarjen e re territoriale me votat e socialistëve, anëtarë të këtij komisioni.
Pro ndarjes së re territoriale, që parashikon 46 Bashki, votuan 8 anëtarët socialistë të Komisionit të Ligjeve, ndërsa kundër votuan 5 deputetë të opozitës.
Më herët Grupi Parlamentar socialist vendosi miratimin e ndarjes së re territoriale, e cila pritet të votohet në seancën e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë. Në votimin që u bë në Grupin Parlamentar socialist pro reformës u shprehën 80 deputetë të PS-së, ndërsa Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, votuan kundër. Votë pro ndarjes së re territoriale dha edhe Elisa Spiropali, ish-ministrja e Jashtme, e cila mendohej se pas largimit nga postet qeveritare do të “dilte nga rreshti”.
Nëse të enjten dy deputetët e PS-së, Sinaj dhe Braçe, do të vijojnë të mbajnë qëndrimin kundër reformës, bashkë me votat e socialdemokratëve, Edi Rama mund të sigurojë 83 vota pro reformës, të pamjaftueshme për miratimin e saj. Kjo do të thotë se deri të enjten, Taulant Balla me cilësinë e Kreut të Grupit Parlamentar, duhet të bindë Braçen dhe Sinajn që të ndryshojnë qëndrim, ose në të kundërt socialistët duhet të “peshkojnë” vota në rradhët e opozitës për të miratuar ndarjen e re territoriale.
Prandaj votimi i 8 tetorit nuk do të tregojë vetëm nëse Shqipëria do të kalojë nga 61 në 46 bashki. Ai do të tregojë edhe nëse vota kundër e Braçes dhe Sinajt ishte vetëm një kundërshtim brenda mbledhjes së grupit, apo nëse dy deputetët janë të gatshëm ta çojnë atë qëndrim deri në sallën e Kuvendit. Për të miratuar ndarjen e re territoriale duhen minimalisht 84 vota, të cilat Rama i siguron me mbështetjen e 3 deputetëve të PSD-së, nëse do të ketë në rresht 82 deputetët socialistë. Debatet
Harta e re territoriale ka sjellë një përplasje të fortë mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve, ku socialistët mbrojtën projektligjin si një reformë që rrit kapacitetet e bashkive, ndërsa përfaqësuesit e PD-së dhe PL-së e cilësuan nismën si një projekt në funksion të interesave elektorale të PS-së.
Në qendër të debatit ishte pikërisht pyetja që ka shoqëruar reformën që prej prezantimit të saj: çfarë fitojnë qytetarët nga bashkimi i bashkive dhe çfarë ndodh me shërbimet dhe përfaqësimin e zonave që humbasin statusin aktual?
Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, mbrojti propozimin e socialistëve me argumentin se bashkitë e reja do të kenë më shumë kapacitete për të ushtruar funksionet e tyre.
Mazniku tha se propozimi është ndërtuar mbi evidencat e raportit të Komisionit të Posaçëm dhe mbi kriteret ligjore që duhet të përmbushë një reformë administrativo-territoriale.
Sipas tij, gjatë procesit janë marrë mendimet e banorëve, këshillave bashkiakë dhe kryetarëve të bashkive, ndërsa një pjesë e sugjerimeve të tyre është reflektuar në projekt.
Por argumenti kryesor politik i mazhorancës lidhet me përfaqësimin dhe shërbimet.
Mazniku kundërshtoi pretendimin se harta e re do t'i largojë qytetarët nga administrata. Përkundrazi, ai tha se koncepti i ri i 71 qyteteve do ta afrojë strukturën administrative me qytetarët dhe do të krijojë një mekanizëm për përfaqësimin proporcional në këshillat bashkiakë.
“Bashkitë e reja do të kenë shumë herë më shumë kapacitete për të ushtruar funksionet e tyre. Askush nuk ka pasur mundësinë të tregojë emrin e një shërbimi që u largohet njerëzve. Përkundrazi, përmes krijimit të konceptit të qyteteve, i cili e shton numrin në 71 qytete nga propozimi ynë, e afron në shumë raste strukturën administrative me qytetarët”, deklaroi Mazniku.
Edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, e mbrojti projektligjin nga pikëpamja kushtetuese.
“Ne mendojmë se ky projektligj që ka ardhur sot respekton në frymë dhe në gërmë nenin 13 dhe 108 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe rregulloren e Kuvendit”, tha Manja.
Por opozita e sheh krejt ndryshe hartën.
Përfaqësues të PD-së dhe PL-së e cilësuan projektin si një vendimmarrje që nuk lidhet me interesin e qytetarëve, por me llogaritë elektorale të Partisë Socialiste.
Tedi Blushi përdori gjuhën më të ashpër ndaj mazhorancës, duke kërkuar ndërprerjen e mbledhjes dhe duke e cilësuar vendimmarrjen si një “urdhër kriminal”.
“Çfarë po votoni sot? Përse nuk keni kurajon të dilni nga një urdhër kriminal që do t’u marrë në qafë të gjithëve? Dhe çdo vendimmarrje ka për t’ju përndjekur gjithë jetën. Ndërpriteni këtë mbledhje. Në qoftë se jeni pengje të Edi Ramës, më mirë deklarojeni këtu”, deklaroi Blushi.
Por kundërshtimi më konkret ndaj argumenteve të Maznikut erdhi nga deputeti demokrat Saimir Korreshi, i cili mori si shembull Divjakën.
Sipas Korreshit, një bashki me territor të madh dhe me performancë ekonomike pozitive nuk ka arsye të shkrihet me Lushnjën. Ai kundërshtoi gjithashtu argumentin se bashkimi do të përmirësojë shërbimet.
“Një bashki e madhe si Divjaka ekonomikisht performon mirë, nuk e kuptoj zellin që të bashkohet me Lushnjën, ku dhe pse?”, tha Korreshi.
Pikërisht këtu ndodhet edhe përplasja reale mes dy versioneve të reformës.
Mazhoranca thotë se bashkitë më të mëdha krijojnë më shumë kapacitete financiare dhe administrative. Korreshi pretendon të kundërtën për rastin konkret të Divjakës, duke argumentuar se bashkimi me Lushnjën do ta largojë administratën dhe shërbimet nga qytetarët.
“Në Lushnjë nuk ofrohet shërbim, atij nuk i bie ndërmend për Divjakën, nuk do të ketë më shërbim. Nuk është reformë, u rritën shpenzimet dhe punësimet në vend që të ulen”, deklaroi deputeti demokrat.
Korreshi kërkoi që vendimi për reformën territoriale të kalojë në referendum dhe e lidhi hartën e re edhe me problemin e shpopullimit.
Sipas tij, bashkitë janë kthyer në zona ku mbetet kryesisht popullsia e moshuar, ndërsa të rinjtë largohen dhe nuk kthehen për paga prej 500-600 mijë lekësh të vjetra.
Debati në Komisionin e Ligjeve, në këtë mënyrë, nuk prodhoi vetëm përplasjen e zakonshme politike mes PS-së dhe opozitës. Ai nxori dy pretendime konkrete dhe të kundërta që duhet të provohen mbi hartën e propozuar.
PS, përmes Maznikut, thotë se bashkimi krijon bashki më të forta dhe se sistemi i 71 qyteteve ruan përfaqësimin dhe afron administratën. PD, përmes rastit të Divjakës të ngritur nga Korreshi, thotë se pikërisht bashkimi rrezikon të bëjë të kundërtën, duke larguar vendimmarrjen dhe shërbimet nga banorët.
Këto janë dy argumentet mbi të cilat po kalon në Kuvend harta e re territoriale. Mazhoranca ka paraqitur formulën e saj. Opozita ka kërkuar referendum. Tashmë përplasja nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive, por me atë se kush do të përfaqësojë qytetarët dhe ku do t'i marrin ata shërbimet pas ndryshimit të hartës. /Pamfleti/ ligjet ndarje e re 15 bashki Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Berisha kërkon hetim nga Komisioni i Sigurisë për Ramën dhe Vlora Hysenin 5 Tetor 2026, 15:1015:10Politike Debat 'intelektual' te Komisioni i Ligjeve, deputeti i PD: Më raft pika mua po qe se duhet t’i jap shpjegime Zegjinesë! 5 Tetor 2026, 14:5014:50Politike PD kundër “Territoriales”, deputeti përplaset me socialistët: Ju do e miratoni unë e di, por mos na bëni si të zgjuar 5 Tetor 2026, 14:3314:33Politike Ministri Ervin Demo prezanton ekipin e ri për pushtetin vendor, fokusi te reformat dhe shërbimet ndaj qytetarëve 5 Tetor 2026, 14:1614:16Politike Begaj mesazh magjistratëve të rinj: Pavarësia e drejtësisë, e panegociueshme 5 Tetor 2026, 14:0214:02Politike 'Po i prisni krahët SPAK-ut', Tabaku kundër ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale 5 Tetor 2026, 13:5513:55Politike

