Reali i Madridit rikthehet te fitorja në kampionat dhe lë pas humbjen e javës së kaluar ndaj Betisit. Në Santiago Bernabéu, skuadra e José Mourinhos dhuroi një tjetër paraqitje bindëse, duke mposhtur Rayo Vallecanon me rezultatin 4-1 dhe duke u ngjitur në kuotën e 12 pikëve.
“Los Blancos” e morën menjëherë kontrollin e sfidës dhe praktikisht i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë. Në minutën e 14-të, Reali fitoi një 11-metërsh, me Kylian Mbappén që u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe zhbllokoi takimin.
Vetëm tre minuta më vonë, Alvaro Carreras dyfishoi avantazhin për madrilenët, duke e bërë edhe më të vështirë misionin e Rayo Vallecanos. Në minutën e 35-të, Jude Bellingham vendosi firmën e tij në këtë ndeshje, duke shënuar golin e tretë dhe duke e çuar Realin në dhomat e zhveshjes me një avantazh të pastër 3-0.
Në pjesën e dytë, Rayo Vallecano reagoi dhe arriti të shënonte me Camellon, duke ngushtuar diferencën në 3-1. Megjithatë, tentativa për rikthim nuk zgjati shumë.
Në minutat shtesë, Kylian Mbappé goditi sërish, duke kompletuar dopietën personale dhe vulosur fitoren e Realit të Madridit me rezultatin 4-1.
Me këtë sukses, Reali ngjitet në kuotën e 12 pikëve dhe bashkohet me Barcelonën në krye të klasifikimit, ndërsa katalanasit do të zbresin në fushë këtë pasdite për ndeshjen e tyre.
