Kimi Antonelli ka triumfuar në Çmimin e Madh të Spanjës, duke siguruar një tjetër rezultat të rëndësishëm në Formula 1. Piloti italian i Mercedesit përfitoi nga një moment kyç i garës, kur skuadra e thirri në bokse menjëherë pas aktivizimit të Virtual Safety Car, ndërsa Lando Norris humbi mundësinë për të bërë të njëjtën gjë në kushte të favorshme.
Norris, i cili e nisi garën në krye dhe, ashtu si Antonelli, përdorte gomat medium, sapo kishte kaluar hyrjen e korsisë së bokseve kur u aktivizua Virtual Safety Car pas daljes nga pista të Lance Stroll. Mercedes reagoi menjëherë dhe thirri Antonellin për ndërrimin e gomave, duke i dhënë mundësinë italianit të përfitonte maksimalisht nga situata.
Një xhiro më vonë, fati i Norrisit u përmbys sërish. Virtual Safety Car përfi pak para se piloti i McLaren të kalonte zonën e bokseve, duke e privuar atë nga mundësia për të kryer ndalesën me një kosto më të ulët në kohë.
Antonelli, i cili e nisi garën me goma medium, qëndroi për një kohë të gjatë pas Charles Leclerc. Piloti i Ferrarit kishte nisur me goma hard, por u detyrua të ndalonte në bokse për ndërrimin e gomave tetë xhiro para përfundimit të garës. Në atë moment, Antonelli mori kryesimin dhe nuk e lëshoi më deri në flamurin me kuadrate.
Madje, në komunikimin radiofonik gjatë xhiros së kthimit, Antonelli pranoi se ishte favorizuar nga aktivizimi i Virtual Safety Car, duke e cilësuar këtë si fat për të dhe njëkohësisht si një moment të pafat për rivalin e tij, Norris.
Në podium, së bashku me Antonellin u ngjitën Max Verstappen dhe Lando Norris. Në pjesën e fundit të garës, Norris, me ndihmën e Charles Leclerc, arriti të afrohej me liderin, por Antonelli nuk u vu seriozisht në vështirësi dhe ruajti avantazhin deri në fund.
Leclerc e mbylli garën në vendin e katërt, përpara George Russell. Pas tyre u renditën Liam Lawson, Franco Colapinto, Oscar Piastri, Arvid Lindblad dhe Nico Hülkenberg
Ndërkohë, gara përfi shumë shpejt për Lewis Hamilton. Shtatë herë kampioni i botës u detyrua të braktiste Çmimin e Madh të Spanjës pas vetëm shtatë xhirosh, për shkak të problemeve me frenat.
Hamilton ishte përfshirë në një duel me Max Verstappen, i cili e parakaloi jashtë pistës. Piloti holandez më pas ia riktheu pozicionin britanikut, por vetëm për ta parakaluar sërish menjëherë.
Nga ai moment, Hamilton pati një seri problemesh gjatë frenimeve dhe ra deri në vendin e 14-të, përpara se Mercedes ta thërriste në bokse për të tërhequr makinën SF-26 me numrin 44. Top Channel

