Lajme Zone
Reagon Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndaj rregullores së re të GJKKO-së për mediat: Kërkohet rishikimi i kufizimeve për gazetarët
PolitikëTop Channel

Reagon Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndaj rregullores së re të GJKKO-së për mediat: Kërkohet rishikimi i kufizimeve për gazetarët

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ndaj rregullores së brendshme të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që përcakton rregullat për sigurinë, rendin dhe sjelljen në ambientet e institucionit, duke ngritur shqetësime për kufizimet ndaj aksesit të medias.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ndaj rregullores së brendshme të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që përcakton rregullat për sigurinë, rendin dhe sjelljen në ambientet e institucionit, duke ngritur shqetësime për kufizimet ndaj aksesit të medias. Në një deklaratë zyrtare, UGSH pretendon se disa pika të rregullores dhe komentari shoqërues krijojnë pengesa për raportimin gazetaresk, duke cenuar sipas tyre lirinë e medias dhe të drejtën e informimit publik mbi proceset gjyqësore.

Unioni kërkon rishikimin e dokumenteve, veçanërisht për pjesët që lidhen me akreditimin, numrin e gazetarëve në sallat e gjyqit dhe rregullat për regjistrimet mediatike.

Reagimi

Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut në nenin 6 të saj, garanton se proceset gjyqësore zhvillohen publikisht dhe neni 10 i kësaj Konvente mbron të drejtën për informimin publik mbi funksionimin e drejtësisë.

UGSH vlerëson se këto dy dokumenta ekspozojnë bindjen e hartuesve dhe drejtuesve të këtij institucioni se media përbën një rrezik për procesin gjyqësor dhe për këtë arsye kanë krijuar një kapitull dhe pika specifike penguese e kufizuese për gazetarët, operatorët dhe mjetet profesionale të tyre në sallat e gjykimeve dhe mjediset e institucionit në fjalë.

Nga leximi i plotë i teksteve në fjalë, UGSH vëren se kërkesa për autorizim paraprak, kushtëzon praninë e mediave dhe e trajton aksesin nga një e drejtë në një leje administrative. Sipas kësaj procedure, po për seancat e papritura apo zhvillime të befta, kur media nuk mund të përmbushë afatin e përcaktuar në këtë rregullore, a nuk kemi precedentin e kufizimit pengues?!

Pika ku përcaktohet kufizimi i gazetarëve, ku mungojnë kriteret përzgjedhëse, cënon parimin e së drejtës së pranisë së seicilës media dhe pluralizmit informues. Mungesa e këtyre kritereve në Rregullore dhe Komentar, i jep atribut administratës ose strukturave të sigurisë së institucionit të selektojnë praninë e gazetarëve dhe mediave, legjitimohet diskrecioni i administratës për të lejuar dhe refuzuar hyrjen.

Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut në nenin 10 përcakton se kufizimet duhet të jenë të parashikueshme dhe të bazuara në kritere të qarta. Pika tjetër e rregullores ku përcaktohet kufizimi i fotografimit dhe regjistrimit, mbart riskun e ndalimeve absolute. Ky komentar, sipas pikëpamjes sonë, është burim kufizimesh shtesë. Njëkohësisht sipas nesh, koncepti i prezumimit të medias si rrezik për rendin, bie ndesh me parimin e publikimit të gjykimit. Në këto dy dokumenta nuk ekziston mekanizmi i ankimit, nëse një gazetar apo media refuzohet, nuk ekziston një procedurë për të kundërshtuar vendimin.

Pika tjetër ku përcaktohen kriteret e akreditimit, paraqet probleme serioze për redaksitë dhe vetë reporterët e profilit që ndjekin proceset në këtë institucion. Realizimi i këtij procesi akreditimi nga Gjykata një herë në vit, është absurd dhe skualifikon nga kjo e drejtë jo vetëm shumë reporterë, por mund të ndodhë të pengojë edhe media që e kanë siguruar këtë akreditim, nëse reporteri, për një arsye apo tjetër, largohet për një periudhë nga puna dhe aktiviteti. Procedura e fiksuar akredituese nuk parashikon zëvendësime dhe akreditime pasuese.

UGSH sjell në vëmendje të hartuesve të këtyre dy dokumentave dhe titullarëve të këtij institucioni, se vendime dhe procese pararendëse në institucione të larta eruopiane të drejtësisë, kanë vlefshmëri reference për të mos rënë në shkelje dhe cënime të ligjit themelor dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Unioni i Gazetarëve Shiptarë, nisur nga parimi se media është rojtare publike e demokracisë, vëren se në këto dy dokumenta bazike për marrëdhënien e institucionit të GJKKO me mediat dhe gazetarët, përcaktohen orientime konkrete se si të administrohet media, kufizohet rëndë aksesi i saj, sidomos prej akreditimit të kufizuar, etj.

UGSH apelon pranë këtij institucioni për rishqyrtimin e këtyre dy dokumentave në kapitujt për marrëdhëniet me mediat. Ne kërkojmë një ndërhyrje redaktuese të menjëhershme.

Ndërkohë i drejtohemi Zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë si donatore dhe mbështetëse kryesore e Reformës në Drejtësi, Ambasadës Amerikanë në Tiranë, Zyrës së Përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë dhe institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë liritë themelore në vendin tonë, të ushtrojnë ndikimin e tyre të menjëhershëm, për të mos lejuar që rregullore dhe komentarë të tillë, të shndërrohen në modele të censurës dhe shkeljes së lirisë themelore brenda një gjykate të posaçme sikundër është GJKKO. Top Channel