Lajme Zone
Rasti “Hyseni”, DW ngre pikëpyetje: A po lufton Shqipëria shkaqet e korrupsionit apo vetëm pasojat?
PolitikëPolitiko
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Rasti “Hyseni”, DW ngre pikëpyetje: A po lufton Shqipëria shkaqet e korrupsionit apo vetëm pasojat?

Më 22 shtator, kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) të Shqipërisë, Vlora Hyseni, ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku po merrte pjesë në një konferencë ndërkombëtare të drejtuesve të shërbimeve inteligjente. Në Tiranë, ndërkohë, Gjykata e Posaçme kishte urdhëruar masën e arrestit në shtëpi ndaj saj, nën dyshimin për dy vepra penale: përkrahjen e autorit të një krimi dhe zbulimin e sekret

Më 22 shtator, kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) të Shqipërisë, Vlora Hyseni, ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku po merrte pjesë në një konferencë ndërkombëtare të drejtuesve të shërbimeve inteligjente. Në Tiranë, ndërkohë, Gjykata e Posaçme kishte urdhëruar masën e arrestit në shtëpi ndaj saj, nën dyshimin për dy vepra penale: përkrahjen e autorit të një krimi dhe zbulimin e sekretit hetimor.

Hetimi ndaj Hysenit u shfaq në kuadër të një çështjeje më të gjerë korrupsioni që lidhet me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), agjencia përgjegjëse për një pjesë të madhe të infrastrukturës digjitale publike të Shqipërisë.

Prokurorët dyshojnë se ajo ka përdorur informacionin që kishte në dispozicion si drejtuese e shërbimit inteligjent për të ndihmuar një person të shpallur në kërkim në kuadër të këtij hetimi.

Hyseni iu dorëzua autoriteteve shqiptare më vonë gjatë asaj dite dhe vijon të qëndrojë në arrest shtëpie, ndërsa hetimi vazhdon. Ajo është shkarkuar më pas nga detyra e kreut të shërbimit inteligjent.

Rritje e procedimeve penale dhe hetimeve

Çështja e Hysenit është e fundit në një seri procedimesh penale që kanë prekur nivele jashtëzakonisht të larta të elitës politike dhe shtetërore në Shqipëri.

Një ish-president ka kaluar pothuajse dy vjet në paraburgim, një ish-kryeministër është në gjyq, kryetari i Bashkisë së Tiranës ndodhet në burg që prej fillimit të vitit 2025, dy ish-zëvendëskryeministra nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama janë përballur gjithashtu me procedime penale, ndërsa janë nisur hetime ndaj zyrtarëve të lartë të agjencive që kontrollojnë një pjesë të madhe të shpenzimeve publike dhe infrastrukturës shtetërore.

Të gjitha këto janë çështje të veçanta, por në qendër të tyre qëndrojnë akuza për keqpërdorim të pushtetit publik.

Si arriti Shqipëria deri këtu?

Për vite me radhë, problemi ishte krejt i kundërt: korrupsioni në nivelet e larta në Shqipëri lidhej gjerësisht me pandëshkueshmërinë.

Pikërisht për këtë arsye, dërgimi para drejtësisë i figurave të larta politike të akuzuara për shkelje u bë një nga pritshmëritë kryesore të reformës në drejtësi, të nisur në vitin 2016.

“Pritshmëria ishte që institucionet e reja të drejtësisë të fokusoheshin te korrupsioni në nivele të larta dhe çështjet e ‘VIP-ave’”, thotë Afrim Krasniqi, politolog dhe drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë. “Kishte individë që qëndronin mbi ligjin dhe pandëshkueshmëria ishte e theksuar”, tha ai për DW.

Reforma ndryshoi në mënyrë thelbësore sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe krijoi institucione të reja për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Por ndryshimi nuk ishte i menjëhershëm. Ndërtimi i institucioneve të reja kërkoi vite, ndërsa çështjet e vjetra ishin shpesh më të vështira për t’u hetuar.

Për Dorian Matlijën, avokat dhe drejtor ekzekutiv i organizatës shqiptare të shoqërisë civile Res Publica, numri i zyrtarëve të lartë që përballen sot me procedime penale nuk do të thotë domosdoshmërisht se korrupsioni është më i përhapur sot se në të kaluarën.

“Ajo që ka ndryshuar ndjeshëm është reagimi institucional”, tha Matlija për DW. “Sot, SPAK-u është një strukturë e specializuar me më shumë pavarësi, kapacitete më të forta dhe mbështetje ndërkombëtare, si dhe me vullnetin për të ndërmarrë hetime që kanë thyer mitin e paprekshmërisë së zyrtarëve të lartë.”

Ana tjetër e llogaridhënies

Por dërgimi i zyrtarëve të lartë para drejtësisë është vetëm një mënyrë për të vlerësuar nëse institucionet po funksionojnë.

Në momentin që një çështje korrupsioni mbërrin te prokurorët, abuzimi i dyshuar tashmë ka ndodhur. Për Matlijën, pikërisht këtu progresi i Shqipërisë është shumë më pak i qartë.

“Po bëhemi më efektivë në ndëshkimin e korrupsionit pasi ai ka ndodhur, por shumë më pak të aftë në parandalimin e tij”, tha ai.

Matlija i referohet institucioneve dhe mekanizmave që duhet të veprojnë përpara se një çështje të shndërrohet në një procedim penal: kontrollet administrative, auditimet, rregullat për konfliktin e interesit dhe deklarimet e pasurisë. Sipas vlerësimit të tij, këto mekanizma shpesh kanë rezultuar joefektivë.

Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025 arrin në një përfundim të ngjashëm. Raporti thotë se SPAK-u ka bërë “përparim të prekshëm drejt krijimit të një historiku të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit”. Në të njëjtën kohë, raporti thekson se korrupsioni mbetet i përhapur dhe se “kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit vazhdoi të ketë ndikim të kufizuar”.

Ndikimi te qytetarët

Problemi është i dukshëm edhe në kontaktet e qytetarëve me zyrtarët publikë.

Në një sondazh të vitit 2023 nga koalicioni për luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë SELDI (Southeast Europe Leadership for Development and Integrity), 52% e të anketuarve në Shqipëri thanë se kishin përjetuar presion për korrupsion nga zyrtarë publikë, ndërsa 40% raportuan se kishin paguar ryshfet.

Krasniqi e sheh problemin në terma më të gjerë politikë. Shqipëria drejtohet nga Partia Socialiste e Ramës që prej vitit 2013 dhe aktualisht partia ka një shumicë të plotë në parlament. Ai argumenton se kjo mbizotërim i zgjatur politik ka dobësuar kontrollet dhe balancat që duhet të kufizojnë pushtetin ekzekutiv.

“Ne kemi një sistem të deformuar”, tha ai. “Kreu i ekzekutivit kontrollon ekzekutivin, parlamentin dhe institucionet.”

Ai argumenton se ky përqendrim i pushtetit është shoqëruar me rrjete informale ndikimi, ku persona jashtë institucioneve shtetërore janë në gjendje të ndikojnë në vendimmarrjen politike, legjislacion dhe përdorimin e aseteve publike.

Rama ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se përgjegjësia penale është individuale kur hetimet prekin zyrtarë të lartë. Duke iu përgjigjur çështjes së Hysenit, ai përsëriti të njëjtin qëndrim.

“Kur një zyrtar i lartë është përballur me drejtësinë, çështja e ish-kreut të shërbimit inteligjent është një çështje individuale mes saj dhe sistemit të drejtësisë”, tha Rama.

Çfarë do të thotë kjo për shpresat e Shqipërisë për anëtarësimin në BE?

Në maj, Bashkimi Evropian konfirmoi se Shqipëria kishte përmbushur kriteret e ndërmjetme për grupimin “Themeloret” (Fundamentals), i cili përfshin sundimin e ligjit, dhe kaloi në një fazë të fokusuar te zbatimi dhe rezultatet e qëndrueshme.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International tregon se Shqipëria është përmirësuar nga 33 pikë në vitin 2012 në 39 pikë në vitin 2025, por ende renditet poshtë të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Për Matlijën, përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE ndihmuan në krijimin e kushteve që institucionet si SPAK-u të bëheshin më të forta dhe më të pavarura.

“BE-ja nuk kërkon më vetëm miratimin e ligjeve dhe reformave, por edhe rezultate konkrete dhe të qëndrueshme. Kjo krijon presion të vazhdueshëm që institucionet e drejtësisë të jenë vërtet efektive dhe të pavarura nga pushteti politik”, tha ai.

Për Krasniqin, këtu qëndron edhe kuptimi i integrimit evropian. Anëtarësimi, argumenton ai, nuk duhet të gjykohet vetëm në bazë të përparimit të Shqipërisë në procesin formal të anëtarësimit, por edhe nëse vetë vendi ndryshon.

“Thelbi duhet të jetë që Shqipëria, shoqëria shqiptare dhe institucionet shqiptare të ndryshojnë dhe të përmirësohen, në mënyrë që të bëhemi të denjë për integrimin”, tha ai. Sipas tij, ky ndryshim duhet të ndihet edhe nga qytetarët përmes sigurisë më të madhe sociale, mirëqenies dhe pavarësisë, dhe jo të jetë thjesht një seri arritjesh formale./ DW Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm