Propozimi i mazhorancës për reformën administrativo-territoriale ka sjellë reagime të forta në Klos, ku administrata vendore dhe qytetarë kanë dalë në protestë kundër planit për bashkimin e bashkisë me Matin. Punonjësit e Bashkisë Klos kanë bojkotuar punën, duke kundërshtuar përfshirjen e qytetit në procesin e riorganizimit territorial. Qytetarët shprehen kategorikisht kundër bashkimit, duke argumentuar se një vendim i tillë do të dëmtojë shërbimet dhe zhvillimin e zonës. “Jemi kundër bashkimit. Kam punuar që në vitin 1992 këtu dhe jam shumë e kënaqur me arritjet e Bashkisë Klos. I bëj thirrje deputetit të ngrejë zërin në Kuvend, sepse votat nga ky popull i mori”, u shpreh një qytetare.
Një tjetër protestues deklaroi: “Në mënyrë kategorike jemi kundër bashkimit. Edhe pse vendimi ende nuk ka marrë fuqi ligjore, qëndrimi ynë është i qartë. Bashkia Klos duhet të vijojë të jetë bashki më vete. Punonjësit që sot kemi bojkotuar punën do të vazhdojmë të kundërshtojmë shkrirjen”. Banorët argumentojnë se largimi i qendrës administrative do të krijojë vështirësi për qytetarët dhe do të ndikojë negativisht në ofrimin e shërbimeve publike.
“Ky është një humbje e madhe për qytetin. Protestat do të vijojnë, sot pasdite në Klos dhe pse jo edhe në Tiranë”, u shprehën protestuesit.
Një prej qytetarëve përdori tone të ashpra ndaj qeverisë, duke deklaruar: “Rama na e preu biletën e varrimit pas 8 muajsh. Rama po na shkel me këmbë. Nëse nuk ndryshojnë mendjen, me aq lekë sa kushton rruga për në Burrel, shkojmë në Tiranë, bashkohemi me flamingot dhe protestojmë atje”. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
