Një grup taksistësh në zonën e Lagjes 13, Plazh, pranë Rrotës së Kuqe në Durrës, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një shqetësim lidhur me konkurrencën që, sipas tyre, po u bëhet nga persona që ushtrojnë transportin e pasagjerëve pa licencë.
Taksistët, të cilët shprehen se janë rreth 11 persona që ushtrojnë rregullisht këtë profesion në zonë, pretendojnë se prej kohësh përballen me persona të tjerë që qëndrojnë pranë taksive të tyre dhe u marrin pasagjerët.
Sipas denoncimit, këta persona nuk janë të vetmit dhe dyshohet se e ushtrojnë aktivitetin pa licencë dhe në të zezë, duke u afruar pranë pikave ku qëndrojnë taksitë dhe duke u ofruar shërbim klientëve.
Taksistët kanë dërguar edhe pamje video të njërit prej personave, duke e marrë atë si shembull të një fenomeni që, sipas tyre, është më i gjerë.
“Nuk është i vetmi ky, por këtë po e marrim si shembull. Vijnë pranë taksive tona, ngjitur me ne, dhe na marrin pasagjerët”, shprehen denoncuesit.
Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën dhe të marrin masa ndaj kujtdo që ushtron transport pasagjerësh në mënyrë të paligjshme, duke theksuar se ata që punojnë me licencë dhe respektojnë detyrimet e profesionit po përballen me një konkurrencë që e konsiderojnë të padrejtë.

