Tensionet janë përshkallëzuar këtë pasdite para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit kanë ndaluar fizikisht deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, teksa po tentonte të largohej nga godina.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, protestuesit e kanë kapur deputetin dhe e kanë ngritur në ajër, duke tentuar më pas ta rikthejnë me forcë brenda rrethimit të vendosur nga Policia e Kosovës.
Rexhepi po dilte nga ambientet e Kuvendit kur protestuesit i kanë bllokuar rrugën, duke mos e lejuar të largohej nga perimetri i protestës.
Protesta zhvillohet para Kuvendit të Kosovës, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë që deputetët të mos largohen nga godina pa u votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protesta vjen pas vendimit për dënimin me 81 vite burg në total të katër ish-liderëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

