Gazetari Besir Çollaku ka komentuar vijimin e protestës kundër qeverisë, e cila sot shënon ditën e 94-t, duke deklaruar se qëndrueshmëria e saj ka tejkaluar çdo pritshmëri. I ftuar për të folur mbi mundësinë e vijimit të mosbindjes civile gjatë muajit shtator, Çollaku tha se rezistenca duhet të forcohet edhe më tej, ndërsa sipas tij masiviteti i protestës do të rikthehet pas muajve të verës. “Protesta ka kaluar çdo pritshmëri. Është për t’u mbështetur rezistenca e kësaj natyre. Ajo që është artikuluar ka të bëjë me ndryshimin e një lloj reagimi dhe qëndrimi të tyre. 94 ditë sot, nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur më. Kundër një regjimi rezistenca duhet të jetë edhe më e fortë. Masiviteti është aty. Me gjithë antiprotestën e regjimit dhe joshjes së bërë, në shtator masiviteti do të kthehet aty ku ishte”, u shpreh ai. Çollaku theksoi se protestuesit nuk janë mbledhur për bindje politike, por sipas tij, për një qëllim të përbashkët. “Shqiptarët duhet të bëhen bashkë. Nuk janë mbledhur për bindje, por për një qëllim”, tha gazetari, duke iu referuar edhe pjesëmarrjes masive në protestat e zhvilluara gjatë këtyre 94 ditëve.
Sipas tij, në protestat në bulevard kanë marrë pjesë rreth 150 mijë qytetarë, një shifër që, sipas Çollakut, nuk është parë që prej viteve ’90. Duke komentuar ndikimin e protestës te qeveria dhe kryeministri Edi Rama, Çollaku deklaroi se 94 ditët e protestës kanë ndikuar në dobësimin politik të tij.
“Rama pas protestës është më i dobët. 94 ditë kanë shërbyer në dobësimin e Ramës dhe e kanë vënë pas muri, në një rrugëtim të pakthyeshëm. Rama vetëm shkrmoqet dhe dobësohet përballë protestës”, u shpreh ai.
Gazetari kritikoi gjithashtu përpjekjet e qeverisë për ta konsumuar protestën përmes asaj që e cilësoi si “folklor politik”, duke pretenduar se këto përpjekje nuk kanë më të njëjtin efekt.
“Përpiqet që ta konsumojë dhe ‘pasqyrat’ e mbetur në oborr, racionalitete folklorike që përpiqet t’i arnojë, por nuk gënjejnë më askënd, as socialistët”, tha Çollaku.
Ai përmendi edhe patronazhistët, duke pretenduar se ka një prani të tyre në shesh dhe se protestuesit monitorohen deri në nivele familjare.
“Ka një ushtri patronazhistësh në shesh që gjurmojnë protestuesit deri në brezninë e shtatë, por as kjo nuk e pakëson protestën”, deklaroi ai.
Çollaku tha se protesta nuk duhet parë si një përballje mes së djathtës dhe së majtës, por si një bashkim qytetar.
“Aty nuk ka të djathtë e të majtë. Ka vetëm shqiptarë”, u shpreh ai.
Sipas gazetarit, largimi i Edi Ramës nga qeveria do të krijonte kushtet për një ndryshim politik përmes zgjedhjeve.
“Largimi i Ramës çliron kutinë e votimit. Ndryshe nuk ka asnjë ndryshim. Largojmë Ramën që të çlirojmë votën. Atëherë Shqipëria do të hyjë në një rrjedhë ndryshimi”, deklaroi Çollaku.
Në fund, ai vuri në dukje edhe rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj protestës, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë mediatik, duke pretenduar se ndërkohë vëmendja ndaj qeverisë është pakësuar. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
