Gjithnjë e më shumë kanadezë po zgjedhin të mos udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara, në një bojkot që lidhet me politikat e Presidentit Donald Trump ndaj Kanadasë, tarifat amerikane dhe deklaratat e tij për aneksimin e vendit fqinj. Në vend të SHBA-së, shumë prej tyre po zgjedhin të udhëtojnë brenda Kanadasë ose në destinacione të tjera ndërkombëtare. Një prej tyre është Kent Truscott, nga Londra, Ontario, i cili së bashku me familjen e tij ka vendosur që nga fundi i vitit 2024 të bojkotojë udhëtimet në SHBA. Familja kishte planifikuar një udhëtim në Teksas për të parë një lançim të SpaceX, por vendosi ta anulonte dhe paratë t’i shpenzonte në vendin e tyre.
Në vend të Teksasit, Truscott dhe bashkëshortja e tij udhëtuan drejt provincave atlantike të Nova Scotia-s dhe Prince Edward Island. Ata morën me qira një automjet, eksploruan shtegun Cabot dhe qëndruan në një resort në bregdetin e Atlantikut.
“Ka pasur një ndërprerje thelbësore”, tha Truscott, duke iu referuar marrëdhënieve mes dy vendeve dhe politikave të administratës Trump. Ai përmendi ndër të tjera politikat e emigracionit, retorikën ndaj Kanadasë dhe tarifat amerikane. Të dhënat e udhëtimeve tregojnë se ky qëndrim nuk është vetëm individual. Edhe pse pati një rritje të lehtë të udhëtimeve me automjete drejt SHBA-së në muajin prill, kanadezët kryen rreth 800 mijë udhëtime më pak në SHBA atë muaj krahasuar me prillin e vitit 2024.
Rënia e udhëtimeve ka prekur edhe industrinë amerikane të turizmit. Sipas të dhënave të cituara në raport, bojkoti i kanadezëve i ka kushtuar SHBA-së rreth 3.3 miliardë dollarë kanadezë në të ardhura nga udhëtimet gjatë vitit të kaluar.
Përballë kësaj rënieje, disa qytete dhe shtete amerikane kanë nisur fushata për të tërhequr sërish turistët kanadezë. Në korrik, bordi i turizmit i qytetit të Nju Jorkut njoftoi oferta me zbritje prej 30% për turistët kanadezë, përfshirë bileta për shfaqje në Broadway dhe dhoma hoteli.
Megjithatë, politika nuk është arsyeja e vetme. Disa kanadezë thonë se dobësimi i dollarit kanadez e ka bërë udhëtimin në SHBA më të shtrenjtë dhe më pak tërheqës.
Për shumë të tjerë, megjithatë, çështja është më e thellë. Ata thonë se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një periudhë krize dhe se rikthimi i turistëve kanadezë në SHBA nuk do të ndodhë menjëherë, edhe nëse ndryshon administrata amerikane. Top Channel

