Brenda kutisë një televizori të vjetër, të mbuluara me çarçafë të pluhurosur dhe të mbyllura në një depo të errët të një apartamenti në periferi të Parmës. Kështu u gjetën tri pikturat e Cézanne, Renoir dhe Matisse, me vlerë 9 milionë euro, të vjedhura në mars nga koleksioni i Fondacionit Magnani Roça në Traversetolo. Ato ishin fshehur në shtëpinë e një prej të dyshuarve, pjesë e një bande të përbërë nga burra dhe gra moldavë, e cila mbolli panik në Parma dhe rrethinat e saj nga fundi i marsit deri në fillim të gushtit. Vjedhja e veprave të çmuara të artit, në fakt, ishte vetëm e para në një varg veprash penale që u atribuohen nëntë personave nën hetim, pesë prej të cilëve (të moshës 31 deri në 45 vjeç, banorë të Parmës) janë arrestuar. Bëhet fjalë për grabitje të arkave të vetëshërbimit në pikat e karburantit, vjedhje të mjeteve të rënda nga depot e kompanive, bastisje në supermarkete duke thyer vitrinat me furgon të vjedhur, si dhe për makineritë e lojërave në kazino të zonës. Gjithashtu janë vjedhur makineri, mjete dhe pajisje nga kantieret e ndërtimit. 14 episode me sende të vjedhura me vlerë dhjetëra mijëra euro, çuan në 15 kontrolle të urdhëruara nga Prokuroria. gjithçka nisi me vjedhjen e tre kryeveprave të Fondacionit Magnani Rocca në Traversetolo, natën midis 22 dhe 23 marsit. LEXO edhe...Me 7 pseudonime dhe prej 4 vitesh në arrati, ekstradohet në Itali 42-vjeçari shqiptar! Do të vuajë 5 vite e 9 muaj burg për vjedhje Në një video të kamerave të sigurisë shihen dy persona me fytyra të mbuluara që hyjnë duke thyer një dritare dhe, ndërsa alarmi bie, drejtohen drejt sallës ku ndodheshin veprat e mjeshtërve francezë. Ata shkëputin nga muret tre piktura dhe më pas ia dorëzojnë një bashkëpunëtori që i priste jashtë. Një pikturë e katërt, një tjetër vepër e Renoir, u la pas nga keqbërësit, të cilët u larguan para mbërritjes së forcave të rendit. Në atë kohë u mendua se bëhej fjalë për një vjedhje të porositur, por hetimet dhe fakti që, pesë muaj më vonë, pikturat u gjetën të fshehura në një depo të një apartamenti në Cortile San Martino, në periferinë veriore të Parmës, ku besohet se kishin qëndruar gjatë gjithë kësaj kohe, nxorën në dritë një histori tjetër. Kjo bëri të mundur zbulimin e autorëve të të gjithë serisë së aktiviteteve kriminale që tronditën Parmën gjatë verës. Operacioni u krye nga 100 efektivë, mes tyre karabinierë të Parmës, Njësia për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe RIS, nën koordinimin e Prokurorisë. Hetimi nisi me analizën e kazmës dhe të numrit serial të fikësit të zjarrit të përdorur për të hyrë me forcë në vilën Magnani, dhe vijoi me vëzhgime, përgjime ambientale dhe përgjime të komunikimeve elektronike. U rindërtuan vizita të përsëritura në faqet e internetit që lidhen me veprat e vjedhura nga njëri prej të dyshuarve, pikërisht në ditën e vjedhjes. Hajdutët me sa duket e patën të pamundur t'i shisnin ato, pasi çdo vepër arti e vjedhur regjistrohet në regjistrin e veprave të grabitura. Pikturat e gjetura janë “Tasse et Plat de cerises”, vizatim me laps dhe akuarel i Paul Cézanne (me vlerë të vlerësuar 6 milionë euro), “Les Poissons”, vaj në pëlhurë i Pierre-Auguste Renoir, me vlerë 3 milionë euro, dhe “Odalisque sur la terrasse”, akuarel i Henri Matisse, me vlerë 20 mijë euro. Hetuesit më pas i lidhën të njëjtët persona edhe me grabitjet e mëvonshme ndaj kompanive, banesave dhe bizneseve. Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Për pesë prej tyre (Constantin, Mihail dhe Andrei Ciobanu, Sergiu Matenco dhe Ion Rotari) u vendos ndalimi. Pas shqyrtimit të procesverbaleve, Prokuroria do të vendosë nëse do t'i kërkojë gjyqtarit hetues të konfirmojë masën. Po shqyrtohet gjithashtu mundësia e ekzistencës së një rrjeti bashkëpunëtorësh me origjinë të njëjtë, të cilët mund t'i kenë ndihmuar të dyshuarit për të fshehur sendet e vjedhura. Qeveria shprehu vlerësimin e saj për operacionin, përmes ministrit të Kulturës Alessandro Giuli: “Një operacion i rëndësishëm që na bën krenarë dhe i rikthen komunitetit një pasuri të jashtëzakonshme.” Një lehtësim i madh ishte edhe për drejtorin shkencor të Fondacionit, Stefano Roffi, i cili identifikoi pikturat. “Një ditë e lumtur; këtu ndodhet bërthama italiane e veprave impresioniste. Vjedhja ishte një plagë e rëndë.”/La Repubblica P.J/E.H/ReportTv.al Paul Cézanne Pierre-Auguste Renoir Henri Matisse pikture Parma itali Komento Komente Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve? Po 40.1% Jo 53% I/e dyzuar 6.9% Vota total: 5583 Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?
