Lajme Zone
Policia heton thirrje online për akte terroriste, por nuk jep prova për ndërhyrje nga jashtë
PolitikëPolitiko
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Policia heton thirrje online për akte terroriste, por nuk jep prova për ndërhyrje nga jashtë

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu, deklaroi të premten, më 16 tetor, se autoritetet kanë identifikuar kanale dhe grupe komunikimi në platformat online, përmes të cilave dyshohet se janë bërë thirrje për akte të dhunshme dhe terroriste, si dhe kërcënime ndaj jetës së punonjësve të policisë. Deklarata vjen në ditën e katërt të protestave studentore dh

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu, deklaroi të premten, më 16 tetor, se autoritetet kanë identifikuar kanale dhe grupe komunikimi në platformat online, përmes të cilave dyshohet se janë bërë thirrje për akte të dhunshme dhe terroriste, si dhe kërcënime ndaj jetës së punonjësve të policisë. Deklarata vjen në ditën e katërt të protestave studentore dhe qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat janë përhapur në disa qytete të vendit dhe janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, sulme ndaj institucioneve publike dhe dëmtime të pronës private.

“Është regjistruar menjëherë procedimi penal përkatës për veprat e lidhura me këto veprime kriminale tejet të rrezikshme dhe po bashkëpunojmë ngushtësisht me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste”, deklaroi Ziu gjatë një konference për shtyp.

Ai pretendoi se llogari anonime në rrjetet sociale po përdoren nga individë apo grupe me prirje ekstremiste dhe të dhunshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të nxitur trazira.

Sipas Ziut, policia po kryen hetime të detajuara për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të përcaktuar qëllimet e tyre, të cilat ai i cilësoi si destabilizuese dhe të rrezikshme për vendin.

Megjithatë, i pyetur nga gazetarët, Ziu nuk dha detaje mbi grupet e dyshuara, identitetin e administratorëve të tyre apo prova konkrete që do të mbështesnin pretendimet për përfshirjen e aktorëve të huaj në nxitjen e dhunës gjatë protestave.

Deklaratat e tij pasojnë një seri akuzash të ngjashme nga drejtues të policisë dhe përfaqësues të qeverisë, të cilët kanë lidhur përshkallëzimin e protestave me veprimtarinë e grupeve të organizuara brenda dhe jashtë vendit.

Një ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pretendoi se persona të maskuar, të cilët sipas tij po nxisin dhunën gjatë protestave studentore, janë rekrutuar për t’u shërbyer interesave të organizatorëve të vërtetë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Edhe kryeministri Edi Rama akuzoi të premten opozitën dhe aktorë të huaj për nxitjen e trazirave, duke këmbëngulur se aktet e dhunës nuk përfaqësojnë kërkesat e studentëve. Duke folur pranë një biznesi të shkatërruar gjatë protestave, Rama premtoi mbështetje për sipërmarrjet e dëmtuara.

Pretendimet për ndërhyrje të huaja janë bërë pjesë e qëndrimit publik të qeverisë ndaj protestave, por deri tani autoritetet nuk kanë paraqitur prova të verifikueshme publikisht për të mbështetur këto akuza.

152 të arrestuar dhe 120 policë të lënduar

Në konferencën për shtyp, Ziu paraqiti edhe bilancin e operacioneve policore gjatë protestave, duke njoftuar arrestimin e 152 personave dhe procedimin penal në gjendje të lirë të 324 të tjerëve.

Sipas tij, arrestimet dhe procedimet lidhen me dyshime për dhunë ndaj punonjësve të policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe dëmtime të bankomateve, kamerave të sigurisë, automjeteve dhe rrethimeve metalike.

Numri më i madh i arrestimeve është regjistruar në Tiranë, ku sipas policisë janë vënë në pranga 127 persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 të tjerë.

Në Durrës janë arrestuar 23 persona dhe janë proceduar 12 të tjerë, ndërsa në Korçë janë ndaluar dy persona dhe po hetohen në gjendje të lirë 23 të tjerë.

Policia raportoi gjithashtu procedimin penal në gjendje të lirë të 20 personave në Vlorë, nëntë në Shkodër, gjashtë në Elbasan dhe dhjetë në Kukës.

Ziu deklaroi se gjatë përplasjeve janë lënduar 120 punonjës të policisë, pa dhënë një bilanc të ngjashëm për protestuesit e lënduar.

I pyetur për rastet e raportuara të dhunës policore ndaj protestuesve paqësorë apo personave që ndodheshin tashmë nën kontrollin e forcave të rendit, ai tha se shkeljet e protokolleve janë verifikuar dhe se janë marrë masa ndaj punonjësve përgjegjës, por nuk dha të dhëna konkrete për numrin e rasteve apo masat e ndërmarra.

Drejtuesi i policisë hodhi poshtë gjithashtu pretendimet për trajtim të diferencuar në mbrojtjen e pronës publike dhe private, ndonëse gjatë protestave forcat e rendit janë kritikuar për mosndërhyrje për të parandaluar shkatërrimin e disa institucioneve dhe bizneseve, ndërsa kanë mbajtur nën kontroll perimetrin e Kryeministrisë dhe selisë së Partisë Socialiste.

Ziu u bëri thirrje pjesëmarrësve në protesta të distancohen nga personat e maskuar dhe nga aktet e dhunës, ndërsa u kërkoi prindërve të tregojnë kujdes për të miturit që marrin pjesë në tubime.

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”, tha ai.

“Çdo efektiv që sulmoni është aty për të bërë detyrën që i është caktuar, është i betuar për komb dhe flamur dhe bashkëjeton çdo ditë në të njëjtin terren me ju”, shtoi Ziu.

Pikëpyetje mbi reagimin e policisë

Vala e protestave që ka përfshirë Shqipërinë që prej së martës pason më shumë se katër muaj tubimesh kryesisht paqësore kundër qeverisë, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, të cilat nisën në fund të majit nga kundërshtimi i projekteve turistike në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

Përshkallëzimi i protestave studentore dhe qytetare është shoqëruar me përplasje të dhunshme, përdorim të gjerë të gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga policia, si dhe sulme, zjarrvënie dhe plaçkitje ndaj institucioneve publike dhe bizneseve private.

Reagimi i forcave të rendit ka ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e Policisë së Shtetit për të menaxhuar protestat, pas incidenteve të raportuara të përdorimit joproporcional të forcës ndaj protestuesve dhe tërheqjes së efektivëve nga zona ku janë sulmuar dhe shkatërruar prona publike e private.

Ndërsa autoritetet kanë vënë theksin te dyshimet për organizim të dhunshëm dhe ndërhyrje nga jashtë, përhapja e protestave në qytete të ndryshme dhe pjesëmarrja e nxënësve e studentëve kanë nxjerrë në pah edhe përmasat e pakënaqësisë ndaj qeverisë dhe kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit Rama./BIRN Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm