Qëndresa qytetare përballë godinës së kryeministrisë në ditën e saj të 93-të ka tërhequr edhe vëmendjen e vizitorëve të huaj. Një turist gjerman i pranishëm në Tiranë ka marrë fjalën për të shprehur mbështetjen e tij të plotë për protestën që zhvillohet kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij. Gjatë fjalës së tij, turisti tregoi se për zhvillimet politike dhe protestën në kryeqytetin shqiptar kishte dëgjuar gjatë udhëtimit të tij në rajon, ku ishte takuar me një tjetër vizitor në Budva të Malit të Zi. Ai e vlerësoi qëndresën popullore si një tregues të fortë të pjekurisë demokratike. “Kam takuar një turist në Budvë dhe atje mësova më shumë për protestën në Tiranë. Jam mbështetës i kësaj proteste, sepse kjo është një vlerë e shtuar për demokracinë, për vendin tuaj. Dhe të gjitha frytet e kësaj që po bëni tani do t’i shihni në vitet e ardhshme, në 10-vjeçarin e ardhshëm. Për Shqipërinë!” – deklaroi ai. Sipas vizitorit gjerman, përpjekjet dhe këmbëngulja e protestuesve që po vazhdojnë tubimet prej tre muajsh do të japin rezultate afatgjata për të ardhmen e Shqipërisë, ndërsa mesazhi i tij u mirëprit me duartrokitje nga qytetarët e pranishëm në shesh. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
