Një 31-vjeçar nga India është arrestuar në orët e para të mëngjesit të 23 gushtit, pasi u kap nga policia mbi çatinë e një banese në zonën e Kombinatit, në Tiranë. I riu kishte tentuar të hynte në shtëpi përmes një dritareje të vogël në çati, me qëllim grabitjen e sendeve me vlerë.
Bëhet fjalë për Manpreet Nanak Chand Manpreet, ndaj të cilit Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, pas kërkesës së prokurorit Petrit Vukaj. 31-vjeçari po hetohet për veprën penale “Vjedhja”, e mbetur në tentativë.
Sipas të dhënave të administruara në dosjen hetimore, prania e të riut në çatinë e banesës në rrugën “Veli Vraniqi” është konstatuar fillimisht nga pronari i shtëpisë, shtetasi me inicialet E.P., rreth orës 23:48 të 22 gushtit.
Pronari ka deklaruar se ishte në gjumë kur dëgjoi një zhurmë që vinte nga jashtë, në pjesën perëndimore të banesës. Pasi doli për të parë se çfarë po ndodhte, ai ka vënë re mbi çati një person të panjohur, me flokë të zinj, trup të dobët dhe rreth 170 centimetra të gjatë.
Sipas dëshmisë së tij, personi nuk kishte arritur të depërtonte në banesë. Ai kishte mbetur në çati, ndërsa pronari ka njoftuar menjëherë policinë.
Pas mbërritjes së efektivëve të Komisariatit Nr. 6, 31-vjeçari është detyruar të zbresë nga çatia dhe më pas është shoqëruar nga shërbimet e policisë kriminale. Arrestimi i tij është kryer rreth orës 01:10 të 23 gushtit.
Gjatë verifikimeve të kryera pas arrestimit, policia ka konstatuar se Manpreet Nanak Chand Manpreet ishte shoqëruar në komisariat edhe dy ditë më parë.
Sipas hetimeve, ai ishte përfshirë në një konflikt me një qytetar, të cilit dyshohet se i kishte dëmtuar xhamin e automjetit. Për këtë ngjarje, 31-vjeçari ishte lënë i lirë dhe procedohej në gjendje të lirë.
Pas arrestimit atij i është caktuar masa e sigurisë arrest me burg nga argumentet se ekziston rreziku që shtetasi i huaj të largohet nga Shqipëria gjatë procesit hetimor. Në seancë, Manpreet nuk ka pranuar të japë deklarime lidhur me ngjarjen. Ai ka pretenduar se do të flasë në një moment tjetër të procesit.

