Pablo Picasso Në ditëlindjen e gjigantit të një shekulli
Pablo Picasso i përket atij shpirti krijues që i dha trajtë bukurisë, duke e çliruar nga robëria e kanoneve të trashëguara, ta dliri shpërgenjtë e bindjeve të ngurta, duke e zbritur nga piedestalet e rreme, për ta ribërë me lëndën e një shpirti të lirë dhe një perceptimi të ri. Ai nuk erdhi thjesht për të pikturuar botën, por për të ndryshuar mënyrën se si syri e sheh atë, mendja e kupton dhe shpirti e përjeton. Ai nuk u mjaftua të ishte pjesë e historisë së artit, ai u bë një nga forcat që e ndryshuan atë.
Në përmasat e tij krijuese, arti nuk ishte një pasqyrim i bindur i reales, por një akt lirie, një shpërthim i brendshëm, një mënyrë për ta çliruar ekzistencën nga dukshmëria e saj e zakonshme. Picasso e kuptoi se realiteti nuk përfn te ajo që shohim, se sendet, trupat, fytyrat dhe marrëdhëniet njerëzore mbartin brenda vetes një shumësi pamjesh, këndvështrimesh dhe të vërtetash, të cilat syri i zakonshëm nuk arrin t'i kapë njëherësh. Prandaj, ai e përmbysi rendin e të parit, e shpërbëri formën për ta rindërtuar dhe e sfidoi bukurinë, jo për ta mohuar, por për ta çliruar nga kufizimet që i kishin imponuar shekujt.
Në këtë udhëtim të tij të jashtëzakonshëm, piktura u bë më shumë se një mjeshtëri, u shndërrua në një mënyrë të të qenit, në një nevojë të papajtueshme me nënshtrimin, në një dialog të pareshtur mes shpirtit krijues dhe botës që kërkon ta kufizojë atë. Picasso nuk pikturoi vetëm atë që shihte. Ai pikturoi atë që ndiente, atë që mendonte, atë që dyshonte dhe atë që guxonte të përfytyronte përtej kufijve të së dukshmes. Kjo është arsyeja pse vepra e tij nuk i përket vetëm historisë së një arti, por historisë së lirisë njerëzore për të krijuar e për të rishpikur vetveten.
Pakkush në historinë e artit ka mundur ta mishërojë me kaq guxim, me kaq vrull dhe me një pangopësi të tillë përtëritëse figurën e artistit që nuk pranon të mbetet rob i arritjeve të veta. Pablo Picasso, i lindur më 25 tetor 1881 në Málaga të Spanjës, ishte një nga ata njerëz që e përthithën frymën e kohës për ta kthyer atë në një energji transformuese. Piktor, skulptor, grafist, qeramist, vizatues, poet dhe dramaturg, ai kapërceu kufijtë e disiplinave artistike me të njëjtën etje me të cilën kapërceu kufijtë e traditës. Çfarë nuk provoi, çfarë nuk përmbysi, çfarë nuk e vuri në dyshim në atë përpjekje të pareshtur për të mbërritur te një e vërtetë e re e krijimit!
Jeta e tij, që u shua më 8 prill 1973, në moshën 91-vjeçare, përbën një nga rrugëtimet më të jashtëzakonshme të artit modern. Një jetë e mbushur me kërkime, përmbysje, risi, kundërthënie dhe shpërthime krijuese, në të cilën çdo etapë dukej se vinte për të rrëzuar atë që vetë artisti kishte ndërtuar më parë. Sepse Picasso nuk ishte nga ata krijues që ngushëllohen me suksesin e arritur. Ai e shihte arritjen si një prag për t'u kapërcyer, si një strehë të përkohshme prej së cilës duhej të largohej, nëse nuk donte të bëhej peng i vetvetes.
Si shumë pararendës të ndryshimeve të mëdha, edhe Picasso u përplas me zhguallin e trashë të kohës. Tradita akademike, kanonet e perspektivës, përfytyrimi i vendosur për bukurinë dhe bindjet e rrënjosura mbi atë që duhej të ishte arti, përbënin një mur të lartë përballë të cilit ai nuk zgjodhi të ndalej. Ai nuk erdhi për të kërkuar leje, as për të negociuar me kufizimet. Erdhi për t'i vënë ato në sprovë, për t'i çarë e për të hapur udhë atje ku të tjerët shihnin vetëm pengesa.
Mendësitë e kohës gjetën tek ai një kundërshtar të paepur. Picasso u bë një piktor krejt tjetër nga ata që historia kishte njohur deri atëherë, jo sepse e mohoi gjithçka që kishte ardhur para tij, por sepse e përthithi trashëgiminë dhe e shndërroi atë në një gjuhë të re. Ai nuk e trajtoi traditën si një barrë për t'u hedhur tej, por si një territor për t'u pushtuar e kapërcyer. Për të qenë i lirë, artisti duhej ta njihte mjeshtërinë; për të mos mbetur rob i saj, duhej të guxonte ta shkelte përtej.
Picasso kumtoi një art që nuk pranonte të mbyllej brenda rregullave të gatshme, simetrive të paracaktuara dhe kufijve të vendosur nga shija sunduese. Ai i dha formës të drejtën të shpërbëhej, figurës të drejtën të kundërshtonte përmasat e veta dhe hapësirës të drejtën të mos bindej më ndaj rendit tradicional. Në kanavacat e tij, bota nuk shfaqet gjithmonë si një pamje e qetë, e përputhur dhe e pajtuar me vetveten. Ajo shpërthen, copëzohet, mbivendoset, rishfaqet në trajta që tronditin syrin dhe e detyrojnë mendjen të kërkojë një rend tjetër.
Krijimi i tij ngjan me një plazmim të pareshtur, ku e dukshmja nuk është më një përfundim, por një pikënisje. Figura njerëzore mund të shfaqet e shpërbërë në plane, fytyra të bartë njëherësh këndvështrime të ndryshme, ndërsa objekti të humbasë pamjen e tij të zakonshme për të zbuluar një të vërtetë tjetër. Në këtë përmbysje nuk ka thjesht kapriço estetike, por një mënyrë të re të të menduarit. Picasso e çliroi pikturën nga detyrimi për të imituar realitetin dhe i dha mundësinë të ndërtonte një realitet të vetin.
Të bëje art, për të, ishte të fitoje një liri që nuk të vinte si dhuratë, por si një akt i mundimshëm çlirimi. Ishte të përballeshe me kufijtë, të mos i pranoje si të përjetshëm dhe të mos i ngatërroje me të vërtetat. Në këtë kuptim, Picasso ngjan me një Sizif që nuk dorëzohet përballë barrës së vet, por e shndërron mundimin në energji krijuese; me një Promete që nuk kënaqet me dritën e trashëguar, por kërkon të rrëmbejë flakën e vet nga errësira e së panjohurës.
Piktura për të ishte një thirrje e epërme, një gjendje e vazhdueshme papajtueshmërie me atë që ishte arritur dhe një pamjaftueshmëri e bekuar, e cila e shtynte të kërkonte më tej. Asnjë sukses nuk mund t'ia fashiste etjen për një fillim të ri. Asnjë formë nuk mund ta mbante gjatë të burgosur. Ai e njihte kënaqësinë e krijimit, por nuk pranonte të qetësohej brenda saj, sepse e dinte se çasti kur artisti fillon të përsërisë vetveten është çasti kur liria e tij nis të shndërrohet në zakon.
Pikërisht këtu merr kuptim edhe pohimi që i atribuohet atij: «Piktura është më e fortë se unë, më detyron të bëj atë që do ajo». Në këtë fjali gjendet paradoksi i madh i krijuesit: njeriu që kërkon lirinë absolute, në njëfarë mënyre, bëhet rob i thirrjes së vet krijuese. Por kjo nuk është robëri e imponuar nga jashtë. Është nënshtrim ndaj një nevoje të brendshme, ndaj një force që nuk mund të heshtë, ndaj një pasioni që e shtyn artistin të shkojë përtej vullnetit të zakonshëm dhe të pranojë se vepra, në çastin kur merr jetë, fiton një ekzistencë që nuk i bindet më plotësisht autorit të saj.
Picasso e përjetoi artin si një përballje të vazhdueshme me vetveten. Në vend që ta ruante një identitet të pandryshueshëm, ai e vuri atë në lëvizje. Në vend që ta kthente suksesin në një strehë, e bëri atë një pikënisje. Në vend që të mbetej brenda gjuhës që e kishte bërë të njohur, kërkoi të fliste në gjuhë të tjera. Kjo e dallon nga shumë krijues që, pasi arrijnë të ndërtojnë një stil të njohur, e kthejnë atë në një formulë të sigurt. Picasso e trajtoi stilin si një gjendje kalimtare, si një etapë në udhëtimin e pafund të shpirtit krijues.
As Matisse, as Mondrian dhe as Braque nuk mund të vendosen në një marrëdhënie të thjeshtë krahasimi me të, sepse secili prej tyre përfaqëson një kontribut të veçantë në modernizmin e shekullit XX. Por Picasso mbetet një nga figurat më të fuqishme të këtij transformimi, jo vetëm për risitë që solli, por për aftësinë për ta kthyer ndryshimin në një mënyrë të përhershme të të krijuarit. Ai nuk i dha artit një zgjidhje të vetme; i hapi shumë dyer dhe e bëri të pamundur kthimin e tij në kufijtë e mëparshëm.
Kubizmi, kur bota pushoi së qeni vetëm ajo që shohim
Një nga kthesat më vendimtare të historisë së artit modern mban edhe emrin e Pablo Picasso-s. Së bashku me Georges Braqueun, ai ishte bashkëthemelues i kubizmit, një rrymë që ndryshoi rrënjësisht mënyrën e paraqitjes së objekteve dhe të figurës njerëzore në pikturë.
Kubizmi nuk ishte thjesht një stil i ri, as një lojë formash gjeometrike që synonte të trondiste shijen e publikut. Ai ishte një sfidë ndaj mënyrës tradicionale të të parit. Për shekuj me radhë, piktura perëndimore kishte synuar ta ndërtonte figurën si një pamje të bashkuar, të vendosur në një hapësirë të organizuar sipas perspektivës dhe këndvështrimit të një vëzhguesi. Kubizmi e vuri në dyshim këtë rend, duke e trajtuar objektin si një tërësi që mund të kuptohej përmes disa planeve dhe këndvështrimeve njëherësh.
Në këtë botë të re, një fytyrë nuk duhej të paraqitej vetëm nga përpara ose nga profili. Ajo mund të mbante në të njëjtën sipërfaqe disa pamje, disa plane, disa mënyra të të parit. Një kitarë nuk ishte më vetëm një objekt i vendosur në hapësirë, por një marrëdhënie formash, vëllimesh dhe shenjash që mund të shpërbëheshin e të rindërtoheshin. Piktura nuk e kopjonte më botën; ajo e analizonte, e interpretonte dhe e rikrijonte.
Kjo ishte një përmbysje e vërtetë e rendit estetik. Picasso guxoi ta shpërbënte atë që syri e njihte, për t'i dhënë mendjes mundësinë të zbulonte atë që forma e zakonshme e mbante të fshehur. Ai e bëri pikturën të mos ishte vetëm një dritare drejt botës, por një sipërfaqe ku bota mund të mendohej, të vihej në dyshim dhe të ndërtohej sërish.
Me kubizmin, arti fitoi një tjetër vetëdije për mundësitë e veta. Ai nuk ishte më i detyruar të bindte shikuesin për ngjashmërinë me objektin. Mund të kërkonte prej tij një përpjekje tjetër: të rindërtonte në mendje atë që syri nuk e merrte më si një tërësi të gatshme. Piktura u bë një akt bashkëpunimi mes krijuesit dhe vëzhguesit, një ftesë për të parë përtej dukjes.
Në këtë udhë, Picasso nuk e shkatërroi bukurinë. Ai i ndryshoi vendin, i ndryshoi gjuhën dhe i ndryshoi kushtet e shfaqjes. Bukuria nuk duhej të ishte gjithmonë e përkryer, e qetë dhe e pajtuar me rregullin. Ajo mund të lindte edhe nga thyerja, nga asimetria, nga tensioni mes pjesëve, nga ajo që në shikimin e parë dukej e çrregullt. Ai na mësoi se jo çdo e vërtetë estetike paraqitet si harmoni e dukshme dhe se, nganjëherë, vetëm përmbysja e formës mund ta bëjë të dukshëm thelbin.
Kjo është arsyeja pse kubizmi nuk mund të kuptohet vetëm si një kapitull në biografinë e Picasso-s. Ai përfaqëson një ndryshim të thellë në marrëdhënien mes artit dhe realitetit, mes asaj që shohim dhe mënyrës se si e kuptojmë atë. Një ndryshim që nuk mbeti i mbyllur brenda pikturës, por ndikoi në skulpturë, arkitekturë, dizajn dhe në mënyrën se si shekulli XX do ta konceptonte formën.
Fëmijëria si burim i lirisë dhe jo si mangësi e mjeshtërisë
Picasso e zotëronte mjeshtërinë akademike që në moshë të re. I ati, José Ruiz Blasco, ishte piktor dhe mësues arti, ndërsa talenti i të birit u shfaq herët. Por paradoksi i madh i këtij krijuesi qëndronte pikërisht në faktin se, pasi fitoi aftësinë për të vizatuar sipas rregullave, ai nisi të kërkonte një mënyrë për t'u çliruar prej tyre.
Nuk është e lehtë të kuptohet kjo zgjedhje. Shumëkush e kalon jetën duke u përpjekur të zotërojë atë që Picasso e zotëroi herët, ndërsa ai, pasi e arriti, kërkoi të mos mbetej i burgosur brenda saj. Për të, mjeshtëria nuk duhej të ishte një mur i lartë që e ndante artistin nga e panjohura, por një urë që i mundësonte kalimin drejt saj.
Në këtë kuptim, fëmijëria nuk ishte për të një periudhë e kapërcyer, por një burim i përhershëm i lirisë krijuese. Në një thënie të njohur që i atribuohet Picasso-s, ai shpreh dëshirën që, pasi kishte mësuar të pikturonte si të rritur, të arrinte të pikturonte sërish si fëmijë. Kjo ide, pavarësisht varianteve në të cilat përcillet, përmbledh një nga paradokset më të bukura të artit të tij.
Fëmija nuk e sheh botën nën peshën e rregullave të vendosura. Ai nuk e mat çdo vijë me standardin e përkryerjes, nuk kërkon medoemos të riprodhojë atë që ka përpara dhe nuk e përjeton formën si një kufi të pandryshueshëm. Ai provon, shpik, përzien, shndërron. Për të, bota mbetet një mundësi e hapur.
Picasso nuk dëshironte të kthehej te padija e fëmijërisë, por te liria e saj. Ai kërkonte një pafajësi të dytë të shikimit, të fituar jo përmes mungesës së përvojës, por pasi përvoja të ishte përvetësuar deri në atë pikë sa të mos e pengonte më krijimin. Kjo është një nga arritjet më të vështira të një artisti: të zotërojë rregullat aq thellë, sa të mund të dalë përtej tyre pa rënë në rastësi.
Kësisoj, Picasso e veshi krijimin me fëmijërinë, por nuk e infantilizoi atë. Ai e çliroi nga solemniteti i tepërt i mjeshtërisë, nga bindja se arti duhet të jetë gjithmonë një demonstrim aftësie dhe nga frika se një vepër mund të humbasë autoritetin nëse nuk u bindet pritshmërive të publikut. Fëmija brenda tij ishte forca që e pengonte të ngurtësohej, zëri që i kujtonte se krijimi nuk është një destinacion, por një fillim që përsëritet.
Lakuriqësia e formës dhe veshja e shpirtit
Picasso ishte edhe një nga ata artistë që e trajtuan trupin njerëzor jo vetëm si një objekt të bukur për t'u paraqitur, por si një territor të ndërlikuar ndjenjash, dëshirash, pasionesh, frikërash dhe kundërthëniesh. Në veprën e tij, lakuriqësia nuk mbetet gjithmonë një çështje anatomie apo një ushtrim i estetikës klasike. Ajo shndërrohet në një mënyrë për të zbuluar tensionin mes trupit dhe shpirtit, mes dëshirës dhe pushtetit, mes intimitetit dhe ekspozimit.
Trupi, te Picasso, nuk është gjithnjë një formë që kërkon të pëlqehet. Ai mund të jetë i brishtë, i fuqishëm, i deformuar, provokues, i copëzuar nga vështrimi ose i mbushur me një energji që nuk gjen qetësi. Në të, njeriu nuk paraqitet vetëm si një qenie që zë vend në hapësirë, por si një univers i trazuar, ku ndjenjat dhe instinktet marrin trajtë përmes linjave, ngjyrave dhe marrëdhënieve të pazakonta mes formave.
Kjo është një nga arsyet pse piktura e tij mund të jetë njëherësh joshëse dhe shqetësuese. Picasso nuk i kërkon gjithmonë shikuesit të admirojë. Nganjëherë, ai e detyron të përballet me atë që nuk dëshiron ta shohë, me atë që e vë në siklet, me atë që nuk mund ta përkufizojë lehtë. Në këtë mënyrë, arti bëhet një hapësirë ku përjetimi njerëzor nuk zbukurohet medoemos, por zbulohet me të gjitha tensionet e tij.
Në punën e tij, gjithçka mund të shndërrohet në gjuhë: një trup, një fytyrë, një vështrim, një gjest, një objekt i zakonshëm, një copë gazetë e ngjitur mbi kanavacë. Çdo gjë fiton mundësinë të hyjë në një marrëdhënie të re me gjithçka tjetër. Kjo është një nga dhuratat e modernizmit që Picasso ndihmoi të formësohej: bindja se arti nuk duhet të kërkojë medoemos materiale të rralla apo subjekte madhështore, sepse madhështia mund të lindë nga mënyra se si artisti i sheh dhe i organizon gjërat.
Ai nuk i dha artit thjesht një dimension pa kufij. I dha mundësinë të shfaqte kufijtë si diçka të diskutueshme, si një marrëveshje të përkohshme mes krijuesit dhe botës, jo si një ligj të përjetshëm. Në këtë kuptim, vepra e tij është një dëshmi se liria nuk gjendet vetëm në zgjedhjen e asaj që do të krijosh, por edhe në guximin për të ndryshuar mënyrën se si e krijon.
Guernica, kur piktura bëhet britmë e njerëzimit
Nëse kubizmi dëshmon fuqinë e Picassos për të ndryshuar gjuhën e pikturës, «Guernica» dëshmon aftësinë e tij për ta shndërruar atë gjuhë në një dëshmi tronditëse të historisë njerëzore.
E krijuar më 1937, pas bombardimit të qytetit bask të Guernica-s gjatë Luftës Civile Spanjolle, kjo vepër monumentale është një nga aktet më të fuqishme të artit kundër dhunës dhe shkatërrimit. Picasso nuk zgjodhi të pikturonte një skenë heroizmi, as të ndërtonte një rrëfim të zakonshëm të betejës. Ai krijoi një univers të copëzuar vuajtjeje, ku trupat, fytyrat, kafshët dhe objektet bëhen pjesë e një klithme të vetme.
Në këtë pikturë, dhimbja nuk shfaqet si një episod i largët, por si një përvojë që e përfshin të gjithë hapësirën. Nën dritën e ftohtë të një llambe, figurat duken sikur janë kapur në çastin kur bota e tyre është shembur. Nëna që vajton fëmijën e vdekur, kali i plagosur, trupi i rrëzuar dhe fytyrat e shtrembëruara nga tmerri nuk janë vetëm elemente të një kompozimi. Ato janë gjuhë të vuajtjes, shenja të një katastrofe që nuk mund të shpjegohet vetëm përmes fjalëve.
Picasso e përdori shpërbërjen e formës jo për të krijuar një lojë estetike, por për të shprehur shpërbërjen e vetë botës njerëzore përballë dhunës. Në «Guernica», fragmentimi i figurës bëhet fragmentim i përvojës; deformimi bëhet shenjë e tmerrit; kontrasti i bardhë e zi e zhvesh skenën nga çdo ngushëllim kromatik dhe e afron me gjuhën e fotografisë së shtypit, të dëshmisë dhe të zisë.
Këtu, Picasso dëshmon se liria e formës nuk e largon artin nga përgjegjësia njerëzore. Përkundrazi, mund ta bëjë atë edhe më të fuqishëm në përballjen me tragjedinë. Ai nuk e paraqiti luftën si një spektakël, as nuk e shndërroi dhimbjen në një zbukurim të historisë. Ai krijoi një monument të vuajtjes, një vepër që nuk i përket vetëm një qyteti, një lufte apo një populli, por çdo kohe kur njeriu shkatërron njeriun.
«Guernica» është dëshmi se arti mund të jetë njëkohësisht autonom në gjuhën e tij dhe thellësisht i lidhur me botën. Ai nuk ka nevojë të heqë dorë nga risia estetike për të qenë njerëzor, as të bëhet ilustrim i drejtpërdrejtë për të shprehur një të vërtetë morale. Picasso e dëshmoi këtë me një vepër që nuk e rrëfen tmerrin si një kronikë, por e bën atë të përjetohet si një tronditje që nuk fashitet.
Nëse arti i tij ishte një kërkim i pareshtur i lirisë, «Guernica» na kujton se kjo liri nuk mund të shkëputet nga përgjegjësia përballë fatit të njeriut. Sepse liria e krijimit arrin një nga përmasat e saj më të larta kur bëhet aftësi për të dëshmuar, për të kundërshtuar dhe për të mos lejuar që vuajtja të shndërrohet në një fakt të harrueshëm.
Një jetë e tërë në kërkim të së papërsëritshmes
Vepra e Picassos përfshin dhjetëra mijëra krijime në pikturë, vizatim, grafikë, skulpturë dhe qeramikë. Ky vëllim i jashtëzakonshëm nuk dëshmon vetëm vrullin e një prodhimtarie të rrallë, por edhe pamundësinë e artistit për t'u pajtuar me një formë të vetme të shprehjes. Ai punoi me një intensitet që e bëri krijimin pjesë të përditshmërisë së tij, një nevojë që nuk priste rastin e përsosur, sepse vetë akti i krijimit ishte mënyra e tij për ta kërkuar atë.
Në rrugëtimin e tij, periudhat artistike nuk janë thjesht ndarje kronologjike. Ato janë gjendje të ndryshme të një shpirti që nuk pranon të mbetet i pandryshuar. Periudha Blu, me ngjyrat e saj të ftohta dhe figurat e vetmuara, mbart një ndjeshmëri të thellë ndaj mjerimit, varfërisë dhe brishtësisë njerëzore. Periudha Rozë hap një tjetër atmosferë, më të ngrohtë, më të butë, të mbushur me figura cirku dhe personazhe që duket sikur jetojnë në një botë mes ëndrrës dhe melankolisë. Më pas, kërkimet e tij e çojnë drejt një transformimi të thellë të formës, drejt kubizmit dhe më tej, drejt një shumëllojshmërie gjuhësh që nuk mund të mbyllen brenda një përkufizimi të vetëm.
Por këto etapa nuk duhen parë si kuti të ndara, ku artisti hyn e del duke lënë pas një identitet të përfunduar. Ato janë më tepër shtresa të një përvoje që grumbullohet, kundërshton vetveten dhe rishfaqet në forma të reja. E kaluara nuk zhduket; ajo kthehet, transformohet, merr një funksion tjetër. Picasso nuk e mohon atë që ka qenë. Ai e vë në lëvizje, e shkund nga kuptimi i mëparshëm dhe e rikthen si një mundësi të re.
Në këtë mënyrë, krijimtaria e tij i ngjan një udhëtimi pa stacion përfundimtar. Çdo vepër është një përgjigje e përkohshme ndaj një pyetjeje që nuk resht së linduri. Çdo stil është një zgjidhje që, sapo arrin të përmbushë qëllimin e vet, nis të bëhet i pamjaftueshëm për etjen e artistit. Dhe çdo kthesë dëshmon se liria nuk është një gjendje që fitohet një herë e përgjithmonë, por një përpjekje që duhet ripërtërirë.
Për këtë arsye, Picasso mbetet një figurë që nuk mund të reduktohet në një formulë, sado e përmbledhur apo e goditur të jetë ajo. Ai ishte mjeshtër, por nuk u mjaftua me mjeshtërinë; ishte novator, por nuk u ngujua në risinë që solli; ishte një figurë me ndikim të jashtëzakonshëm, por nuk e trajtoi ndikimin si një arsye për të ndalur kërkimin. Në të, arti mbeti një fushë e hapur, ku asgjë nuk ishte aq e shenjtë sa të mos vihej në dyshim dhe asgjë nuk ishte aq e zakonshme sa të mos mund të shndërrohej në një mundësi krijimi.
Picasso, miti i një lirie që nuk mbaron
Pablo Picasso ishte një njeri i ndërlikuar, i trazuar, kontradiktor, me një personalitet që nuk mund të shkëputet nga kompleksiteti i veprës së tij. Ai ishte rebel, kërkues, i paqëndrueshëm në zgjedhjet estetike dhe i papajtueshëm me idenë e një jete krijuese të parashikueshme. Por miti i tij nuk ndërtohet vetëm mbi temperamentin, famën apo vëllimin e jashtëzakonshëm të punës. Ai qëndron, mbi të gjitha, në mënyrën se si Picasso e ndryshoi marrëdhënien e artistit me traditën, me realitetin dhe me vetveten.
Ai e bëri të qartë se artisti nuk është i detyruar të mbetet besnik ndaj një forme vetëm sepse ajo i ka sjellë sukses. Nuk duhet të vazhdojë të pikturojë në të njëjtën mënyrë vetëm sepse publiku e njeh dhe e duartroket. Nuk duhet ta ngatërrojë identitetin me përsëritjen, as mjeshtërinë me bindjen ndaj asaj që tashmë është provuar. Liria e tij qëndron në të drejtën për të ndryshuar, për të gabuar, për të kërkuar dhe për ta vënë sërish në dyshim atë që mendonte se e kishte zbuluar.
Ky është një nga mësimet më të mëdha që vepra e Picasso-s i përcjell jo vetëm artistit, por çdo njeriu që përpiqet të jetojë pa u bërë peng i përkufizimeve të veta. Sepse krijimi, në kuptimin e tij më të thellë, nuk është vetëm prodhimi i një objekti të ri. Është aftësia për ta parë botën ndryshe, për të mos u pajtuar me kufijtë e trashëguar dhe për të mos e konsideruar të përfunduar atë që ende mund të transformohet.
Picasso e kuptoi se liria nuk është mungesë rregullash, por aftësia për të mos i trajtuar ato si të përjetshme. Nuk është një ikje nga mjeshtëria, por zotërimi i saj deri në pikën kur ajo nuk të pengon më të kërkosh të panjohurën. Nuk është një rebelim i zbrazët kundër traditës, por një dialog i guximshëm me të, nga i cili mund të lindë një gjuhë e re.
Dora e tij tronditi artin e shekullit XX, por trashëgimia e tij nuk matet vetëm me rrymat që ndihmoi të lindnin, me veprat që la pas apo me ndikimin që ushtroi mbi brezat e artistëve. Ajo matet edhe me hapësirën e lirisë që i hapi krijimit, me të drejtën që i dha artistit të mos përsërisë, të mos nënshtrohet dhe të mos e marrë të mirëqenë asnjë të vërtetë estetike.
Picasso nuk e la artin në paqe. E trazoi, e çliroi, e vuri përballë vetvetes. E detyroi të largohej nga siguria e pasqyrimit dhe të hynte në territorin e interpretimit, ku realiteti nuk është më një pamje e gatshme, por një mundësi e pafundme për t'u rindërtuar. Ai i dha pikturës të drejtën të mendojë, formës të drejtën të dyshojë dhe bukurisë të drejtën të mos jetë gjithmonë ajo që kemi mësuar të njohim.
Dhe ndoshta këtu qëndron madhështia e tij më e vërtetë: te aftësia për ta kthyer artin në një akt të vazhdueshëm çlirimi, ku çdo kufi bëhet një pyetje dhe çdo përgjigje një ftesë për të shkuar më tej.
Më 8 prill 1973, Picasso u largua nga kjo botë, por jo nga hapësira e madhe e artit që kishte ndihmuar të ndryshonte. Ai la pas një univers veprash, kundërthëniesh, guximesh dhe mundësish, në të cilin brezat vazhdojnë të kërkojnë jo vetëm një mjeshtër të jashtëzakonshëm, por edhe një përgjigje për pyetjen se çfarë mund të bëhet arti kur njeriu guxon të mos i bindet së zakonshmes.
Sepse Picasso nuk na mësoi vetëm si mund të pikturohet ndryshe. Ai na mësoi se edhe të parit mund t'i ndryshohet fati; se bota nuk shteron në pamjen që na ofron; se bukuria nuk ka vetëm një fytyrë dhe se krijimi, kur është i vërtetë, nuk mund të pajtohet gjatë me kufijtë e vet.
Ai ishte njeriu që nuk pranoi të mbetej rob i asaj që kishte krijuar, sepse e dinte se liria e artistit nuk qëndron te vepra e përfunduar, por te guximi për të nisur përsëri. Dhe kështu, Pablo Picasso mbeti një mit i artit, jo sepse e shpalli veten të përjetshëm, por sepse i dha krijimit një nga dëshmitë më të fuqishme se liria është e vetmja formë e pavdekësisë që arti mund t'i dhurojë njeriut./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

