Sylvester Stallone nuk e mohon se mbiemri i famshëm i ka hapur dyer vajzës së tij në industrinë e filmit. Aktori ka pranuar publikisht se e ka ndihmuar Scarlet Rose Stallone të sigurojë një rol në serialin “Tulsa King”, ku ai vetë është një nga protagonistët, duke e quajtur këtë hap pa hezitim nepotizëm.
Në një intervistë për USA Today, Stallone, 80 vjeç, iu përgjigj drejtpërdrejt kritikave për favorizimin e vajzës 24-vjeçare. Sipas tij, është e natyrshme që prindërit të përpiqen t’u krijojnë fëmijëve mundësitë më të mira, por kjo nuk do të thotë se suksesi i tyre është i garantuar.
“Sigurisht që është nepotizëm. Kjo është arsyeja pse jemi prindër. Duam më të mirën për fëmijët tanë”, u shpreh aktori, duke argumentuar se prindërit mund t’u hapin dyer fëmijëve të tyre, por nuk mund të vendosin nëse ata do të kenë aftësitë për të ecur përpara.
Stallone pranoi se lidhja familjare mund t’ia ketë lehtësuar vajzës marrjen e rolit, por theksoi se të mbash nivelin dhe të dëshmosh aftësitë përballë publikut është një sfidë krejt tjetër.
Scarlet interpreton personazhin e Spencer në “Tulsa King” dhe pritet të ketë më shumë hapësirë në sezonin e katërt të serialit të krijuar nga Taylor Sheridan. Historia ndjek Dwight “Gjeneralin” Manfredi, një mafioz që, pas daljes nga burgu, dërgohet në Oklahoma dhe përpiqet të ndërtojë sërish ndikimin e tij.
Përtej përvojës profesionale, puna e përbashkët duket se ka ndikuar edhe në marrëdhënien mes babait dhe vajzës. Në një intervistë për PEOPLE, gjatë PaleyFest NY 2026, Scarlet tregoi se xhirimet i kanë afruar më shumë.
“Fakti që më në fund arritëm të punojmë së bashku është një mundësi e mrekullueshme. Jemi bërë vërtet miq”, tha ajo, duke shpjeguar se angazhimet e shumta të të atit e kishin bërë të vështirë që më parë të kalonin kohë në një projekt të përbashkët.
Scarlet ka zgjeruar ndërkohë përvojën e saj në ekran edhe përmes projekteve të tjera, mes tyre filmi “Hunting Season”, ku ka punuar me Mel Gibson, si dhe “Gunslingers”, ku luan përkrah Nicolas Cage.

