Avokati Idajet Beqiri, në një intervistë për emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, komentoi protestat në Tiranë.
Gjatë intervistës tha se po tentohet që ta çojnë Shqipërinë drejt një skenari të ngjashëm me vitin 1997 dhe të pengohet integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.
Sipas Beqirit, protestat dhe aktet e vandalizmit synojnë të destabilizojnë vendin në një moment kyç për procesin e integrimit evropian. “Kjo teori e përmbysjes bëri që Shqipëria të mbetej pa uzina, pa fabrika, pa arsim, pa kulturë dhe pa shëndetësi, sepse të gjitha këto u mbyllën dhe u shkatërruan. Mbetëm pa kulturë dhe pa shkencë, sepse u larguan intelektualët e vendit, akademikët dhe profesorët më të shquar. Mjafton të përmendim më shumë se një mijë inxhinierë të shkëlqyer të industrisë së naftës, të cilët përfunduan në Amerikë ose në vende të ndryshme të Evropës. Kanë kaluar më shumë se 30 vjet dhe Berisha sot flet për largimin e shqiptarëve nga vendi. Kjo është pikërisht fatkeqësia më e madhe. E dëgjova kur tha se 47 për qind e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria, por harroi se vetëm përmbysja e sistemit dhe shkatërrimi i pasurive të mëdha kombëtare, minierave, fabrikave, uzinave dhe kombinateve, bënë që dy milionë shqiptarë të largoheshin nga vendi. Është e vërtetë që shqiptarët janë larguar nga Shqipëria, por kjo ndodhi pikërisht për shkak të përmbysjes që bëri Berisha. Ai e përmbysi sistemin në një kohë kur vende të tjera, si Kina, zgjodhën ndryshimin e sistemit dhe jo shkatërrimin e gjithçkaje. Sot, pas kaq shumë vitesh, disa kërkojnë një përmbysje tjetër. Për 13 vjet, ne arritëm të thyenim konceptin e përmbysjes dhe të ndërtonim, në vend që ta çonim Shqipërinë drejt një tjetër shkatërrimi, siç ndodhi në vitin 1997. Berisha e çoi Shqipërinë drejt një tjetër rrënimi në vitin 1997. Më pas, vendi u ringrit dhe ai e mori përsëri pushtetin në vitin 2005, deri në vitin 2013, duke shkaktuar një tjetër katastrofë në këtë vend. Tani që kemi arritur të ngremë institucionet, të ndërtojmë infrastrukturën, të zhvillojmë politikën e jashtme dhe të krijojmë tregues ekonomikë më të mirë, jemi në prag të një momenti historik për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Asnjë vend nuk të pranon në Bashkimin Evropian nëse nuk plotëson standardet e nevojshme. Pikërisht në këtë situatë, kur Shqipëria është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, armiqtë më të betuar të kombit shqiptar sajuan këtë të ashtuquajtur protestë. Kjo, sipas meje, nuk është protestë qytetare, nuk është protestë e shqiptarëve dhe as protestë e studentëve për çështjet thelbësore të vendit. Është një përpjekje për ta çuar Shqipërinë përsëri në zero, për të krijuar një tjetër vit 1997 dhe për të penguar anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti që, pikërisht në qershor, kur fillojnë të mbërrijnë turistët dhe kur turizmi është në kulmin e sezonit, organizohen veprime të tilla. Përveç protestave, kryhen edhe akte vandalizmi, duke dhënë sinjalin se në këtë vend nuk duhet të vijë asnjë turist. Kur protestuesit nisen nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit drejt Rinasit dhe pengojnë turistët të mbërrijnë në hotelet e Tiranës dhe të Shqipërisë, çfarë mesazhi përcillet?”, tha ai.
/abcnews.al/ Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! -Politikë*Fokus*KryesoreAktualitet
