Njerëzit helmohen në tryezat e institucioneve shtetërore, ndërsa ish-pronarët mbushin xhepat duke qarkulluar leket përmes transaksioneve miliona euroshe. Kompania e kateringut “Sori Al”, e cila u vendos në qendër të vëmendjes publike pas incidentit të helmimit të studentëve në Akademinë e Policisë, ka kaluar zyrtarisht në duar të reja. Biznesmenia Alma Tafani ka finalizuar shitjen e aksioneve te pronari i ri, Ramazan Troka, për një vlerë totale prej 2 milionë e 36 mijë eurosh, një shumë që do të shlyhet në tre këste vjetore.
Kontrata e shitblerjes u firmos më 29 qershor, vetëm pak ditë pas rastit të dytë të raportuar të helmimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë, duke e bërë këtë transaksion tejet të ndjeshëm në aspektin publik dhe institucional. Megjithatë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimitte kishte vendosur më herët të lejonte rifillimin e aktivitetit të kompanisë, duke deklaruar se analizat laboratorike nuk kishin evidentuar shkelje të standardeve ushqimore.
Emri i Ramazan Trokës nuk është i panjohur në tregun e shërbimeve ushqimore, pasi ai ka pasur më parë lidhje të drejtpërdrejta biznesi me Alma Tafanin dhe bashkëshortin e saj, Nikolin Jaka. Në vitin 2007, Troka bleu kompaninë “KPL” pikërisht nga Tafani, ndërsa e mbajti në pronësi deri në qershor të vitit të kaluar, kur aksionet iu rikthyen sërish asaj.
Zhvillimet e fundit tregojnë një tërheqje të qartë të Tafanit nga sektori i kateringut. Vetëm një muaj më parë, ajo shiti gjithashtu kompaninë “KPL” te Mario Haxhiymeri për rreth 45 milionë lekë, ose afërsisht 480 mijë euro, duke mbyllur kështu një cikël të gjatë aktiviteti në këtë industri.
“Sori Al” dhe “KPL” kanë qenë ndër furnizuesit kryesorë të institucioneve shtetërore në Shqipëri. Në gjashtë vitet e fundit, të dyja kompanitë kanë përfituar kontrata publike me vlerë mbi 45 milionë euro, duke siguruar ushqime për spitale, reparte ushtarake dhe sistemin penitenciar. Ndryshimi i pronësisë së “Sori Al” vjen në një moment delikat, ku vëmendja ndaj standardeve të sigurisë ushqimore dhe transparencës në tenderët publikë mbetet më e lartë se kurrë.

