Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim nga Lezha, ku pretendon se hapësirat publike të parkimit në zonën e Lagjes "Gurra" dhe pranë Rrugës së Spitalit janë zënë prej kohësh nga automjete të nxjerra në shitje.
Sipas denoncuesit, një person ka vendosur rreth 14 automjete pa targa, të ekspozuara për shitje, duke bllokuar vendet e parkimit të banorëve të zonës.
Qytetari thotë se, për shkak të mungesës së vendeve të lira, banorët detyrohen t'i lënë automjetet në vende të papërshtatshme dhe përballen çdo ditë me gjoba. "Jam një banor i Lezhës. Dikush ka vendosur makina në shitje duke bllokuar vendet e parkimit dhe ne nuk kemi ku t'i lëmë makinat tona. Ngrihemi çdo mëngjes me gjoba, ndërsa ai ka rreth 14 makina pa targa të vendosura në rrugë. Ju lutem publikojeni që të na hapen vendet e parkimit dhe t'u shpëtojmë gjobave," shkruan qytetari. Sipas tij, banorët i janë drejtuar edhe Bashkisë Lezhë, duke kërkuar ndërhyrje për këtë problem, por pretendojnë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Në videot e mbërritura në redaksi shihen disa automjete të parkuara përgjatë rrugës, të pajisura me tabela "SHITET" dhe numra kontakti, ndërsa qytetari pretendon se ato kanë zënë prej kohësh hapësirat publike të parkimit.
Banorët kërkojnë nga Bashkia Lezhë, Policia Bashkiake dhe institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën dhe, nëse konstatohen shkelje, të marrin masa për lirimin e hapësirave publike, në mënyrë që parkimet të jenë në dispozicion të banorëve dhe jo të përdoren si ekspozitë për shitjen e automjeteve.
JOQ Albania mbetet e hapur edhe për reagimin e personit të përmendur në denoncim, si dhe të institucioneve përgjegjëse. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

