Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar sjelljen e drejtueses së një automjeti në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, pranë Kanalit të Çukës, duke dërguar edhe një video nga momenti i ngjarjes.
Sipas denoncuesit, automjeti është futur në korsinë e kundërt gjatë një parakalimi të gabuar, ndërsa drejtuesja ka këmbëngulur të vazhdonte përpara edhe pse në korsinë përballë po qarkullonin mjete të tjera.
Në pamje duket se automjeti ndalon përballë mjeteve që lëviznin normalisht në korsinë e tyre, duke penguar qarkullimin dhe krijuar trafik në këtë segment rrugor. Vetëm pas disa minutash, sipas qytetarit, drejtuesja është detyruar të tërhiqet dhe të rikthehet në korsinë e saj.
Denoncuesi pretendon se situata ka zgjatur rreth 10 minuta dhe se, gjatë gjithë kohës, drejtuesja e automjetit ka insistuar që t'i hapej rruga, ndërsa në video duket gjithashtu se personat në automjet filmojnë ose fotografojnë drejtuesin që po regjistronte ngjarjen.
Qytetari i bën thirrje autoriteteve që të marrin masa ndaj shkeljeve të tilla, të cilat jo vetëm pengojnë qarkullimin, por mund të kthehen edhe në burim aksidentesh.
Mesazhi i qytetarit për JOQ Albania:
"Isha në korsinë time dhe ato këmbëngulnin të kalonin kur nuk ishte e drejta e tyre. Siç dallohet, të tjerët mbrapa po prisnin. Kishin bërë parakalim të gabuar dhe donin t'u dilte e tyrja. U tërhoqën vetëm pas gati 10 minutash, duke krijuar trafik të rënduar. Ngjarja ndodhi në aksin Sarandë-Ksamil, te Kanali i Çukës."
Nëse drejtuesja e automjetit ka një reagim, sqarim apo një version tjetër lidhur me ngjarjen, është e mirëpritur ta dërgojë pranë redaksisë së JOQ Albania dhe ne do ta pasqyrojmë atë në respekt të së drejtës për t'u dëgjuar të gjitha palët. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

