Me shpresën se do të gjenden gjurmë papilare te një çekiç i harruar në vendngjarje nga grabitësit, policia e Kamzës e ka përcjellë si provë materiale pranë laboratorit të kriminalistikës. Siç bëjnë me dije burimet e TCH, grupi i hetimit ka rindërtuar skenën e grabitjes së argjendarisë në Kamëz dhe, duke u bazuar te dëshmia e pronarëve, raportohet se dy grabitësit kanë marrë prej andej bizhuteri të shtrenjta me një peshë afro 2 kilogramë flori.
Dy grabitësit kanë përdorur si maskë kaskat e motorit, me të cilin mbërritën në vendin që grabitën. Ata ishin të armatosur me një automatik, të cilin e kanë përdorur për presion, por nuk kanë qëlluar. Ndërsa dyshohet se kishin edhe një çekiç, të cilin, nga shpejtësia, e kanë harruar.
Burimet i thanë TCH se të dy grabitësit udhëtuan me një mjet të lyer dhe pa targa, ndërsa u larguan përmes rrugëve dytësore.
Bëhet me dije se janë marrë në pyetje dy shitëset dhe dy dëshmitare okulare që gjendeshin në dyqan për të blerë, ndërsa gjatë ditës janë kryer disa kontrolle në banesën e një të dyshuari. Top Channel

