Lajme Zone
Nis viti i ri shkollor, hapen dyert e shkollave në të gjithë Shqipërinë, 25 mijë fëmijë nisin sot udhëtimin arsimor
Të tjeraTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

Nis viti i ri shkollor, hapen dyert e shkollave në të gjithë Shqipërinë, 25 mijë fëmijë nisin sot udhëtimin arsimor

Pas pushimeve të verës, shkollat në të gjithë vendin kanë hapur dyert për nxënësit, duke shënuar nisjen e vitit të ri shkollor.

Pas pushimeve të verës, shkollat në të gjithë vendin kanë hapur dyert për nxënësit, duke shënuar nisjen e vitit të ri shkollor. Oborret janë mbushur sërish me zërat e fëmijëve, emocionet e klasës së parë, takimet me shokët dhe urimet për një vit të mbarë. Ndërsa për më të vegjlit nis një rrugëtim i ri, për nxënësit e tjerë rikthehet rutina e mësimeve, me sfida dhe pritshmëri të reja.

Elbasan

Elbasani nis vitin e ri shkollor 2026-2027 me tre godina shkollash tërësisht të reja dhe një tjetër në rikonstruksion.

Gjimnazi “Dhaskal Todri”, shkolla speciale “Zëra Jete” dhe shkolla 9-vjeçare e fshatit Shushicë do ta nisin vitin shkollor në kushte bashkëkohore.

Aktualisht në ZVA Elbasan nisin klasën e parë 1050 nxënës dhe klasën X 1148 nxënës.

Korça

Në Qarkun e Korçës 18 448 nxënës nisën sot vitin e ri shkollor. Krahasuar me një vit më parë kur institucioneve arsimore iu drejtuan 19 128 nxënës nga klasa I-12, janë 680 nxënës më pak. Sipas të dhënave zyrtare, në klasën e parë për vitin shkollor 2026-2027 janë regjistruar 1351 nxënës, një ulje e lehtë e numrit të tyre krahasuar me një vit më parë ku u regjistruan 1403 nxënës. Në klasën e X, janë regjistruar 1566 nxënës ndërsa një vit më parë u regjistruan 1569 nxënës.

Shkodër

Dyert e shkollave në Shkodër janë hapur sot për nisjen e vitit të ri shkollor. Në sistemin publik janë rreth 10 mijë e 800 nxënës, shifër që mbetet pothuajse e njëjtë me një vit më parë.

Në klasat e para këtë vit janë regjistruar 780 nxënës, ndërsa një vit më parë ishin rreth 800. E njëjta shifër prej rreth 780 nxënësish raportohet edhe për vitin e parë të gjimnazit, nga 800 që ishin vitin e kaluar.

Në total, duke përfshirë arsimin publik dhe atë privat, në bankat e shkollave në Shkodër ulen këtë vit rreth 15 mijë nxënës.

Vlora

11 540 nxënës nisin sot vitin e ri shkollor në Vlorë dhe Himarë. 790 nxënës nisin vitin e ri shkollor në Bashkinë Selenicë. Prej të dhënave të Zyrës Arsimore Vlorë-Himarë, numri i nxënësve është në ulje. 47 nxënës më pak se një vit më parë, kur në bankat e shkollës u ulën 11 587 nxënës. Në ulje gjithashtu edhe në Selenicë, ku këtë vit kemi më pak nxënës.

Drejtoresha e Zyrës Arsimore Vlorë-Himarë Gentiola Shehu jep mesazhin e saj të urimit nga një prej shkollave të qytetit. Shehu konfirmon se të gjitha shkollat janë gati për nisjen e vitit të ri. Sipas Shehut, ka pasur ndërhyrje edhe në infrastrukturë për përmirësimin e shkollave. Sipas saj, në Vlorë dhe Himarë nuk ka shkolla që mbyllen apo bashkohen.

Në nisje të vitit të ri shkollor, nga Vlora uron edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila thekson edhe përgatitjet për këtë vit të ri shkollor në Vlorë.

Edhe vetë nxënësit e shkollave të qytetit shprehen të gëzuar për nisjen e vitit të ri shkollor. Me lule në duar, ata urojnë shokët dhe shoqet e tyre, por edhe mësuesit.

Në klasat e para, në dy qytetet, Vlorë dhe Himarë, ulen për herë të parë në bankat e shkollës 895 nxënës. Në Selenicë, numri i tyre është 54 nxënës. Në të tria bashkitë e qarkut të Vlorës, numri i nxënësve në klasat e para është gjithashtu në ulje.

Fieri

Nis viti i ri shkollor 2026-2027, rreth 48 mijë nxënës në bankat e shkollës në rajonin e DRAP Fier

Viti shkollor 2026-2027 fillon më 14 shtator në 212 shkolla 9-vjeçare, 55 shkolla të bashkuara (nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë) dhe 38 shkolla të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë gjimnazet dhe shkollat me orientim artistik në rajonin e DRAP Fier.

Sipas të dhënave zyrtare, në këto institucione janë regjistruar 36.190 nxënës të arsimit bazë dhe 11.587 nxënës në gjimnaze dhe shkolla të mesme artistike, duke e çuar numrin total të nxënësve në 47.777.

Në qarkun e Fierit do të funksionojnë 129 shkolla 9-vjeçare, 26 shkolla të bashkuara dhe 16 shkolla publike të arsimit të mesëm të lartë, mes tyre edhe një shkollë të bashkuar me orientim artistik. Numri i përgjithshëm i nxënësve në qarkun e Fierit është 25.951, ose 54% e totalit të rajonit, më shumë se numri i nxënësve në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës së bashku, të cilat janë pjesë e juridiksionit të DRAP Fier.

Durrës

Zilja e parë e shkollës ka tingëlluar këtë 14 shtator edhe për mijëra nxënës në Durrës, duke shënuar nisjen e një tjetër viti shkollor. Oborret dhe klasat janë mbushur me fëmijë e të rinj, ndërsa për rreth 1900 prej tyre kjo është dita e parë në bankat e shkollës.

Por jo të gjitha shkollat e Durrësit i kanë hapur sot dyert. Edhe këtë vit disa shkolla do të vijojnë në turnin e dytë pasi janë ende në proces rikonstruksioni, ose nuk kanë nisur ende të rindërtohen, siç është rasti i gjimnazit “Gjergj Kastrioti”. Kjo ka bërë që nisja e vitit të ri shkollor të mos jetë e njëjtë për të gjithë nxënësit.

Në 54 institucionet e arsimit parauniversitar në Bashkinë Durrës do të mësojnë këtë vit rreth 26 mijë nxënës. Përveç vogëlushëve që nisin shkollën këtë vit, edhe rreth 2050 nxënës do të ulen për herë të parë në bankat e gjimnazit, duke nisur klasën e dhjetë.

Një vit i ri shkollor që nis me emocionet e ditës së parë, por edhe me sfidën e proceseve të rikonstruksionit.

Lushnjë

Viti i ri shkollor 2026–2027 në Lushnjë nis me një rritje të numrit të nxënësve. Në total, këtë vit do të ndjekin arsimin 6,937 nxënës, ose 298 më shumë krahasuar me vitin e kaluar shkollor, kur numri ishte 6,639.

Në klasën e parë këtë vit janë regjistruar 522 nxënës, ndërsa në klasën e dhjetë janë 495 nxënës. Në vitin shkollor 2025–2026, në klasën e parë ishin 494 nxënës dhe në klasën e dhjetë 558.

Në Lushnje funksionojnë 44 institucione publike arsimore: 22 shkolla 9-vjeçare, 9 shkolla vartëse, 4 gjimnaze dhe 9 shkolla të mesme të bashkuara. Ndërsa në arsimin jopublik janë 3 shkolla 9-vjeçare dhe 3 gjimnaze.

Dibër

Rreth 12 mijë e 352 nxënës janë regjistruar në institucionet arsimore të Qarkut Dibër për vitin e ri shkollor 2026-2027.

Në Bashkinë Dibër janë regjistruar 6 mijë e 60 nxënës. Bashkia ka 34 drejtori dhe 67 shkolla varëse, ndërsa funksionojnë 5 gjimnaze dhe një shkollë profesionale, të gjitha publike. Nga numri total, 4 mijë e 600 janë nxënës të klasave 1-9 dhe 1 mijë e 460 nxënës të klasave 10-13. Këtë vit, klasën e parë do ta nisin 467 nxënës.

Në Bashkinë Bulqizë janë regjistruar 2 mijë e 887 nxënës nga klasat 1-12, ndërsa 234 prej tyre janë nxënës të klasës së parë.

Në Bashkinë Mat janë regjistruar 2 mijë e 105 nxënës në klasat 1-12.

Ndërsa në Bashkinë Klos, për vitin shkollor 2026-2027 janë regjistruar 1 mijë e 300 nxënës, nga të cilët 90 do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Gjirokastra

3065 nxënës janë ulur në bankat e shkollës në Gjirokastër me nisjen e vitit të ri shkollor. 218 vogëlushë do të nisin rrugëtimin e dijes në klasë të parë, shifër kjo thuajse e njëjtë me vitin e kaluar ku në klasë të parë u regjistruan 201 fëmijë.

E njëjta situatë është edhe me regjistrimet në klasën e dhjetë ku numri i nxënësve është thuajse i barabartë me vitin e kaluar. Këtë vit në klasë të dhjetë janë regjistruar 279 nxënës, ndërsa vitin e kaluar 254.

Problematike mbetet situata për nxënësit e shkollës “Urani Rumbo”, të cilët janë të detyruar të zhvillojnë mësim me turne për shkak të rikonstruksionit të shkollës. Veç vështirësive në mësim, problem në këtë shkollë mbetet edhe implementimi i programit “After School”.

Në Gjirokastër sfidë më vete mbetet rritja e cilësisë së mësimdhënies, sidomos në zonat rurale ku klasat janë shpesh me dy ose tre nxënës dhe larg shkollave të bashkuara.

Bulqizë

Pas pushimeve të verës, zilet e shkollës kanë tingëlluar sërish në Bulqizë. Oborret janë mbushur me nxënës, emocione, përqafime dhe urime për një vit të ri shkollor.

Në Bashkinë Bulqizë, këtë vit shkollor janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 745 nxënës. Prej tyre, 226 janë nxënës të klasës së parë, ndërsa 218 nxënës kanë nisur klasën e 10-të.

Viti i ri shkollor nis me urime për nxënësit dhe mësuesit, në një tjetër kapitull të rrugëtimit të tyre arsimor.

Lezhë

Në Qarkun e Lezhës ka nisur viti i ri shkollor, me mijëra nxënës që janë rikthyer në banka në bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë.

Në total, vitin e ri shkollor e nisin 13 170 nxënës. Në klasën e parë janë regjistruar 1 015 nxënës, 43 më shumë se një vit më parë, ndërsa në klasën e dhjetë janë regjistruar 950 nxënës, 18 më pak krahasuar me vitin e kaluar. Krahas tyre, 195 nxënës janë regjistruar në dy shkollat profesionale të qarkut, duke e çuar numrin e regjistrimeve në klasën e dhjetë në 1 145 nxënës.

Në tre bashkitë e qarkut hapin dyert 57 shkolla qendër dhe 21 shkolla vartëse. Bëhet fjalë për 39 shkolla 9-vjeçare, 7 gjimnaze dhe 11 shkolla të mesme të bashkuara. Dy shkollat profesionale nuk përfshihen në këtë numër. Top Channel