Plarent Ndreca deklaroi në studion e “Shqipëria Live” se nuk ka më arsye që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të mbahet në paraburgim, ndërsa theksoi se ndërhyrja e mundshme në prova nuk mund të prezumohet, por duhet të mbështetet në fakte konkrete. Duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Ndreca tha se një nga elementet e evidentuara është fakti që gjykatat nuk kanë arsyetuar si duhet masën e sigurisë, duke marrë në konsideratë edhe mandatin e Veliajt si i zgjedhur drejtpërdrejt.
“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar mungesën e një arsyetimi, që të treja shkallët e gjyqësorit nuk kanë vlerësuar elemente të tjera, siç është që z. Veliaj ka një mandat kushtetues në raport me ndërhyrjen potenciale të mundshme. Edhe rrethana e faktit që masa e sigurimit ka rënë si arsye”, tha Ndreca.
Sipas tij, koha e kaluar nga përfundimi i hetimeve është një tjetër argument që duhet të merret parasysh në vlerësimin e masës së sigurisë.
“Edhe rrethana e faktit që masa e sigurimit ka rënë si arsye. Ka kaluar një vit që hetimi ka përfunduar dhe nuk ka asnjë arsye që z.Veliaj të mbahet në masën ekstreme të sigurisë. Gjykata Kushtetuese me të drejtë vendosi si arsye shtesë ë kemi të bëjmë me një të zgjedhur politik. Nuk ka asnjë mundësi të ketë cenim të provave. Prokuroria është e gatshme t’i drejtohet gjykatës. Prezumohet që prokuroria e ka përfunduar të gjithë procesin e saj dhe i ka të gjitha provat për të bindur gjykatën.
Arsyeja që mbahet në paraburgim është ajo që thonë zotërinjtë e Gjykatës Kushtuese, që gjykatat nuk kanë vlerësuar si duhet raportin e Veliajt”, tha avoakti Ndreca Top Channel

