Lajme Zone
Nga TVSH, akciza deri te dividendi, Bashkimi i Prodhuesve analizon efektet e paketës fiskale
EkonomiCNA

Nga TVSH, akciza deri te dividendi, Bashkimi i Prodhuesve analizon efektet e paketës fiskale

Shoqatat e biznesit, në një takim të organizuar nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, prezantuan analizën e efekteve që pritet të kenë masat e propozuara në paketën fiskale mbi aktivitetin e bizneseve. Në nisje të takimit, drejtuesit e shoqatave të biznesit dhe ekspertët fiskalë të pranishëm kundërshtuan mungesën e konsultimeve me sipërmarrjen gjatë hartimit të paketës fiskale. Sipas tyre, ndryshim

Shoqatat e biznesit, në një takim të organizuar nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, prezantuan analizën e efekteve që pritet të kenë masat e propozuara në paketën fiskale mbi aktivitetin e bizneseve.

Në nisje të takimit, drejtuesit e shoqatave të biznesit dhe ekspertët fiskalë të pranishëm kundërshtuan mungesën e konsultimeve me sipërmarrjen gjatë hartimit të paketës fiskale. Sipas tyre, ndryshimet e propozuara pritet të sjellin shtim të kostove për biznesin e vogël dhe të ndikojnë në planet e kompanive për shpenzimet, në kushtet e niveleve aktuale të taksave.

Arben Shkodra, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve, theksoi nevojën për krijimin e një mekanizmi të besueshëm që garanton dialogun mes institucioneve dhe biznesit përpara miratimit të ndryshimeve në legjislacionin fiskal.

Edvin Prençe kryetari i Shoqatës ProEksport Albania, e konsideroi paketën fiskale më tepër se një paketë masash, një nismë që do të rrisë kostot për biznesin. Ai paralajmëroi vështirësi edhe për sektorin fason.

Edhe përfaqësuesi i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Zak Topuzi tha se rritja e TVSH-së nga 6% në 10% për turizmin do të ndikojë në humbjen e konkurrueshmërisë së sektorit, në një kohë kur vendet fqinje, si Mali i Zi, zbatojnë norma më preferenciale.

Gjatë takimit, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve prezantoi edhe analizën e anëtarëve të shoqatës mbi efektet e secilës prej masave të propozuara.

Rritja e tatimit mbi dividendin sipas analizës së Shoqatës të Bashkimit të Prodhuesve do të ulë fitimin neto që përfitojnë aksionerët për të njëjtën shumë dividendi bruto të shpërndarë, duke kufizuar edhe mundësitë për riinvestimin e këtyre të ardhurave në kapitalin e kompanive. Një tjetër shqetësim lidhet me pasigurinë për trajtimin fiskal të fitimeve të vitit 2026. Për këtë arsye, kërkohet qartësimi i normës që do të zbatohet në varësi të momentit të vendimit, deklarimit dhe shpërndarjes së dividendit.

Për uljen e pragut të detyrueshëm të regjistrimit në TVSH, Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë ngre shqetësimin se kjo masë rrezikon të nxisë fragmentimin e bizneseve, përmes ndarjes artificiale të aktiviteteve për të qëndruar nën pragun e regjistrimit. Ndërkohë, bizneset e vogla do të përballen me detyrime të reja për deklarimin dhe administrimin e TVSH-së. Kostot e kontabilitetit dhe të përmbushjes së detyrimeve tatimore mund të rëndojnë më tej aktivitetin e tyre.

Rritja e TVSH-së standarde sipas bashkimit të Prodhuesve rrezikon të shtrenjtojë produktet dhe shërbimet, të frenojë konsumin dhe të ulë marzhet e fitimit të bizneseve që nuk arrijnë t’ua kalojnë kostot konsumatorëve. Kjo mund të dobësojë konkurrueshmërinë e bizneseve formale përballë sektorit informal. Ndërkohë, aplikimi i TVSH-së 6% për 54 produkte të shportës mund të krijojë mundësi për çmime më konkurruese dhe lehtësim të barrës fiskale për prodhuesit vendas. Megjithatë, blerja e lëndëve të para me TVSH 20% ose 21% dhe shitja e produkteve me 6% mund të krijojë teprica kreditore, duke shtuar presionin mbi likuiditetin dhe kostot e financimit të kompanive.

Analiza e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë për efektet e Paketës Fiskale

Ulja e pragut të regjistrimit në TVSH: Efektet e mundshme për bizneset e vogla

-Pa përfitim të drejtpërdrejtë për konsumatorin: Ulja e pragut nuk garanton uljen e çmimeve apo transferimin e TVSH-së te konsumatori.

-Rrezik për fragmentimin e bizneseve: Mund të nxisë ndarjen artificiale të aktiviteteve për të qëndruar nën pragun e regjistrimit.

-Rritje e kostove administrative: Bizneset e vogla përballen me detyrime të reja për deklarimin dhe administrimin e TVSH-së.

-Barrë shtesë financiare: Kostot e kontabilitetit dhe të përmbushjes së detyrimeve tatimore mund të rëndojnë aktivitetin e bizneseve të vogla.

Rritja e TVSH-së standarde: Efektet e mundshme për bizneset

-Rritje e çmimeve: Nëse TVSH-ja shtesë u kalohet konsumatorëve, produktet dhe shërbimet mund të shtrenjtohen.

-Ulja e marzheve të fitimit: Nëse bizneset nuk arrijnë të rrisin çmimet, mund të përballen me tkurrje të fitimit.

-Dobësim i kërkesës: Rritja e çmimeve mund të frenojë konsumin dhe të ulë kërkesën për mallra e shërbime.

-Humbje e konkurrueshmërisë: Bizneset formale mund të përballen me kosto më të larta dhe konkurrencë të pandershme nga sektori informal.

TVSH 6% për 54 produkte të shportës: Efektet e mundshme për prodhuesit

Përfitimet e mundshme

-Çmime më konkurruese: Ulja e TVSH-së mund të krijojë hapësirë për çmime më të favorshme për konsumatorët.

-Lehtësim i barrës fiskale: Mundësi për përmirësimin e pozicionit konkurrues të produkteve vendase, nëse ulja reflektohet në çmime.

Rreziqet për prodhuesit

-Teprica kreditore të TVSH-së: Blerja e lëndëve të para me TVSH 20% ose 21% dhe shitja e produkteve me 6% mund të krijojë teprica kreditore.

-Presion mbi likuiditetin: Vonesat në rimbursimin e TVSH-së mund të kufizojnë kapitalin e disponueshëm për aktivitetin.

-Kosto shtesë financimi: Nevoja për kredi për të përballuar diferencën e TVSH-së mund të rrisë shpenzimet e interesit.

Norma 30% mbi pjesën e pagës mbi 700 mijë lekë: Efektet e mundshme për bizneset

– Presion për rritjen e pagave bruto, nëse biznesi synon të ruajë pagën neto të punonjësve të prekur.

– Mund të vështirësojë tërheqjen dhe mbajtjen e drejtuesve dhe specialistëve me paga të larta.

– Nevojë për përshtatjen e listëpagesave dhe rishikimin e marrëveshjeve të pagës neto.

Me pagë bruto të pandryshuar, kostoja e punëdhënësit nuk rritet automatikisht.

Rritja e tatimit mbi dividendin efektet te bizneset

-Më pak fitim neto për aksionerët, për të njëjtën dividend bruto të shpërndarë

-Më pak mundësi për shtimin e kapitalit nga aksionerët përmes riinvestrimit të dividentëve neto

-Duhet sqaruar trajtimi i fitimeve të vitit 2026; Cila normë zbatohet sipas momentit të vendimit, deklarimit dhe shpërndarjes së dividentit?

Nafta dhe taksa e automjetit

Efektet e mundshme për bizneset

Përfitimet e mundshme

– Kosto më të ulëta transporti, shpërndarjeje dhe përdorimi të makinerive.

– Lehtësim më i madh për aktivitetet me konsum të lartë nafte.

– Më pak para për furnizimin e përditshëm me karburant.

Kostot dhe kufizimet

– Taksa më e lartë e automjeteve mund të pakësojë ose të tejkalojë kursimin.

– Përfitim më i vogël për flotat me shumë mjete që përdoren pak.

– Transporti i kontraktuar kushton më pak vetëm nëse ulen tarifat.

Përfitimi neto varet nga konsumi i naftës dhe shtesa e taksës së automjeteve.

Rritja e akcizës për cigaret

Efektet e mundshme për tregtarët

– Presion mbi marzhin e tregtimit, nëse rritet çmimi i furnizimit dhe çmimi i shitjes nuk përshtatet.

– Nevojë për më shumë kapital qarkullues për të njëjtën sasi stoku, nëse furnizimi shtrenjtohet.

– Mundësi për ulje të volumit të shitjeve, nëse rritja e çmimit përfundimtar ndikon te kërkesa. /Monitor Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.