Një 26-vjeçar belg ka kaluar nga puna si shitës makinash në një jetë brenda familjes mbretërore, pasi është njohur ligjërisht si djali i Princit Laurent të Belgjikës.
Clément Vandenkerckhove, i lindur nga marrëdhënia e Princit Laurent me këngëtaren belge Wendy Van Wanten, është njohur zyrtarisht si djali dhe trashëgimtari i tij. Ceremonia e njohjes është zhvilluar në mënyrë diskrete në një bashki rreth gjashtë muaj më parë, ndërsa lajmi është bërë publik vetëm tani.
Me njohjen zyrtare, Vandenkerckhove merr titullin princ, por nuk do të përfitojë pagesë nga fondet publike dhe nuk do të jetë pjesë e linjës së trashëgimisë së fronit belg. Ai gjithashtu nuk pritet të marrë pjesë në aktivitetet publike të familjes mbretërore.
Pavarësisht statusit të ri, 26-vjeçari nuk është i sigurt nëse do të përdorë mbiemrin aristokratik Saxe-Coburg, që lidhet me familjen mbretërore belge.
“Mund të dua ta bëj këtë, por jam krenar për mbiemrin Vandenkerckhove”, është shprehur ai për Het Nieuwsblad. Sipas tij, heqja dorë nga mbiemri i nënës do të ishte “një tradhti ndaj gjithçkaje që nëna ime ka bërë për mua”.
Historia e tij është edhe më e pazakontë. Clément tregoi se në vitin 2013, kur ishte ende fëmijë, u takua rastësisht me Princin Laurent në një qendër tregtare, pa e ditur se ai ishte babai i tij. Vetëm në moshën 16-vjeçare nëna i tregoi identitetin e të atit.
Katër vite më vonë, Clément mori guximin ta telefononte Princin Laurent. Pas disa komunikimeve, të dy u takuan dhe ishte vetë princi që propozoi kryerjen e një testi ADN-je.
Të dy shkuan së bashku në spital dhe analiza konfirmoi një përputhje prej 99.5% të ADN-së.
Historia e tij u bë e njohur për publikun belg edhe përmes një dokumentari televiziv të transmetuar vitin e kaluar.
Një histori që përsëritet në familjen mbretërore
Rasti i Clément ka një ngjashmëri të fortë me historinë e babait të Princit Laurent, ish-mbretit Albert II.
Edhe Alberti i II u përball me një betejë të gjatë ligjore për atësinë. Në vitin 2020 ai pranoi se kishte një vajzë nga një lidhje jashtëmartesore dhe njohu zyrtarisht si të bijën Delphine Boël, e cila më pas fitoi të drejtën për titullin e princeshës.
Ndërsa Clément tashmë është princ, ai nuk ka të drejtë në fronin belg dhe nuk do të ketë rol zyrtar në jetën publike të monarkisë.

