Një piceri në Katania të Italisë ka vendosur një tabelë të pazakontë në ambientet e saj: “Influencerët nuk janë të mirëpritur”, pas një episodi ku, sipas pronarit, një influencer me më shumë se 400 mijë ndjekës në Instagram u largua nga lokali pa paguar faturën.
Sipas pronarit të picerisë “L’Evoluzione”, Lele Scandurra, influenceri kishte rezervuar një tavolinë si çdo klient tjetër dhe kishte ardhur për darkë me një mik. Mes tyre nuk kishte asnjë marrëveshje për bashkëpunim apo publikim në rrjetet sociale.
Në fund, fatura ishte rreth 60 euro, por dy klientët, sipas pronarit, u larguan pa kaluar në arkë. Scandurra tregon se fillimisht mendoi se mund të kishte ndodhur ndonjë keqkuptim dhe madje doli t’i kërkonte jashtë lokalit, por nuk arriti t’i gjente.
Në ditët në vijim, sipas tij, nuk pati asnjë mesazh apo shpjegim nga influenceri. Pronari thotë se pikërisht ky episod e shtyu të marrë një qëndrim më të prerë ndaj bashkëpunimeve me influencerë.
Scandurra pranon se në të kaluarën ka bashkëpunuar me disa krijues përmbajtjeje dhe food bloggerë, por thotë se tashmë ka vendosur ta mbyllë këtë kapitull. Sipas tij, marrëdhënia mes restoranteve dhe influencerëve nuk duhet të bazohet te ideja se një vakt falas mund të këmbehet automatikisht me promovim.
“Nuk pranoj personazhe, pranoj njerëz”, shprehet pronari, duke theksuar se nuk kërkon më pagesën e 60 eurove, por një shpjegim dhe një ndjesë.
Mesazhi i tij për influencerin është i drejtpërdrejtë: “Vazhdo të bësh punën tënde, por nëse shkon si klient, paguaj si të gjithë të tjerët.”

