Ndonjëherë, për të gjetur paqen, duhet të arratisesh drejt egërsisë. Aty ku rruga mbaron, ku makinat dorëzohen dhe ku telefoni nuk ka më valë, nis aventura e vërtetë. Katër miq, një natë nën yje dhe një liqen i fshehur në zemër të vargmalit të Korabit. Një udhëtim mes adrenalinës, shijeve bio të staneve dhe qetësisë që vetëm mali mund ta dhurojë. DITA E PARË Udhëtimi i grupit nis nga Peshkopia në orën 14:00. Pasi lihet pas asfalti i fshatit Sllatinë, rruga kthehet në një sfidë të vërtetë për makinat e larta. Sokoli, Nekiu, Arturi dhe Mahiri kanë marrë me vete gjithçka që duhet për një natë kamping nën yje. LEXO EDHE:Fishta, fshati që po ndërton të ardhmen përmes turizmit! Vizitorët: Përvojë e veçantë, mikpritje, natyrë dhe ushqim i shijshëm Rrugës ata bëjnë një ndalesë në pyll. Mbledhin me kujdes vetëm dru të rëna dhe të thata. Parimi i parë i malit: shijo natyrën, pa e dëmtuar atë. Pas një ore e gjysmë udhëtimi, mali hapet. Mbi 2 mijë e 300 metra mbi nivelin e detit, aty ku qielli prek majat e vargmalit të Korabit, fshihet një nga xhevahirët e egër të Dibrës. Para tyre shfaqen pllajat e pafundme të Gramës dhe pasqyra e qetë e liqenit të saj. Vendi perfekt për ngritjen e kampingut. Nuk ka kohë për të humbur, detyrat ndahen shpejt. Sokoli dhe Mahiri merren me ngritjen e çadrës komode. Arturi ndez zjarrin e kampit, ndërsa Nekiut i besohet sekreti i darkës së traditës. Nata bie shpejt në bjeshkë. Mes ajrit të pastër që mbush mushkëritë dhe zhurmës mistike të liqenit, koha ndalon. Rreth orës 1 të mëngjesit, djemtë dorëzohen në gjumin e thellë që të fal vetëm ky masiv malor. DITA E DYTË Mëngjesi në Gramë ka shijen e ujit të ftohtë të liqenit dhe aromën e kafesë që fillon të ziejë mbi prush, teksa dita e re plot aventura bëhet gati të nisë. Ndërsa Arturi qëndron për të ruajtur kampingun, pjesa tjetër e grupit niset drejt staneve të Kaloshit. Nga ky kep, peizazhi të merr frymën. Shtëpiza të vogla druri, të përshtatura bukur për turistët e aventurës, dëshmojnë se turizmi po zgjohet edhe këtu. Në Bjeshkët e Gramës, shija është po aq autentike sa peizazhi. Grupi ndalon në baxhon e Nderim Çibakut. Me një përvojë plot 49-vjeçare, ai mban gjallë zanatin e përpunimit bio të qumështit të deles. Pas vizitës në baxho, djemtë rikthehen në kamp për pjesën më emocionante të udhëtimit: pak rafting në ujërat e qeta të Liqenit të Gramës. Nën udhëheqjen e Sokolit, si një guidë me përvojë, gomonia çan ujin e ftohtë. Një dozë adrenaline e pastër në mes të një qetësie që nuk eksiston askund tjetër. Pas drekës, vjen koha e largimit. Grupi paketon materialet dhe kujdeset që vendi të mbetet po aq i pastër sa u gjet. Kampingu në mal është një përjetim unik. Ai bashkon adrenalinën e aventurës, qetësinë e natyrës dhe paqen shpirtërore nën një qiell plot yje. Bjeshkët e Gramës në Dibër mbeten ftesa më e bukur për të rigjetur veten dhe për të ndjerë magjinë e maleve në çdo hap. SI.E./E.H/Shqiptarja.com TAG: turizmi bjeshket e grames Diber Komento Komente Sondazhi i ditës:
24 Korrik, 13:38
Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 63.9% Jo 29.1% Nuk e di 7% Vota total: 3837 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Korrik, 13:38 Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?
