Protesta në Tiranë Gazeta austriake “Kurier” i ka kushtuar një analizë protestave kundër qeverisë shqiptare, duke evidentuar se lëvizja e nisur kundër projektit turistik të Jared Kushner është kthyer në një revoltë kundër Edi Ramës. Por një element tjetër tërheq vëmendjen: protestuesit nuk pranojnë as Sali Berishën si alternativë politike... Vizita e Edi Ramës në Vjenë, ku të hënën do ta presë me nderime ushtarake kancelari austriak Christian Stocker, vjen në një moment kur Shqipëria po përjeton protesta të forta kundër qeverisë. Kështu e nis gazeta austriake “Kurier” artikullin me titull “Shqipëria në kaosin e protestave, ndërsa Edi Rama është në Vjenë”, duke e vendosur përballë njëra-tjetrës pritjen zyrtare të kryeministrit shqiptar në Austri dhe situatën politike në Tiranë.
Sipas gazetës, vizita në Austri do të jetë një shkëputje e mirëpritur për Ramën nga protestat që prej muajsh po zhvillohen në Shqipëri. Por përtej protokollit diplomatik, “Kurier” ndalet te interesat e mëdha ekonomike që lidhin Austrinë me Shqipërinë.
Austria është investitori i gjashtë më i madh i huaj në vend, ndërsa gjatë vitit 2025 shkëmbimet tregtare mes dy shteteve arritën nivelin më të lartë historik. Gazeta thekson se pikërisht këto lidhje ekonomike e kanë kthyer Austrinë në një prej mbështetëseve më të forta të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Shqipëria, vend kandidat që prej qershorit 2014, synon anëtarësimin deri në vitin 2030 dhe, sipas vlerësimit të gazetës, në dokumentet e procesit të zgjerimit renditet pas Malit të Zi për perspektivën e integrimit.
Por ndërsa në Vjenë përgatitet pritja zyrtare, në Tiranë protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit që drejton qeverinë prej 13 vitesh.
Nga flamingot e Jared Kushner te protesta kundër qeverisë
“Kurier” i kushton vëmendje të veçantë asaj që e quan “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje që, sipas raportimit të saj, nisi si kundërshtim ndaj një projekti turistik luksoz, ku përfshihet edhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Projekti parashikohet në një zonë që gazeta e identifikon si habitat shumimi të flamingove. Por protesta mjedisore, sipas medias austriake, ka marrë përmasa shumë më të gjera dhe është kthyer në një lëvizje kundër qeverisë.
Gazeta raporton se të martën studentët nisën protesta kundër kushteve të dobëta të studimit dhe kostove të larta të arsimit. Gjatë përplasjeve, persona që morën pjesë në trazira i vunë zjarrin Ministrisë së Arsimit, dëmtuan ndërtesa të tjera, shkatërruan bankomate dhe hodhën gurë e bomba molotov.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe arrestime. Sipas “Kurier”, protestat konsiderohen ndër më të mëdhatë që ka përjetuar Shqipëria që prej rrëzimit të diktaturës komuniste në vitin 1991.
Megjithatë, gazeta nuk e kufizon analizën vetëm te dhuna në rrugë. Ajo ndalet te shkaqet ekonomike dhe politike të pakënaqësisë, duke përmendur emigrimin e të rinjve, mungesën e perspektivës, korrupsionin dhe mënyrën se si qeveria trajton investitorët e huaj.
Kontratat 99-vjeçare dhe privilegjet për investitorët
Një nga pjesët më domethënëse të artikullit lidhet me politikat e qeverisë shqiptare për investimet në turizëm.
“Kurier” shkruan se qeveria mbështet projekte prestigji dhe investime të mëdha ndërtimi nga kapitali i huaj, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe vendet e Gjirit Persik.
Gazeta përmend përjashtimet nga tatimi mbi fitimin për hotelet me katër dhe pesë yje, si dhe kontratat e qirasë që mund të shtrihen deri në 99 vite.
Pikërisht kundër kësaj politike, sipas raportimit, protestuesit përdorin sloganin: “Shqipëria nuk është në shitje”.
Ky është edhe një nga elementet që media austriake evidenton për të shpjeguar se përse kundërshtimi i një projekti të veçantë turistik është zgjeruar në një protestë kundër politikave të qeverisë Rama.
Ndërkohë, kryeministri ka zgjedhur t'ia atribuojë opozitës përgjegjësinë për dhunën.
“Kurier” citon një video të publikuar të enjten nga Rama, ku ai shfaqet në një zyrë të shkatërruar dhe të djegur në një kampus universitar në Tiranë.
“Këto nuk janë duart e studentëve, por të opozitës, e cila dëshiron ta çojë Shqipërinë në humnerë”, deklaroi Rama, sipas gazetës austriake.
Kryeministri pretendoi gjithashtu se protestat e dhunshme synojnë të pengojnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Por gazeta austriake evidenton një fakt tjetër politik, i cili nuk përputhet me përpjekjen e Ramës për t'i identifikuar protestuesit me opozitën.
Protestuesit kundër Ramës, por nuk pranojnë as Berishën
Sipas “Kurier”, ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, aktualisht drejtues i Partisë Demokratike, ka shprehur mbështetjen për protestat.
Megjithatë, gazeta thekson se protestuesit nuk e konsiderojnë Berishën alternativë ndaj Ramës. Përkundrazi, gjatë manifestimeve janë dëgjuar thirrje kundër të dy politikanëve.
“Rama në burg, Berisha në burg!”, është një nga sloganet që citon media austriake.
Gazeta raporton gjithashtu se politikanë të njohur të opozitës, të cilët kanë tentuar t'u bashkohen demonstratave, janë larguar nga protestuesit.
Ky është një dallim i rëndësishëm politik në raportimin e “Kurier”. Ndërsa Rama e lidh dhunën me opozitën dhe Berisha përpiqet të shfaqet në mbështetje të protestave, gazeta përshkruan një lëvizje që nuk dëshiron të identifikohet me asnjërin prej tyre.
Në artikull përmendet edhe roli historik i Berishës në krizën e vitit 1997, kur Shqipëria përjetoi trazira të rënda dhe ai u detyrua të largohej nga pushteti pas zgjedhjeve parlamentare.
Projekti i Kushner dhe hetimet e SPAK
Në fund të analizës, “Kurier” ndalet te zhvillimet që lidhen drejtpërdrejt me projektin turistik të Jared Kushner.
Sipas gazetës, protestuesit kanë arritur të paktën një rezultat konkret: punimet për resortin luksoz janë pezulluar.
Media austriake raporton gjithashtu se Prokuroria e Posaçme shqiptare po heton pretendime për parregullsi dhe dyshime për falsifikim dokumentesh pronësie që lidhen me projektin.
Artikulli i “Kurier” e vendos Edi Ramën në dy realitete të ndryshme politike. Në Austri, ai do të pritet si kryeministër i një vendi kandidat për anëtarësim në BE, me të cilin Vjena ka interesa të konsiderueshme ekonomike. Në Shqipëri, sipas raportimit të gazetës, ai përballet me një lëvizje proteste që kërkon dorëheqjen e tij, por që njëkohësisht refuzon të përfaqësohet nga opozita e Sali Berishës.
Pikërisht ky refuzim i dy drejtuesve kryesorë politikë përbën një nga elementet qendrore të raportimit austriak. Protestuesit që citon “Kurier” nuk kërkojnë thjesht zëvendësimin e Ramës me Berishën, por kundërshtojnë të dy figurat që kanë dominuar politikën shqiptare për dekada. /Përshtati Pamfleti/ protesta rama viena Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike “O sot o kurrë”, Koçeku mesazh Ramës: PS ka nevojë për më shumë zëra kritikë! 17 Tetor 2026, 11:5511:55Politike “Maskat e rrugës dhe klounët e mbrëmjes”, Rama sulmon opozitën: Dhuna nuk jep mandat për pushtet 17 Tetor 2026, 11:1211:12Politike Nga flamingot e Nartës te zjarri në Tiranë, çfarë fshihet pas protestave në Shqipëri 17 Tetor 2026, 10:3510:35Politike “Ik sot, nesër do të jetë vonë”, mjeku i njohur mesazh Ramës: Trim është edhe ai që largohet 17 Tetor 2026, 09:5509:55Politike Shqipëria në kaos, Rama vijon ‘show-n’ dhe nxjerr nga sirtari shpikjen e radhës 17 Tetor 2026, 08:4708:47Politike Protestat i rrëzojnë Ramës fasadën, jehonë ndërkombëtare për revoltën studentore 17 Tetor 2026, 08:0108:01Politike

