18 MINUTA ME PARE Vijojnë tensionet, policia ndërhyn me plumba gome; studentëve u jepet ndihma e parë në ambulanca Vijojnë tensionet Disa të rinj kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së sotme në Rrugën e Durrësit, në Tiranë, ndërsa janë ngritur dyshime se ndaj tyre janë përdorur plumba gome. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e lëndimeve apo për përdorimin e këtij lloji municioni nga forcat e policisë.
Pamjet nga terreni tregojnë protestues me shenja goditjeje në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa një ambulancë ka mbërritur në zonën ku po zhvilloheshin përplasjet për t'u dhënë ndihmë mjekësore personave të lënduar.
Mbërritja e ambulancës është shoqëruar me një tjetër moment tensioni. Disa protestues kanë ndaluar automjetin dhe kanë kontrolluar ambientet e tij, përpara se të lejonin vijimin e ndërhyrjes mjekësore.
Ky veprim lidhet me dyshimet që protestuesit kishin ngritur një ditë më parë, sipas të cilave gazi lotsjellës mund të ishte hedhur edhe nga automjete ambulancash. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar dhe nuk ka prova të verifikuara që ambulancat janë përdorur për këtë qëllim.
Pas kontrollit, ambulanca është larguar nga vendngjarja me një protestues të lënduar, për t'i siguruar trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Sipas informacioneve paraprake nga terreni, vetë protestuesit kanë kërkuar që personat e lënduar të trajtohen në vend, duke shmangur transportimin e tyre me ambulancë kur kjo është e mundur nga ana mjekësore.
Incidentet ndodhin në ditën e pestë të protestave studentore, gjatë së cilës demonstruesit kanë vijuar përplasjet me forcat e rendit dhe kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pavarësisht ndërhyrjeve të policisë dhe tensioneve të regjistruara gjatë ditëve të fundit, protestuesit vijojnë mobilizimin, duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë.
Ndërkohë, mbeten për t'u sqaruar rrethanat në të cilat janë lënduar të rinjtë në Rrugën e Durrësit, si dhe pretendimet për përdorimin e plumbave të gomës. Deri në konfirmimin e këtyre informacioneve, shkaku i plagëve të konstatuara te protestuesit mbetet i paqartë. 44 MINUTA ME PARE Përplasje të dhunshme në Tiranë, policia merr terren mes molotovëve dhe gazit lotsjellës Situata në Tiranë vijon të jetë e tensionuar, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit janë zhvendosur nga zona pranë Ministrisë së Arsimit në drejtim të qendrës së kryeqytetit.
Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të larguar protestuesit nga godinat qeveritare dhe për të rimarrë kontrollin e hapësirave ku po zhvillohen përplasjet.
Nga ana tjetër, grupe protestuesish po kundërpërgjigjen duke hedhur gurë dhe kokteje molotov në drejtim të efektivëve të policisë. Përplasjet po zhvillohen në disa segmente të rrugës, ndërsa ndërhyrja e forcave të rendit po i detyron protestuesit të ndryshojnë vazhdimisht pozicionet.
Pika kryesore e tensionit është zhvendosur përgjatë Rrugës së Durrësit, ku policia po avancon dhe po fiton terren. Përdorimi i gazit lotsjellës dhe i autobotëve me ujë po shërben për të zmbrapsur grupet e protestuesve që vijojnë të qëndrojnë përballë forcave të rendit.
Megjithatë, tërheqja e protestuesve nuk ka sjellë përfundimin e përplasjeve. Ata po zhvendosen në drejtim të sheshit Skënderbej, ndërsa herë pas here vijojnë të hedhin sende të forta dhe molotov ndaj policisë.
Në këtë fazë, ndërhyrja policore po përqendrohet te largimi i protestuesve nga objektet qeveritare dhe marrja nën kontroll e Rrugës së Durrësit. Ndërkohë, lëvizja e turmës drejt qendrës po e zhvendos edhe zonën e përplasjes.
Ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për numrin e personave të lënduar apo të shoqëruar nga policia gjatë këtyre incidenteve.
Situata mbetet e paqartë sa i përket vijimit të protestës, pasi protestuesit nuk janë shpërndarë plotësisht, por po lëvizin nga një segment rrugor në tjetrin, ndërsa policia po përpiqet të mbajë nën kontroll hapësirat nga të cilat i ka larguar. 1 ORE ME PARE Molotov dhe gaz lotsjellës në protestë, kërkohet me urgjencë ndërhyrja e ambulancës Ambulanca Situata dramatike në zonën e Rrugës së Durrësit ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve mjekësore. Pas përdorimit masiv të gazit lotsjellës nga forcat e policisë për shpërndarjen e turmës, disa protestues kanë shfaqur probleme të rënda frymëmarrjeje dhe lëndime fizike. Në vendngjarje është kërkuar me urgjencë ardhja e ndihmës së shpejtë, ndërsa mjete të ambulancës kanë arritur me shpejtësi në aksin e Rrugës së Durrësit për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të dëmtuar.
Ekipet mjekësore po japin ndihmën e parë në terren për personat që kanë pësuar asfiksi nga gazi, ndërsa disa prej tyre pritet të transportohen drejt spitalit për mjekim më të specializuar. 1 ORE ME PARE Qetësohet situata në Rrugën e Durrësit, policia bën një hap pas; lëndohet një efektiv policie Qetësohet situata në Rrugën e Durrësit. Policia ka bërë një hap pas, ku prej pothuajse dy orësh po zhvillohet protesta e të rinjve, të cilëve u janë bashkuar edhe gjimnazistë dhe qytetarë të Tiranës.
Gjatë përplasjeve, një efektiv policie ka mbetur i lënduar, ndërsa forcat e rendit kanë tërhequr autobotet me ujë nga pozicionet ku po përballeshin me protestuesit. Pavarësisht ndërhyrjes së policisë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, studentët nuk janë larguar nga protesta. Përplasjet kanë vijuar përgjatë Rrugës së Durrësit dhe rrugicave përreth saj.
Policia ka përdorur dy automjete ujëhedhëse për shpërndarjen e turmës, ndërsa protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të efektivëve.
Gjatë tensioneve, protestuesit kanë hedhur edhe bomba molotov në drejtim të automjeteve ujëhedhëse. 1 ORE ME PARE Policia hedh poshtë pretendimet për përdorimin e plumbave të gomës: Janë shpërqëndrues! Foto ilustruese Policia ka hedhur poshtë pretendimet e protestuesve për përdorimin e plumbave të gomës gjatë përplasjeve para Ministrisë së Arsimit, duke sqaruar se efektivët kanë përdorur mjete shpërqendruese. Gjatë protestës që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, disa protestues kanë pretenduar se policia ka përdorur plumba gome gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e turmës.
Protestuesit kanë dalë para kamerave duke treguar disa objekte, të cilat pretendojnë se janë plumba gome të përdorur nga efektivët gjatë përplasjeve.
Policia ka hedhur poshtë këto pretendime, duke sqaruar se gjatë ndërhyrjes janë përdorur mjete shpërqendruese dhe jo plumba gome. 1 ORE ME PARE Tensione në Durrës, protestuesit hedhin kapsolla në qendër të qytetit Protesta në Durrës vijon të shoqërohet me tensione, ndërsa një grup protestuesish, pas hedhjes së kapsollave në sheshin kryesor të qytetit, është zhvendosur drejt bulevardit “Dyrrah”. Forcat e Policisë janë vënë në ndjekje të tyre.
Situata mbetet e tensionuar në Durrës, ku protestuesit që ndodheshin në sheshin kryesor të qytetit janë vënë sërish në lëvizje, pas hedhjes së disa kapsollave.
Sipas informacioneve të raportuara nga terreni, grupi i protestuesve është larguar nga sheshi dhe ka vijuar marshimin përgjatë bulevardit “Dyrrah”, në drejtim të Pallatit të Sportit.
Menjëherë pas zhvendosjes së tyre, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të protestuesve, duke monitoruar lëvizjet e grupit në rrugët e qytetit.
Kjo situatë vjen pas tensioneve të regjistruara më herët gjatë protestës në Durrës, ku janë raportuar bllokime të akseve rrugore dhe ndërhyrje të forcave të rendit.
Protesta vijon të shoqërohet me lëvizje të protestuesve në zona të ndryshme të qytetit, ndërsa mbetet për t'u parë se si do të zhvillohet situata në vijim. 1 ORE ME PARE Betejë në Rrugën e Durrësit/ Policia ndërhyn me ujëhedhëse e gaz, të rinjtë nuk tërhiqen Protesta Prej pothuajse dy orësh, studentë, gjimnazistë dhe qytetarë po përballen me forcat e policisë në Rrugën e Durrësit në Tiranë. Policia ka ndërhyrë me automjete ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit janë kundërpërgjigjur me gurë dhe mjete të forta. Raportohet edhe për përdorimin e molotovëve dhe për të paktën një person të lënduar... Vijojnë tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve në Rrugën e Durrësit në Tiranë, ku prej pothuajse dy orësh po zhvillohet protesta e studentëve, të cilëve u janë bashkuar edhe gjimnazistë dhe qytetarë të kryeqytetit.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, të rinjtë nuk janë tërhequr nga protesta, ndërsa përplasjet kanë vijuar përgjatë aksit kryesor dhe rrugicave përreth tij.
Policia ka përdorur dy automjete ujëhedhëse për të shpërndarë protestuesit, ndërsa këta të fundit kanë hedhur gurë dhe mjete të tjera të forta në drejtim të efektivëve. Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë hedhur edhe molotovë në drejtim të automjeteve ujëhedhëse.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, të paktën një protestues ka mbetur i lënduar, ndërsa ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për gjendjen e tij. Ndërkohë, policia ka ngritur kordone sigurie dhe ka bllokuar hyrjet drejt Rrugës së Durrësit, duke penguar qytetarët e tjerë që të bashkohen me protestuesit.
Një pjesë e të rinjve ka mbetur e izoluar në rrugicat e lagjeve përreth, ku efektivët e policisë kanë vendosur kordone dhe nuk po i lejojnë të dalin në aksin kryesor. Pjesa tjetër e protestuesve vijon përballjen me forcat e rendit në rrugë.
Për të shpërndarë turmën, policia po përdor sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe ujë me presion. Nga vendngjarja raportohet gjithashtu se efektivët kanë përdorur edhe plumba gome, por ky informacion ende nuk ka marrë konfirmim zyrtar.
Tymi dhe gazi lotsjellës kanë mbuluar zonën ku po zhvillohen përplasjet, ndërsa policia po vijon ndërhyrjen për të marrë kontrollin e Rrugës së Durrësit.
Deri tani nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të lënduar apo të shoqëruar nga policia, ndërsa protestuesit vijojnë të qëndrojnë në zonë pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit. 1 ORE ME PARE "Protestuesit të ruhen nga të infiltruarit", ish-ministri Lleshaj ngre alarmin: Mund të ketë shërbime të huaja, por ku janë institucionet tona? Sandër Lleshaj Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u ka bërë thirrje studentëve që të tregojnë kujdes ndaj personave të infiltruar në protestë. Lleshaj beson se në protestë janë përfshirë edhe shërbime të huaja.
“Në qoftë se në vendin tonë një protestë rinore infiltrohet nga shërbime të huaja armiqësore, të cilat e besoj fort unë që infiltrojnë, sepse atë detyrë kanë shërbimet e huaja. Paguhen për këtë punë që t'i infiltrojnë shërbimet armiqësore të një vendi. Paguhen që ta destabilizojnë, ta shkatërrojnë, ta minojnë, ta vonojnë n atë vend në progresin e tij”, theksoi ai.
Por përballë kësaj situate Lleshaj, thekson se përgjegjësia për parandalimin e tyre u takon institucioneve shtetërore.
“Dhe në qoftë se ato e kanë këtë detyrë, kemi dhe ne një detyrë për të mbrojtur prej tyre. Në qoftë se një shërbim i infiltruar në Shqipëri, pyetja është ku është shërbimi jonë? A kemi edhe ne një shërbim që na mbron prej tyre? E vetmja gjë që qeveria në këto në kushte s'duhet të bëjë, s'duhet të flasë. Pra s'duhet të bëjë analizë, duhet të bëjë veprime, duhet të marrë vendime”, theksoi ai.
Ish-ministri i shikon të rinjtë e protestës së përcaktues të qeverisë së re, që kanë të drejtë të dëgjohen.
“Këta të rinj kanë të drejtë të dëgjohen. Unë nuk them me këtë që këta të rinj duhet t'i bëjmë kryetar shteti në këtë moshë, por këta të rinj duhet ta përcaktojnë qeverinë e re. Kjo frymë e re për mendimin tim është frymë e shëndoshë”, u shpreh ai në A2 CNN. 1 ORE ME PARE Panda sfidon policët me kërcim, mesazhi i fortë para Ministrisë së Arsimit Një skenë e veçantë ka tërhequr vëmendjen gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, ku një qytetar i veshur me kostum panda ka dalë përballë efektivëve të policisë, jo për t'u përplasur me ta, por për të përcjellë mesazhin e tij përmes kërcimit.
Protestuesi mbante një pankartë me mbishkrimin “Mos dhunoni nxënës e studentë”, ndërsa në kostum kishte vendosur edhe mesazhe të tjera. Ai ka kërcyer përballë policëve, duke përdorur një formë simbolike proteste për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjes së dhunës mbi të rinjtë.
Zgjedhja e kostumit të pandës krijonte një kontrast të dukshëm me praninë e efektivëve të policisë. Në vend të një përballjeje verbale, protestuesi ka përdorur lëvizjet dhe pankartën për të shprehur qëndrimin e tij.
Në qendër të këtij veprimi qëndronte kërkesa për të mos ushtruar dhunë ndaj nxënësve dhe studentëve. Mesazhi i shkruar në pankartë i drejtohej drejtpërdrejt atyre që kanë përgjegjësi për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të rinjve.
Përmes kësaj performance, protestuesi ka sjellë një element tjetër në protestën para Ministrisë së Arsimit, duke treguar se kundërshtimi mund të shprehet edhe pa thirrje apo konfrontim të drejtpërdrejtë. 1 ORE ME PARE Protesta te Ministria e Arsimit, qytetarët-policëve: Po helmoni fëmijët tanë me gaz, bashkohuni me ne! Protesta te Ministria e Arsimit Situata përpara Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me debate të ashpra mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Protestuesit u janë drejtuar drejtpërdrejt efektivëve, duke kërkuar shpjegime për mënyrën se si po ndërhyjnë ndaj të rinjve.
Një prej protestuesve ka reaguar me tone të forta ndaj policëve, duke u kujtuar se të rinjtë që ndodhen në protestë mund të ishin edhe fëmijët e tyre.
“Çfarë bëni kështu, mor jaho?! Po janë fëmijët tuaj ore! A s’ju vjen keq? Për Edi Ramën i bëni këto gjëra? A flisni shqip?”, dëgjohet të thotë ai, ndërsa kundërshton ndërhyrjen e forcave të rendit dhe përdorimin e gazit.
Edhe një qytetare tjetër ka shpërthyer në kritika ndaj efektivëve, duke i akuzuar se po përdorin forcë ndaj protestuesve dhe se po i ekspozojnë të rinjtë ndaj gazit.
“A jeni mirë? A jeni njerëz? Ju paguheni nga taksat tona! Është e turpshme. Po helmoni fëmijët tanë me gaz. A jeni burra?”, u shpreh ajo.
Në përfundim të reagimit të saj, qytetarja u ka bërë thirrje punonjësve të Policisë që të mos mbështesin qeverinë, por të pozicionohen në krah të qytetarëve. Ajo e ka cilësuar qeverinë si “kriminale”, ndërsa situatën e krijuar si të turpshme. 1 ORE ME PARE Çfarë po ndodh me sigurinë e Ramës? RENEA i bashkohet eskortës së kryeministrit (Video) Një furgon i Forcave Speciale RENEA ka shoqëruar eskortën e kryeministrit Edi Rama gjatë largimit nga Kryeministria. Prania e kësaj njësie, krahas Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ngre pikëpyetje mbi arsyet e përforcimit të sigurisë gjatë lëvizjes së kreut të qeverisë… Kryeministri Edi Rama është larguar nga godina e Kryeministrisë, teksa ka nisur protesta e studentëve që kërkon dorëheqjen e tij. Ajo që ka tërhequr vëmendjen ishin masat e shtuara të sigurisë ndaj kryeministrit.
Përveç Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit,në eskortën shoqëruese është përfshirë edhe një njësi e Forcave Speciale RENEA.
Pamjet tregojnë momentin kur automjeti i kryeministrit lëviz përgjatë bulevardit, ndërsa mjetet e sigurisë e shoqërojnë.
Furgoni të RENEA-s lëviz paralelisht me automjetet e tjera të eskortës, duke shtuar një tjetër element sigurie në shoqërimin e kreut të ekzekutivit. Ndryshe nga automjetet e Gardës së Republikës, të cilat kanë detyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore, RENEA është një strukturë speciale e Policisë së Shtetit, që angazhohet në operacione me rrezikshmëri të lartë.
Për këtë arsye, përfshirja e saj në eskortën e kryeministrit ngre pyetjen nëse bëhet fjalë për një ndryshim të protokollit të sigurisë apo për masa të veçanta gjatë lëvizjes së Edi Ramës.
Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga Garda e Republikës që të shpjegojë arsyet e pranisë së RENEA-s në këtë eskortë. 1 ORE ME PARE Tensione në protestë, qëllohet me plumba gome ndaj studentëve Momente tensioni janë regjistruar përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku studentët janë përballur me forcat e Policisë gjatë protestës së tyre.
Sipas raportimeve nga terreni, një efektiv i Policisë, i pozicionuar pranë godinës së ministrisë, dyshohet se ka përdorur një armë të posaçme për të qëlluar me plumba gome në drejtim të protestuesve.
Studentët kanë denoncuar përdorimin e forcës nga efektivët, duke pretenduar se janë vënë në shënjestër me plumba gome gjatë përballjes me Policinë.
“Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë!”, është një nga thirrjet që dëgjohet nga turma e protestuesve të mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit dhe situatës së tensionuar, studentët kanë vijuar me thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar largimin e tij nga drejtimi i qeverisë.
Tensionet vijnë pas disa ditësh protestash në kryeqytet, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes të rinjve dhe forcave të rendit. Gjatë ditëve të mëparshme është raportuar gjithashtu për përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion ndaj protestuesve.
Ndërhyrja e Policisë ka shkaktuar reagime të forta mes studentëve, të cilët kundërshtojnë përdorimin e forcës dhe kërkojnë respektimin e së drejtës së tyre për të protestuar. 1 ORE ME PARE Vijon përplasja, autoboti me ujë shpërndan studentët Autoboti me ujë shpërndan studentët Situata mes studentëve protestues dhe forcave të rendit është tensionuar. Policia ka përdorur ujë me presion për të larguar studentët nga zona ku po zhvillohet përplasja, duke i shtyrë drejt qendrës.
ne perditesim... 2 ORE ME PARE Tym, gurë dhe gaz lotsjellës te Ministria e Arsimit, protestuesit përplasen me policinë Protesta te Rruga e Durrësit Protesta e studentëve ka hyrë në ditën e pestë, ndërsa tensionet mes protestuesve dhe policisë janë rikthyer pranë Ministrisë së Arsimit. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa përplasjet kanë sjellë përdorimin e gazit lotsjellës, ujit me presion dhe ndërhyrjen e forcave të rendit... Protesta e studentëve ka hyrë në ditën e pestë dhe përplasjet me policinë janë rikthyer pranë Ministrisë së Arsimit. Pas qetësisë që mbizotëroi mbrëmjen e së premtes, kur u krijua përshtypja se protestuesit dhe policia kishin shmangur përplasjet, situata ka ndryshuar sërish. Protestuesit kanë qëlluar me gurë dhe kanë hedhur fishekzjarre në drejtim të forcave të rendit, ndërsa më herët u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave. Tymi ka mbuluar zonën përreth ministrisë, ku policia ka ndërhyrë për të shpërndarë turmën.
Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa efektivët kanë ndërhyrë edhe për të ndaluar personat që dyshojnë se kanë marrë pjesë në aktet e dhunës. Përpara përplasjeve, protestuesit kishin vendosur barriera hekuri në mes të rrugës. Prania e tyre tregonte se situata mund të përshkallëzohej, pavarësisht qetësisë që kishte karakterizuar orët e mëparshme.
Protesta vijon me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ngjarjet pranë Ministrisë së Arsimit kanë ndërprerë qetësinë e krijuar një mbrëmje më parë. 2 ORE ME PARE “Rama në burg, Berisha në burg”/ Zjarr, tym dhe kaos, çfarë po ndodh para Ministrisë së Arsimit Protestë dhe kaos para Ministrisë së Arsimit Protestuesit e maskuar shkulën kangjellat para Ministrisë së Arsimit, u vunë flakën koshave të mbeturinave dhe hodhën në oborrin e ministrisë një valixhe të djegur, si simbol të emigrimit. Të rinjtë brohoritën “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kryeministrit dhe liderit të opozitës. Protesta e sotme e të rinjve para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione, përplasje me policinë dhe thirrje të drejtpërdrejta kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës.
“Rama n’burg, Berisha n’burg”, kanë brohoritur protestuesit, duke vendosur në të njëjtën thirrje kryeministrin dhe liderin e opozitës.
Të rinjtë që kanë dalë në rrugë nuk po i drejtojnë thirrjet vetëm kundër qeverisë së Edi Ramës, por edhe kundër Sali Berishës, i cili prej vitesh kërkon të rikthehet në pushtet. Pas rreth një ore tubim, situata para Ministrisë së Arsimit është tensionuar. Disa protestues të maskuar kanë shkulur kangjellat anës rrugës dhe i kanë vendosur përballë efektivëve të policisë, duke krijuar një pengesë mes tyre. Protestuesit u kanë vënë flakën disa koshave të mbeturinave, ndërsa një valixhe e djegur është hedhur në oborrin e ministrisë. Menjëherë ka ndërhyrë policia dhe i ka fikur. Valixhja është përdorur si simbol i emigrimit, një prej çështjeve që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e të rinjve shqiptarë. Por protesta nuk ka pasur vetëm episode tensioni. Që në fillim, pjesëmarrësit kanë kërkuar përgjegjësi nga drejtuesit e policisë për një incident të një dite më parë, kur, sipas raportimit, një efektiv shtyu me forcë një protestues 21-vjeçar.
“Ku është komandanti? Të vijë të marrë përgjegjësinë për vartësin e vet që hodhi dikë në rrugë. Nuk duhet të rrihen njerëzit”, ka deklaruar një protestues.
Sot është dita e 5-të e revoltë. Një natë më parë, protesta u shoqërua me kaos, shkëmbim gurësh dhe përdorim të gazit lotsjellës. 2 ORE ME PARE Nga barrikadat te flakët, të rinjtë bllokojnë Rrugën e Durrësit me kosha mbeturinash Disa adoleshentë kanë grumbulluar koshat e mbeturinave në mes të Rrugës së Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, dhe më pas u kanë vënë flakën. Ky është incidenti i parë i raportuar gjatë protestës së sotme... Disa adoleshentë u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, pasi më parë i kishin grumbulluar në mes të rrugës, duke krijuar një barrikadë.
Incidenti shënon përplasjen e parë me rendin publik gjatë protestës së sotme, ndërsa deri në këto momente policia nuk ka ndërhyrë.
Ende nuk dihet nëse forcat e rendit apo ekipet zjarrfikëse do të ndërhyjnë për të shuar flakët dhe për të liruar rrugën. Më herët, protestuesit u kishin kërkuar efektivëve të policisë të mos ushtronin dhunë ndaj studentëve.
“Protestoni në mënyrë paqësore dhe nuk do të reagojmë”, ishte përgjigjja që efektivët e policisë u dhanë protestuesve.
Megjithatë, djegia e koshave dhe vendosja e tyre në mes të rrugës përbëjnë incidentin e parë që mund të kërkojë ndërhyrjen e forcave të rendit. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Revolta e studentëve në ditën e 5-të, Shqipëria në këmbë kundër Ramës 17 Tetor 2026, 11:5011:50LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tym, flakë e kaos në Tiranë; revolta e studentëve nuk shuhet nga gazi lotsjellës 16 Tetor 2026, 19:2019:20LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Protesta e studentëve para Kryeministrisë; përplasje, gaz lotsjellës dhe autobote me ujë! 16 Tetor 2026, 16:2116:21LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Nuk ka të ndalur revolta qytetare, tym e flakë kudo 15 Tetor 2026, 19:3719:37LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana për të tretën ditë në kaos, dhunë, zjarr e tym në çdo lagje e rrugë 15 Tetor 2026, 14:5914:59LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Dita e tretë e revoltës së rinisë, bojkoti studentor shtrihet nga veriu në jug; ‘shkundet’ politika 15 Tetor 2026, 09:5909:59LIVE UPDATES

