Lëvizja Vetëvendosje thotë se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, e pastaj të merret vendim se si do të procedohet me propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. “Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr. Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Sa i përket propozimit, nga kjo parti thanë se do e shqyrtojnë me kujdes në aspektin juridik. “Duke qenë se procedurat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zhvillohen me ekipe të veçanta të mbrojtjes, çdo iniciativë duhet të vlerësohet me kujdes edhe në raport me interesat dhe strategjitë juridike të secilit rast”, thanë nga Vetëvendosje të cilët shtuan se duhet të ndërtohet një qasje institucionale dhe e koordinuar.
“Çdo veprim duhet të ndërmerret vetëm pasi të jenë vlerësuar me kujdes pasojat e tij të mundshme juridike, veçanërisht në raport me procedurën në shkallë të dytë, përkatësisht procedurën e apelit. Qëllimi duhet të jetë që veprimet institucionale të jenë të menduara, të bashkërenduara dhe të mos krijojnë pasoja të padëshiruara për proceset gjyqësore në zhvillim”, deklaruan nga Vetëvendosje.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë që nëse, Vetëvendosje ofron mbështetjen për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, atëherë kjo parti tërheqë nga Gjykata Kushtetuese lëndën përmes së cilës kontestohet konstituimi i Kuvendit.
“Nëse LVV zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin e dorëzuar sot për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, do të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësinë e duhur shtetërore, ne jemi të gatshëm t’i tërheqim lëndët nga Gjykata Kushtetuese qysh nesër”, ka thënë Vlora Çitaku, sekretare e partisë.
PDK-ja inicio plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të hënën në kundërshtim të aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Top Channel

