Lajme Zone
Mjaftojnë pak sekonda për t'ju infektuar! Zbulohen 5 fazat e frikshme të kafshimit nga mushkonja e malaries
SportSyri

Mjaftojnë pak sekonda për t'ju infektuar! Zbulohen 5 fazat e frikshme të kafshimit nga mushkonja e malaries

Një kafshim mushkonje ndihet si një shpim i vetëm. Megjithatë, nën sipërfaqen e lëkurës ndodh një proces i përbërë nga disa faza. Një mushkonjë që transmeton malarien e shpon lëkurën brenda një fraksioni të sekondës.

Një kafshim mushkonje ndihet si një shpim i vetëm. Megjithatë, nën sipërfaqen e lëkurës ndodh një proces i përbërë nga disa faza. Një mushkonjë që transmeton malarien e shpon lëkurën brenda një fraksioni të sekondës. Më pas, ajo kalon rreth 20 sekonda duke shtyrë dhe tërhequr një gjilpërë fleksibël, ndërsa kërkon një enë gjaku. Vetëm pasi e gjen atë, fillon të thithë gjak.Lexo edhe:OBSH: Rezistenca ndaj antibiotikëve kërcënon të shkaktojë 39 milionë vdekje në 25 vjet Studiuesit, të cilët filmuan dhe regjistruan këtë proces në krahun e një njeriu të gjallë, identifikuan pesë faza të veçanta. Ata zbuluan se këmbët dhe pjesët e gojës së mushkonjës lëvizin në mënyrë të sinkronizuar me secilën prej tyre. Një vullnetare vuri në dispozicion parakrahun e saj Eksperimentet u kryen në laboratorin e Christopher Potterit, në Departamentin e Neuroshkencës Solomon H. Snyder, në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins. Joanna Konopka, nga Instituti i Kërkimeve për Malarien në Johns Hopkins, dhe Danny Poinapen, i cili punon gjithashtu në Institutin e Kërkimeve Robarts të Universitetit Western në Kanada, drejtuan studimin. Të gjitha kafshimet ndodhën në parakrahun e djathtë të një vullnetareje. Mushkonjat ishin të rritura në laborator dhe i përkisnin species Anopheles coluzzii, një bartëse e malaries në Afrikën nënsahariane. Në një intervistë për Earth.com, Konopkës iu kërkua të shpjegonte nëse ndonjëra prej pesë fazave mund të ndërpritej për të parandaluar kafshimin ose infektimin. Përgjigjja e saj përqendrohej te dy fazat e para. “Dy fazat e para të kafshimit (shpimi i lëkurës dhe kërkimi i enës së gjakut) janë më të rëndësishmet për transmetimin e sëmundjes, sepse pikërisht gjatë tyre patogjeni ka më shumë gjasa të futet në organizëm përmes pështymës së mushkonjës”, tha ajo. Filmimi i një kafshimi të vërtetë mushkonje Vullnetarja mbante të lidhur në parakrah një kuti të vogël prej akriliku transparent, të fiksuar me rripa sportivë për kyçet e duarve. Kutia linte të ekspozuar një zonë të lëkurës me përmasa rreth 2,5 centimetra katrorë. Në atë zonë lëshohej një mushkonjë femër çdo herë, ndërsa një kamerë me shpejtësi të lartë regjistronte deri në 250 kuadro në sekondë. Një program gjurmimi ndiqte lëvizjet e këmbëve, pjesëve të gojës dhe dy organeve ndijore pranë tyre, të quajtura palpë. Ajo që ndodh nën sipërfaqen e lëkurës nuk mund të filmohet, ndaj ekipi e regjistroi përmes sinjaleve elektrike. Çdo mushkonjë fiksohej në pjesën e pasme të trupit me një tel ari më të hollë se një fije floku njerëzor, ndërsa vullnetarja mbante një elektrodë. Në çastin kur gjilpëra shponte lëkurën, qarku elektrik mbyllej dhe çdo lëvizje nën sipërfaqe regjistrohej si një ndryshim i tensionit elektrik. “Na mahnitën lëvizjet e koordinuara dhe të sinkronizuara që mushkonjat femra kryejnë mbi dhe nën lëkurën tonë kur na kafshojnë”, i tha Poinapen Earth.com. “Disa prej këtyre lëvizjeve ndodhin aq shpejt sa një pulitje syri, por megjithatë janë të koordinuara me saktësi!” Pesë fazat nën lëkurë Në regjistrimet e sinjaleve elektrike u dalluan qartë pesë faza: shpimi i lëkurës, kërkimi i një ene gjaku, thithja e gjakut, tërheqja e pjesëve të gojës prapa dhe nxjerrja e tyre jashtë. Një kafshim i plotë zgjaste mesatarisht rreth 160 sekonda. Rreth 128 sekonda nga kjo kohë i kushtoheshin thithjes së gjakut, ndërsa afërsisht 21 sekonda kërkimit të një ene gjaku. Edhe lëvizjet mbi sipërfaqen e lëkurës ishin të sinkronizuara me këtë proces. Ndërsa mushkonja e shtyn gjilpërën më thellë, këmbët e saj të përparme përkulen dhe ngrihen nga lëkura. Kur ajo e tërheq gjilpërën prapa, këmbët drejtohen dhe mbështeten përsëri mbi lëkurë. Përkulja e tyre fillon një fraksion sekonde përpara lëvizjes së pjesës së gojës. Mushkonja e përsëriti këtë lëvizje shtytjeje dhe tërheqjeje rreth tri herë përpara se të kalonte në një kërkim më të qëndrueshëm. Edhe palpët e saj ndryshonin lëvizje në secilën fazë. Gjatë kërkimit të një ene gjaku, ato lëviznin nga njëra anë në tjetrën mbi sipërfaqen e lëkurës, me një frekuencë prej 10 deri në 25 herë në sekondë. Në çastin kur gjaku fillonte të rridhte, palpët ndalonin së lëvizuri anash dhe nisnin një dridhje të lehtë vertikale. Ekipi dyshon se kjo dridhje përputhet me lëvizjet e pompave në kokën e mushkonjës, të cilat shërbejnë për të thithur gjakun. Mushkonjat që transmetojnë malarien e shpojnë lëkurën me lëvizje të menjëhershme Ekipi kreu të njëjtat regjistrime edhe te Aedes aegypti, mushkonja që transmeton ethet e verdha dhe dengën. Të dy grupet janë ndarë nga njëri-tjetri rreth 150 milionë vjet më parë dhe regjistrimet treguan dallime të qarta mes tyre. Mushkonja që transmeton malarien e fuste gjilpërën me një lëvizje të menjëhershme, ndërsa Aedes e fuste atë gradualisht, me një ritëm të qëndrueshëm. Pasi hynte nën lëkurë, Anopheles gjente një enë gjaku rreth 17 sekonda më shpejt, duke kryer lëvizje më të shkurtra dhe më të përqendruara. Megjithatë, të dyja speciet e përfnin ushqyerjen pothuajse për të njëjtën kohë: rreth 160 sekonda për Anopheles dhe 165 sekonda për Aedes. Vullnetarja raportoi se çdo kafshim nga Anopheles ishte i ndjeshëm dhe shkaktonte dhimbje, ndërsa kafshimet nga Aedes ishin pa dhimbje. Nëse kjo vlen edhe për njerëzit e tjerë, mbetet ende një çështje e hapur. Earth.com i pyeti studiuesit nëse shpimi i menjëhershëm është arsyeja pse kafshimet e mushkonjave që transmetojnë malarien duken më të dhimbshme. “Kjo nuk është një dukuri e vërtetuar shkencërisht. Njerëz të ndryshëm mund të kenë përvoja dhe reagime të ndryshme ndaj kafshimeve të këtyre dy mushkonjave”, u përgjigjën Konopka dhe Poinapen. Ata shtuan se ndryshimet në mënyrën e shpimit mund të lidhen me periudhat kur secila mushkonjë është aktive. Mushkonjat që transmetojnë malarien kafshojnë kryesisht në muzg dhe gjatë natës, ndërsa mushkonjat që transmetojnë ethet e verdha kafshojnë kryesisht gjatë ditës. Gjenet e shijes ndikojnë në mënyrën se si kafshon mushkonja Mushkonjat përdorin këmbët dhe pjesët e gojës, si dhe antenat, për të perceptuar shijen dhe aromat. Për të testuar se sa ndikon kjo aftësi në procesin e kafshimit, ekipi rriti mushkonja Anopheles të cilave u mungonte njëri prej dy gjeneve. Familje të tëra receptorësh të shijes dhe aromës kanë nevojë për këto gjene që të funksionojnë. Njëri gjen, i quajtur IR76b, është aktiv në qelizat nervore të këmbëve, në majën e gojës dhe në vetë gjilpërën, pra në tri pjesët që bien në kontakt me lëkurën. Gjeni tjetër, i quajtur orco, është aktiv në majën e gojës, por jo në këmbë ose në gjilpërë. Mungesa e gjeneve ndikon në perceptimin e shijes dhe aromës Mushkonjat të cilave u mungonin të dy kopjet e gjenit IR76b, në pjesën më të madhe, nuk kafshonin fare. Më shumë se gjysma e tyre nuk bënë asnjë përpjekje për të kafshuar gjatë 20 minutave që qëndruan në krahun e vullnetares. Nga 14 mushkonjat e testuara, gjashtë provuan të shponin lëkurën dhe vetëm katër arritën të kryenin një ushqyerje të pjesshme. Mushkonjat të cilave u mungonte gjeni orco vazhdonin të kafshonin, megjithëse disa prej tyre e bënin këtë pak më vonë se zakonisht. Në 98 për qind të rasteve, përpjekjet e tyre për të shpuar lëkurën përfnin me marrjen e gjakut. Mushkonjat me mutacione gjenetike që arrinin të kafshonin ruanin të njëjtën kohëzgjatje në të pesë fazat. I vetmi ndryshim u vu re gjatë thithjes së gjakut, e cila zhvillohej në një model më të rregullt dhe më të përsëritur sesa te mushkonjat normale. “Ne zbuluam se disa mushkonja që transmetojnë malarien, të cilave u ishte dëmtuar shqisa e shijes dhe e nuhatjes, kishin vështirësi për të nisur dhe përfunduar procesin e kafshimit”, shkruan dy studiuesit. “Kjo tregon se mushkonjat mbështeten shumë te aftësia e tyre për të perceptuar shijen tonë gjatë procesit të kafshimit.” Çfarë mbetet ende e panjohur Të gjitha këto rezultate bazohen në eksperimentet e kryera në krahun e vetëm një vullnetareje dhe në mostra mushkonjash të rritura në laborator. Për këtë arsye, ekipi ende nuk mund të përcaktojë se sa mund të ndryshojë një kafshim në lëkurën e një personi tjetër ose kur bëhet fjalë për mushkonja të egra. Mushkonjat pa një gjen IR76b funksional nuk u ushqyen kurrë gjatë kohës që ishin të lidhura me pajisjet e regjistrimit, ndaj nuk ekzistojnë regjistrime të kafshimeve të tyre. Një grup i tretë receptorësh të shijes nuk mund të çaktivizohej fare, pasi nuk ekziston një gjen i përbashkët që kontrollon funksionimin e tyre. Boshllëku më i madh në njohuritë e studiuesve lidhet me atë që ndodh nën lëkurë. Një nga mundësitë që ata parashtrojnë është se vetë gjilpëra percepton sinjale kimike gjatë rrugës drejt një ene gjaku dhe se mushkonjat pa gjenin IR76b nuk janë më në gjendje ta drejtojnë atë me saktësi. Sipas ekipit, puna e mëtejshme duhet të përqendrohet në ndjekjen e lëvizjeve të gjilpërës brenda lëkurës dhe në identifikimin e këtyre sinjaleve kimike. Në studim, studiuesit shkruajnë se e njëjta pajisje eksperimentale mund të përdoret gjithashtu për të testuar se si ndikojnë në kafshim lëndët kundër mushkonjave, mikrobet e lëkurës dhe organizmat e ndryshëm pritës./Earth.com