Lajme Zone
Miss Bota 2026 është mësuese, 24-vjeçarja i rikthen kurorën Republikës Dominikane pas 44 vitesh
KulturëGazeta Tema

Miss Bota 2026 është mësuese, 24-vjeçarja i rikthen kurorën Republikës Dominikane pas 44 vitesh

Nga një klasë mësimi te një prej kurorave më të rëndësishme të botës. Joheirry Mola Dominguez, 24 vjeç, është shpallur Miss World 2026, duke i dhuruar Republikës Dominikane titullin për herë të dytë në historinë e konkursit.

Nga një klasë mësimi te një prej kurorave më të rëndësishme të botës. Joheirry Mola Dominguez, 24 vjeç, është shpallur Miss World 2026, duke i dhuruar Republikës Dominikane titullin për herë të dytë në historinë e konkursit.

Mola u kurorëzua më 5 shtator në finalen e zhvilluar në Nha Trang të Vietnamit, mes 111 përfaqësueseve nga vende të ndryshme të botës. Në podium ajo la pas përfaqësuesen e Spanjës, Elisabeth Reynés, e cila u rendit e dyta, dhe Taanusiya Chetty nga Malajzia, e cila mori vendin e tretë.

Por ajo që e bën historinë e 24-vjeçares edhe më interesante është profesioni i saj. Përpara se të mbante kurorën e Miss Botës, Joheirry ishte mësuese e letërsisë dhe studimeve sociale, duke zhvilluar mësim në gjuhën angleze.

Ajo ka përfunduar studimet për Menaxhim dhe Administrim Biznesi në Universidad Iberoamericana dhe krahas mësimdhënies është angazhuar edhe si gazetare, modele dhe aktiviste në komunitet.

Një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të saj është edhe projekti “Voices of Tomorrow”, të cilin e ka themeluar për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë nga komunitetet në nevojë të kenë më shumë akses në edukimin në gjuhën angleze.

Pikërisht edukimi ishte në qendër të mesazhit të saj gjatë finales. Kur u pyet për misionin që do të zhvillonte nëse do të fitonte kurorën, Mola foli për rëndësinë e gjuhës angleze si një mjet që mund t'u hapë fëmijëve dyer drejt arsimit dhe mundësive të reja.

Fitorja e saj ka edhe një peshë të veçantë për vendin që përfaqëson. Republika Dominikane kishte fituar për herë të fundit Miss World në vitin 1982, kur kurora shkoi për Mariasela Álvarez. 44 vite më vonë, Joheirry Mola e riktheu titullin në vendin e saj.

Mola kishte spikatur edhe përpara finales, duke fituar Top Model për Amerikën dhe Karaibet, rezultat që e ndihmoi të siguronte një vend në fazat e fundit të konkursit.

Kështu, 24-vjeçarja që prej vitesh punonte me nxënësit dhe angazhohej për edukimin e të rinjve, tashmë do të mbajë kurorën e Miss World 2026, duke shkruar një kapitull të ri në historinë e bukurisë së Republikës Dominikane.