17 ORE ME PARE Protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës, flakë dhe përplasje me policinë; rikthehet tensioni në bulevard Protesta Pas ndërhyrjes së policisë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit janë shpërndarë në rrugët e kryeqytetit, duke djegur kosha mbeturinash dhe dëmtuar sinjalistikën rrugore. Një pjesë e tyre janë rikthyer në bulevard, ku kanë rinisur përplasjet me forcat e rendit... Protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, pas përplasjeve me policinë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të larguar turmën nga bulevardi, por ndërhyrja nuk i dha fund protestës.
Pas largimit nga bulevardi, protestuesit janë zhvendosur në disa prej akseve kryesore të qendrës së Tiranës. Gjatë marshimit, grupe të rinjsh u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave, kanë dëmtuar sinjalistikën rrugore dhe kanë shkulur tabela përgjatë rrugëve ku kanë kaluar.
Një pjesë e protestuesve kanë marrë drejtimin drejt Parlamentit, ndërsa të tjerë janë shpërndarë në grupe në zona të ndryshme të qendrës. Kjo lëvizje ka detyruar forcat e policisë të ndjekin zhvillimet në disa akse njëkohësisht. Megjithatë, largimi nga bulevardi nuk ka zgjatur shumë. Një grup protestuesish është rigrumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke rikthyer përplasjet me policinë.
Protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia ka ndërhyrë sërish me gaz lotsjellës për t'i shpërndarë.
Përplasjet kanë vijuar kështu edhe pas ndërhyrjes së parë të policisë, ndërsa lëvizja e protestuesve nga bulevardi drejt rrugëve të qendrës dhe rikthimi i tyre në të njëjtin vend ka krijuar vatra të reja tensioni në kryeqytet. 18 ORE ME PARE Policia ndërhyn pas protestave në Vlorë, disa studentë merren nga banesat dhe shoqërohen në komisariat Disa studentë pjesëmarrës në protestat e zhvilluara në Vlorë janë shoqëruar nga Policia, pas tubimeve të organizuara në qytetin bregdetar.
Sipas informacioneve paraprake, efektivët e Policisë së Vlorës kanë shkuar në banesat e disa studentëve, duke i marrë dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme.
Mësohet se shoqërimet lidhen me dyshime për veprime të kryera gjatë protestave, konkretisht për “Prishje të qetësisë publike”, “Bllokim të segmenteve rrugore” dhe “Dëmtim të pronës publike”.
Deri në këto momente nuk ka një informacion zyrtar mbi numrin e studentëve të shoqëruar, ndërsa mbetet e paqartë nëse ndaj tyre janë regjistruar procedime penale apo nëse shoqërimi është kryer vetëm për marrjen e deklarimeve.
Ngjarja vjen pas protestave studentore në Vlorë, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga Policia për të sqaruar rrethanat e ndërhyrjes, numrin e personave të shoqëruar dhe veprimet e mëtejshme procedurale. 18 ORE ME PARE 11 të lënduar nga protesta në Tiranë, mes tyre 3 të mitur; Ministria e Shëndetësisë jep detajet Pamje nga protesta Ministria e Shëndetësisë ka publikuar të dhënat më të fundit mbi personat e lënduar gjatë protestës së zhvilluar këtë të premte në Tiranë.
Sipas përditësimit të bërë në orën 18:45 të datës 16 tetor 2026, në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) janë raportuar gjithsej 11 persona të lënduar.
Mes tyre janë 6 protestues, përfshirë 3 të mitur, 3 efektivë policie dhe 2 kalimtarë të rastit.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se aktualisht në urgjencën e Spitalit të Traumës ndodhen 3 persona, nga të cilët 2 protestues dhe 1 efektiv policie.
Sipas njoftimit zyrtar, të tre personat janë në gjendje të mirë shëndetësore. Dy protestuesit po u nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore, ndërsa edhe efektivi i policisë paraqitet në gjendje të mirë.
Ky është bilanci i raportuar nga Ministria e Shëndetësisë deri në orën 18:45, ndërsa të dhënat mund të përditësohen në vijim.
Ministria e Shëndetësisë:
Përditësim/ Të lënduarit protesta 16 tetor 2026, ora 18:45
SUT:
11 të lënduar
6 protestues, (mes tyre 3 të mitur),
3 efektivë
2 kalimtarë
Aktualisht në urgjencën e SUT ndodhen:
– 2 protestues, gjendje e mirë shëndetësore, duke u ekzaminuar.
* 1 efektiv policie, gjendje e mirë shëndetësore 18 ORE ME PARE Tensionohet protesta, plagoset një protestues; gazi lotsjellës "pushton" bulevardin, shpërndahen protestuesit Pamje nga bulevardi Një protestues raportohet i plagosur në kokë, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës në disa drejtime, duke shpërndarë protestuesit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Forcat e policisë kanë avancuar edhe me automjetet ujëhedhëse, duke zgjeruar kordonin e sigurisë... Situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është tensionuar pas ndërhyrjes së policisë me gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve. Gjatë përplasjeve raportohet edhe për një qytetar të plagosur në kokë.
Sipas raportimeve të para, protestuesi dyshohet se është goditur nga një bombul gazi lotsjellës, të cilën policia e ka hedhur në drejtim të turmës. Ai ka pësuar dëmtime në kokë, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e plagosjes dhe gjendjen e tij shëndetësore.
Ndërkohë, policia ka intensifikuar ndërhyrjen, duke hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës në disa drejtime. Gazi ka mbuluar pothuajse të gjithë bulevardin, ndërsa forcat e rendit kanë përdorur bombula edhe në drejtim të parkut “Rinia” dhe zonës pranë Ministrisë së Brendshme. Protestuesit janë përpjekur të largojnë bombulat e gazit, duke i hedhur ato në drejtim të forcave të policisë. Megjithatë, ndërhyrja pothuajse e njëkohshme nga të paktën tri drejtime i ka detyruar të shpërndahen dhe të largohen nga bulevardi.
Pas përdorimit të gazit lotsjellës, policia ka avancuar edhe me automjetet që hedhin ujë me presion, duke krijuar një kordon të gjerë sigurie përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Ndërhyrja ka larguar pjesën më të madhe të protestuesve nga zona, ndërsa mbeten për t'u sqaruar rrethanat e plagosjes së qytetarit dhe nëse goditja ka ardhur nga një bombul gazi e përdorur nga policia. Më herët disa të rinj tentuan të bllokojnë akset rrugore me disa kazanë mbeturinash, por sulmi me gaz nga policia, duket se ka ndërprerë aksionin e tyre.
Protestuesit u zhvendosën nga Ministria e Arsimit te Kryeministria pak pas orës 15:30, ndërsa prej më shumë se 3 orësh ka përplasje mes forcave të rendit dhe protestuesve përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Forcat e policisë janë shfaqur më të organizuara në ditën e 4 të protestave të dhunshme, ndërsa arrestimet e qytetarëve, kryesisht të rinjve dhe adoleshentëve nisën që në orët e para të paradites. 19 ORE ME PARE Nisin arrestimet pas gazit lotsjellës te Kryeministria, policia ndjek të rinjtë në bulevard dhe te Piramida Policia ka nisur arrestimet dhe shoqërimet e disa personave pas shpërndarjes së protestës në qendër të Tiranës, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Pas rreth një ore përballjesh, efektivët kanë arritur të largojnë protestuesit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke i shtyrë përtej urës së Lanës me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Menjëherë pas shpërndarjes së turmës, forcat e policisë kanë vijuar ndjekjen e grupeve të të rinjve përgjatë bulevardit, si dhe në zonën e Piramidës, ku kanë nisur edhe ndërhyrjet për ndalimin dhe shoqërimin e disa prej tyre.
Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia ka përdorur dy automjete ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Ndërkohë, dhjetëra efektivë kanë krijuar një kordon policor për të penguar rikthimin e protestuesve në bulevard.
Deri në këto momente nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të arrestuar apo të shoqëruar, ndërsa situata në qendër të kryeqytetit vijon të mbetet e tensionuar. 19 ORE ME PARE Tensione te Kryeministria, plagoset në kokë një protestues; mjekët i japin ndihmën e parë Tensione te Kryeministria, plagoset në kokë një protestues Një protestues ka mbetur i plagosur në kokë gjatë tensioneve dhe përplasjeve me forcat e policisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Sipas informacioneve paraprake, i riu ka pësuar lëndime në kokë, të shoqëruara me gjakderdhje, ndërsa po merr ndihmën e parë në vendngjarje, ku po i fashohet plaga.
Raportohet se protestuesi është dëmtuar nga një bombol gazi lotsjellës e hedhur gjatë ndërhyrjes së policisë. Megjithatë, rrethanat e sakta të plagosjes mbeten ende të paqarta.
Pas marrjes së ndihmës së parë, pritet që i riu të transportohet me autoambulancë drejt Spitalit të Traumës për trajtim më të specializuar.
Ndërkohë, situata përpara Kryeministrisë vijon të jetë e tensionuar. Forca të shumta policie janë vendosur përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa raportohet se është përdorur gaz lotsjellës në sasi të konsiderueshme për shpërndarjen e protestuesve.
Në bulevard janë pozicionuar gjithashtu dy autobotë me ujë, ndërsa forcat e rendit vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për të menaxhuar situatën. 19 ORE ME PARE Një orë përplasje në bulevard, policia zmbraps protestuesit me gaz lotsjellës dhe ujë me presion Protesta në bulevard Pas rreth një ore përplasjesh, policia ka arritur të largojë protestuesit përtej urës së Lanës, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Protestuesit kanë kundërshtuar ndërhyrjen me gurë, por nuk kanë mundur të mbajnë pozicionet në bulevard... Pas rreth një ore përplasjesh të pandërprera mes protestuesve dhe forcave të rendit, policia ka arritur të shpërndajë turmën nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në qendër të Tiranës.
Forcat e rendit i kanë shtyrë protestuesit përtej urës së Lanës, ndërsa dhjetëra efektivë, të mbështetur nga dy automjete që hedhin ujë me presion, kanë krijuar një barrikadë për të penguar rikthimin e tyre në bulevard.
Nga ana tjetër, protestuesit kanë kundërshtuar ndërhyrjen e policisë duke hedhur gurë, por nuk kanë mundur të rezistojnë gjatë përballë gazit lotsjellës dhe ujit me presion që forcat e rendit kanë përdorur për shpërndarjen e turmës.
Megjithëse palët kanë vijuar përplasjet në distancë, deri në këto momente në bulevard nuk janë regjistruar përleshje të drejtpërdrejta si ato që kanë karakterizuar protestat e ditëve të fundit.
Protestat e studentëve, të cilët kërkojnë largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, kanë vijuar me tensione, ndërsa policia ka përqendruar forcat në kontrollin e bulevardit dhe pengimin e rikthimit të protestuesve. Grupe të vogla protestuesish, kryesisht adoleshentë kanë ndërmarrë akte të dhunshme ndaj godinës së ish-hotel Dajtit, por edhe te Piramida, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë tek kjo e fundit. Me ndërhyrjet e vazhdueshme, gjithsesi, policia ka arritur të shpërndajë një pjesë të konsiderueshme të protestuesve, që pvr t'i shpëtuar gazit lotsjellës, janë zhvendosur në brendësi të parkut "Rinia", ose në pjesën e bulevardit, pranë Ministrisë së Brendshme. 19 ORE ME PARE “Do t’i mbrojmë fëmijët tanë me jetë”, protestuesi: Kjo nuk është protestë partiake, por popullore! Pamje nga protesta e studentëve Një qytetar që i është bashkuar protestës në mbështetje të studentëve ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar, duke u bërë thirrje efektivëve të policisë të qëndrojnë në krah të qytetarëve dhe të shmangin përdorimin e forcës ndaj të rinjve.
Në një prononcim për mediat, protestuesi u shpreh se ka dalë në shesh për të mbështetur studentët që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se protesta nuk ka karakter partiak, por është një revoltë popullore.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit nga policia, duke pretenduar se këto mjete po rrezikojnë shëndetin e të rinjve.
“Do t’i mbrojmë fëmijët tanë. I kemi fëmijët në protestë, sot janë fëmijët e të gjithë shqiptarëve. I bëj thirrje policisë në Tiranë dhe në rrethe, kjo nuk është protestë partiake, por popullore. Ta ndajnë mendjen sot sepse do të jetë vonë nëse janë në krahun e popullit apo në krahun e kundërt. Janë duke helmuar fëmijët, edhe ai uji është me solucion të rrezikshëm për lëkurën”, deklaroi ai.
Protestuesi u shpreh se prindërit janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre, ndërsa theksoi se do të vijojnë t'i mbështesin të rinjtë në kërkesat e tyre.
“Kemi shumë frikë dhe po masakrohen. Për sa kohë ata kanë dalë për të drejtën e tyre, ne do t’i mbrojmë me jetë”, përfi ai. 20 ORE ME PARE Tirana në përplasje, policia mbulon me gaz lotsjellës bulevardin; protestuesit kundërpërgjigjen me gurë (Video) Pamje nga protesta Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të larguar protestuesit nga godina e Kryeministrisë. Protestuesit janë përgjigjur me gurë dhe duke hedhur drejt forcave të rendit bombulat e gazit lotsjellës. Një fëmijë i mitur ka shfaqur probleme nga ekspozimi ndaj gazit... Vijojnë tensionet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku protestuesit dhe forcat e policisë janë përfshirë në përplasje pranë godinës së Kryeministrisë.
Policia ka hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe ka përdorur autobotët me ujë me presion për të zbrapsur protestuesit, duke i larguar disa metra nga Kryeministria.
Nga ana tjetër, protestuesit janë përgjigjur duke hedhur gurë drejt forcave të rendit, si dhe duke u kthyer bombulat e gazit lotsjellës që policia kishte përdorur kundër tyre.
Gjatë përplasjeve, një fëmijë i mitur që ndodhej mes protestuesve ka shfaqur probleme nga ekspozimi ndaj gazit lotsjellës. Disa qytetarë dhe efektivë të policisë i kanë ardhur në ndihmë. Forcat e policisë kanë arritur t'i zbrapsin protestuesit përtej Kullave Binjake, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa efektivët kanë zënë pozicione në mes të bulevardit, me mbështetjen e autobotëve që vijojnë të hedhin ujë me presion.
Përplasjet vijnë pas tensioneve të ditëve të fundit mes protestuesve dhe policisë, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës, ujit me presion dhe goditjet me gurë kanë shënuar një tjetër përshkallëzim të situatës pranë Kryeministrisë. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Protesta e studentëve para Kryeministrisë; përplasje, gaz lotsjellës dhe autobote me ujë! 16 Tetor 2026, 16:2116:21LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Nuk ka të ndalur revolta qytetare, tym e flakë kudo 15 Tetor 2026, 19:3719:37LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana për të tretën ditë në kaos, dhunë, zjarr e tym në çdo lagje e rrugë 15 Tetor 2026, 14:5914:59LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Dita e tretë e revoltës së rinisë, bojkoti studentor shtrihet nga veriu në jug; ‘shkundet’ politika 15 Tetor 2026, 09:5909:59LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana në “gjendje lufte”, dhuna, kaosi dhe revolta pushtojnë kryeqytetin! 14 Tetor 2026, 18:3318:33LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Studentët ndezin sërish flakë Tiranën, gurë, ujë, gaz lotsjellës dhe përplasje me policinë 14 Tetor 2026, 15:0315:03LIVE UPDATES

