12 MINUTA ME PARE Tym, gurë dhe gaz lotsjellës te Ministria e Arsimit, protestuesit përplasen me policinë Protesta te Rruga e Durrësit Protesta e studentëve ka hyrë në ditën e pestë, ndërsa tensionet mes protestuesve dhe policisë janë rikthyer pranë Ministrisë së Arsimit. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa përplasjet kanë sjellë përdorimin e gazit lotsjellës, ujit me presion dhe ndërhyrjen e forcave të rendit... Protesta e studentëve ka hyrë në ditën e pestë dhe përplasjet me policinë janë rikthyer pranë Ministrisë së Arsimit. Pas qetësisë që mbizotëroi mbrëmjen e së premtes, kur u krijua përshtypja se protestuesit dhe policia kishin shmangur përplasjet, situata ka ndryshuar sërish. Protestuesit kanë qëlluar me gurë dhe kanë hedhur fishekzjarre në drejtim të forcave të rendit, ndërsa më herët u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave. Tymi ka mbuluar zonën përreth ministrisë, ku policia ka ndërhyrë për të shpërndarë turmën.
Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa efektivët kanë ndërhyrë edhe për të ndaluar personat që dyshojnë se kanë marrë pjesë në aktet e dhunës. Përpara përplasjeve, protestuesit kishin vendosur barriera hekuri në mes të rrugës. Prania e tyre tregonte se situata mund të përshkallëzohej, pavarësisht qetësisë që kishte karakterizuar orët e mëparshme.
Protesta vijon me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ngjarjet pranë Ministrisë së Arsimit kanë ndërprerë qetësinë e krijuar një mbrëmje më parë. 46 MINUTA ME PARE Nga barrikadat te flakët, të rinjtë bllokojnë Rrugën e Durrësit me kosha mbeturinash Disa adoleshentë kanë grumbulluar koshat e mbeturinave në mes të Rrugës së Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, dhe më pas u kanë vënë flakën. Ky është incidenti i parë i raportuar gjatë protestës së sotme... Disa adoleshentë u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, pasi më parë i kishin grumbulluar në mes të rrugës, duke krijuar një barrikadë.
Incidenti shënon përplasjen e parë me rendin publik gjatë protestës së sotme, ndërsa deri në këto momente policia nuk ka ndërhyrë.
Ende nuk dihet nëse forcat e rendit apo ekipet zjarrfikëse do të ndërhyjnë për të shuar flakët dhe për të liruar rrugën. Më herët, protestuesit u kishin kërkuar efektivëve të policisë të mos ushtronin dhunë ndaj studentëve.
“Protestoni në mënyrë paqësore dhe nuk do të reagojmë”, ishte përgjigjja që efektivët e policisë u dhanë protestuesve.
Megjithatë, djegia e koshave dhe vendosja e tyre në mes të rrugës përbëjnë incidentin e parë që mund të kërkojë ndërhyrjen e forcave të rendit. 46 MINUTA ME PARE “Mirela Kumbaro duhet të jepte dorëheqjen", eksperti i arsimit: Studentët janë braktisur dhe dhunuar! Mirela Kumbaro Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti, duke kritikuar reagimin e institucioneve ndaj të rinjve, tha se Mirela Kumbaro duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas dhunës ndaj studentëve që protestojnë para Ministrisë së Arsimit.
Sipas tij, studentët janë braktisur nga ata që duhej t’i mbronin dhe janë dhunuar para institucionit që duhet të përfaqësojë interesat e tyre.
“Janë braktisur nga ata që duhet ti kishin mbrojtur, janë rrahur te kangjellat para shtëpisë së tyre, janë dhunuar para shtëpisë së tyre, se MAS është shtëpia e tyre. Ndërkohë që në katin e dytë rri një ish-pedagoge dhe ish-përkthyese që nëse do kishte ndodhur kjo me të rinjtë unë në vendin e saj do kisha dhënë dorëheqjen”, tha ai. I pyetur nëse priste një dorëheqje, Mehmeti u përgjigj: Jo kurrë se nuk ka ndjeshmëri.
Ai theksoi se informacionet që vijnë nga terreni duhet të verifikohen dhe të mbështeten në prova, ndërsa paralajmëroi për rrezikun e trajtimit të protestuesve në mënyrë arbitrare.
Mehmeti kritikoi gjithashtu qeverinë për mosrealizimin e angazhimeve ndaj studentëve, duke përmendur bibliotekën elektronike, kampusin, plagjiaturën, renditjen e programeve të studimit dhe përmirësimin e kushteve universitare.
“Kanë dalë në protestë. Ata nuk kanë dalë me synimin që të vrasin dikë apo të gjuajnë dikë, por ti i ke vënë me shpatulla pas murit”, u shpreh ai, duke i bërë thirrje kryeministrit të japë llogari për premtimet e pambajtura.
Për thirrjen e presidentit Bajram Begaj për dialog, ai tha se roli i kreut të shtetit është i kufizuar dhe se ndërhyrja e tij nuk ka sjellë rezultat për studentët e Mjekësisë.
“Po nuk ka ç' bën president. Presidenti është thjesht është një këshillues. Kush i thotë? Presidenti kishte në dorë të mos dekretonte të mjekësisë, që ja rrëzoi Gjykata Kushtetuese. E dekretoi”.- u shpreh ai për A2CNN. 47 MINUTA ME PARE “S’duam negociata, duam dorëheqjen e Ramës!”/ Studenti apel prindërve: Fëmijët po lajnë gabimet tuaja, dilni në protestë Një student i Stomatologjisë, pjesëmarrës në protestën e të rinjve në Tiranë, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se protestuesit nuk pranojnë negociata. Ai u ka bërë thirrje edhe prindërve që të dalin në rrugë dhe të mbështesin të rinjtë.
Gjatë protestës, studenti deklaroi se të rinjtë nuk kanë më frikë dhe se lëvizja e tyre ka arritur në një pikë nga e cila, sipas tij, nuk ka më kthim pas.
Ai akuzoi autoritetet për ushtrim dhune ndaj protestuesve, duke pretenduar se kjo ndodh pikërisht sepse të rinjtë nuk tremben më.
Për të ilustruar vendosmërinë e protestuesve, studenti solli si shembull katër vajza që, sipas tij, një ditë më parë kishin qëndruar përpara një autoboti, pa u tërhequr.
“Ne nuk duam negociata, duam dorëheqjen. Këta na kanë hequr frikën. Se ndaj na dhunojnë. Katër vajza dje rrinin para autobotit, nuk kishin frikë.Duam dorëheqjen e Ramës, nuk na ndalojnë dot. Është bërë diçka e pakthyeshme. U bëjmë thirrje prindërve: fëmijët tuaj po dalin dhe po lajnë gabimet tuaja. Indiferenca është po njësoj si krimi. Duhet të dilni këtu që të mbushni Tiranën. Na kanë bërë të gjitha të këqijat”, u shpreh studenti.
Në mesazhin e tij, i riu kritikoi edhe qëndrimin indiferent të një pjese të qytetarëve, duke u kërkuar veçanërisht prindërve të marrin pjesë në protesta.
Sipas studentit, të rinjtë po përpiqen të ndryshojnë një situatë për të cilën ai konsideron përgjegjëse edhe brezat e mëparshëm.
Ai ritheksoi se kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, duke përjashtuar mundësinë e negociatave si zgjidhje për situatën aktuale. 55 MINUTA ME PARE Protestuesit i vënë flakën valixhes, e hedhin brenda Ministrisë së Arsimit Valixhja e djegur Situata është tensionuar gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit i kanë vënë flakën një valixheje dhe e kanë hedhur brenda oborrit të institucionit.
Valixhja e djegur simbolizon emigrimin, një nga shqetësimet që protestuesit kanë zgjedhur të përcjellin përmes këtij veprimi.
Incidenti vjen pas tensioneve të mëparshme pranë ministrisë, ku disa persona me maska shkulën kangjellat metalike dhe pllakat e trotuareve, ndërsa kangjellat i vendosën në mes të rrugës.
Protesta e studentëve në Tiranë ka hyrë në ditën e pestë. 1 ORE ME PARE Nisin tensionet para Ministrisë së Arsimit, protestuesit shkatërrojnë trotuaret dhe bllokojnë rrugën me kangjella Të rinjtë shkulin kangjellat Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me tensionet e para. Disa të rinj kanë shkulur kangjellat metalike dhe pllakat e trotuareve pranë godinës së ministrisë. Tensionohet situata në protestën që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Disa protestues me fytyra të mbuluara kanë nisur të shkulin kangjellat metalike të trotuarit pranë godinës së ministrisë, duke i zhvendosur dhe vendosur në mes të rrugës.
Protestuesit kanë shkulur gjithashtu edhe pllakat e trotuareve, ndërsa situata para institucionit është tensionuar. 1 ORE ME PARE Protesta në Elbasan, të rinjtë marshojnë në bulevard: Çohuni nga kafja, bashkohuni me ne! Protesta në Elbasan Protestat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vijojnë edhe në Elbasan, ku një grup të rinjsh ka dalë sërish në rrugë për të tretën ditë radhazi, duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë.
Të rinjtë janë mbledhur fillimisht në sheshin kryesor të qytetit, nga ku kanë nisur marshimin përgjatë bulevardit, të shoqëruar me thirrje kundër qeverisë.
Edhe pse pjesëmarrja në protestë është e vogël, të rinjtë kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke brohoritur “Rama ik”.
Gjatë marshimit, protestuesit u janë drejtuar edhe qytetarëve që ndodheshin në lokalet përgjatë bulevardit, duke u bërë thirrje të lënë kafenetë dhe t'i bashkohen tubimit.
“Çohuni nga kafja, bashkohuni me ne”, kanë thirrur të rinjtë, në përpjekje për të rritur pjesëmarrjen në protestë.
Tubimi në Elbasan zhvillohet në kuadër të protestave kundër qeverisë që janë shtrirë edhe në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku qytetarë dhe të rinj kanë dalë në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pavarësisht pjesëmarrjes së kufizuar, protestuesit në Elbasan kanë vijuar marshimin dhe thirrjet për t'u bashkuar me ta. 1 ORE ME PARE “O sot o kurrë”, Koçeku mesazh Ramës: PS ka nevojë për më shumë zëra kritikë! Marjana Koçeku Koçeku kundërshtoi pretendimet se protesta dëmton imazhin e Shqipërisë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Sipas saj, problemet që pengojnë vendin në këtë proces lidhen me korrupsionin dhe mungesën e demokracisë. Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka dalë në mbështetje të protestës së studentëve, ku shprehet se korrupsioni dhe mungesa e demokracisë dëmtojnë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe jo protestat. Ajo ka kërkuar edhe reformimin e partive politike, duke veçuar Partinë Socialiste.
“E mbështes shumë këtë protestë, është frymëmarrje e demokracisë. Është e drejtë e studentëve. Nuk jam dakord që kjo protestë po e dëmton Shqipërinë drejt BE. Ajo që dëmton imazhin e Shqipërisë dhe rrugën drejt BE është korrupsioni dhe mungesa e demokracisë”, deklaroi Koçeku.
Deputetja u ndal edhe te situata brenda partive politike, duke kërkuar reformim dhe forcimin e demokracisë së brendshme.
Ajo veçoi Partinë Socialiste, si forcën që qeveris vendin, duke theksuar nevojën për një dialog më të shëndetshëm dhe për më shumë zëra kritikë që të mbështesin protestën e studentëve.
“Partitë politike në Shqipëri kanë nevojë për reformim, për demokraci të brendshme. Si partia që është në pushtet, PS ka nevojë për një dialog më të shëndetshëm dhe nevojë për zëra më kritikë, që mbështesin këtë protestë, o sot o kurrë”, u shpreh Koçeku. 1 ORE ME PARE Flamuri “Autochthonous” ngrihet përballë pushtetit, të rinjtë vijojnë protestën kundër politikës Të rinjtë kanë vijuar protestën kundër klasës politike, duke mbajtur flamuj shqiptarë dhe duke kënduar këngë patriotike. Protestuesit kundërshtojnë edhe dhunën policore të raportuar gjatë tubimeve të fundit…
Me flamuj shqiptarë dhe këngë patriotike, të rinjtë kanë vijuar protestën e tyre kundër klasës politike në vend.
Në pamjet që ka transmetuar News24, një prej protestuesve shfaqet me flamurin e njohur “Autochthonous”, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë këndojnë këngë patriotike.
Protesta vjen pas tubimeve të ditëve të fundit, gjatë të cilave pjesëmarrësit kanë denoncuar dhunën policore dhe kanë shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë.
Përmes flamurit “Autochthonous” dhe këngëve patriotike, të rinjtë kanë zgjedhur të përcjellin mesazhin e tyre politik, duke kundërshtuar klasën politike dhe mënyrën se si policia ka ndërhyrë gjatë protestave. 1 ORE ME PARE “Ditët dhe orët e Ramës janë të numëruara”, Taulant Muka shpërthen nga protesta: Qeveria i vuri zjarrin shtetit Taulant Muka Ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, iu bashkua protestës para Ministrisë së Arsimit, ku akuzoi qeverinë se ka promovuar persona të përfshirë, sipas tij, në plagjiaturë, në vend që të marrë masa ndaj tyre.
Muka e quajti institucionin “Ministria e Plagjiaturës”, duke e lidhur këtë akuzë me denoncimet që ka bërë gjatë viteve për titujt akademikë dhe punimet e kopjuara. “Kjo është Ministria e Plagjiaturës. S’ka kopjac dhe hajdut që nuk ka lënë pa promovuar ky sistem”, deklaroi ai para protestuesve.
Ish-zëvendësministri u ndal edhe te pjesëmarrja e të rinjve në protestë, duke theksuar se mbështetja e prindërve nuk kufizohet vetëm te prania fizike para ministrisë. “Prindërit, në një farë mënyre, janë këtu, sepse kanë lënë fëmijët e tyre që të protestojnë”, tha Muka.
Ai riktheu në vëmendje edhe përplasjet e mëparshme me drejtuesit e arsimit, duke pretenduar se denoncimet e tij për plagjiaturat nuk morën përgjigjen institucionale që kërkonte.
“Qeveria i kishte vënë zjarrin shtetit. Ishte shtet që kishte poste, por jo letra. Ministrja shqetësohej për ‘like’-t dhe sharjet, dhe jo për studentët. Kur unë zbulova plagjiaturat, nuk donte të merrte masa. Këtë gjë e ka konfirmuar dhe SPAK sot”, u shpreh ai.
Muka kujtoi gjithashtu takimin e tij të parë me qeverinë, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, drejtuesit politikë trajtonin reagimet në rrjetet sociale në vend të problemeve të ngritura për arsimin.
“Goditja më e fortë që ka qenë është takimi i parë me qeverinë. Dolën tabelat me sharje dhe ‘like’-t që marrin në rrjetet sociale”, deklaroi ish-zëvendësministri.
Në fund të fjalës, Muka kaloi te sulmet e drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke bërë edhe pretendime për gjendjen e tij shëndetësore, të cilat nuk i shoqëroi me prova.
“Dje i ishte trashur gjuha nga medikamentet antipanik, pasi nuk shqiptonte dot TH dhe DH. Ditët dhe orët e tij janë të numëruara. Rinia është zemra dhe shpirti i këtij kombi”, tha Muka. 1 ORE ME PARE Përshkallëzohet protesta në Durrës, të rinjtë thyejnë xhamat e Postës; shoqërohen 25 persona Tensione në Durrës Protesta e të rinjve kundër qeverisë së Edi Ramës është përshkallëzuar këtë të shtunë në Durrës, ku përplasjet me policinë kanë përfunduar me shoqërimin e 25 personave, mes tyre tre të mitur.
Marshimi nisi rreth orës 11:30 në qendër të qytetit, pranë sheshit “Liria”, ku të rinjtë u mblodhën në ditën e pestë të protestave kundër qeverisë.
Situata u tensionua kur një grup protestuesish u drejtua drejt filialit të Postës dhe theu xhamat e jashtëm të godinës. Pas këtij incidenti, forcat e policisë ndërhynë për të shpërndarë të rinjtë dhe nisën shoqërimet në komisariat.
Ndërhyrja e policisë vijoi edhe jashtë zonës ku ndodhi incidenti. Efektivë me uniformë dhe punonjës me rroba civile ndoqën protestuesit në rrugicat e qytetit, ndërsa lëvizjet e tyre krijuan probleme në qarkullim. 1 ORE ME PARE “Ramën është frikësuar”, protestuesi: Kjo rini nuk është e partive, është revoltuar nga sistemi Një tjetër i ri që i është bashkuar protestave në Tiranë ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për mashtrime dhe për mënyrën se si po trajtohen protestuesit.
Sipas tij, të rinjtë që kanë dalë në rrugë nuk përfaqësojnë forcat politike, por shprehin pakënaqësinë e grumbulluar ndaj sistemit.
Në ditën e pestë të protestave në kryeqytet, i riu deklaroi se e sheh kryeministrin Edi Rama të frikësuar, ndërsa theksoi se kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i tij nga drejtimi i qeverisë.
Ai kritikoi gjithashtu menaxhimin e fondeve publike, duke pretenduar se paratë e shtetit nuk përdoren mjaftueshëm për rritjen e pensioneve dhe pagave, por shpërdorohen.
Protestuesi ngriti akuza edhe për ushtrim dhune ndaj të rinjve, ndërsa komentoi incidentet e raportuara në Qytetin Studenti, duke pretenduar se personat përgjegjës për dëmet e shkaktuara nuk ishin studentë.
“Kjo protestë që ka pesë ditë që po zhvillohet në rrugët e Tiranës është protesta më e bukur që kam parë dhe plot të drejta. Pika kryesore është dorëheqja e Ramës. Ramën e shoh të frikësuar, e shoh edhe te deklaratat e tij. Thotë mashtrime edhe gënjeshtra. Kjo rini nuk është e partive, por është mbushur me mllef që është krijuar nga ky sistem.
Nuk është normale për një vend demokratik kjo që po ndodh. Rama po ushtron dhunë ndaj të rinjve dhe shqiptarëve. Këtu ka mjaftueshëm fonde për të vjedhur sesa për t’u rritur pensionet dhe rrogat. Deputetët e kanë marrë përgjigjen nga ne, i shajnë nga robt. Kjo është rinia e revoltuar. Çfarë kërkon më shumë një kryeministër? Si në rastin e Petro Sances në Spanjë?! Tirana është në kaos. Ngjarjen në Qytet Studenti nuk e kanë bërë studentët.”, tha i riu. 1 ORE ME PARE Protesta e studentëve nuk ndalet, qytetarët përplasen verbalisht me policinë: Po mbroni Edi Ramën Protesta e studentëve dhe qytetarëve ka vijuar në Tiranë, ku forca të shumta policore kanë marrë masa sigurie pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë. Protestuesit kanë akuzuar policinë për dhunë ndaj të rinjve, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama... Revolta e studentëve dhe qytetarëve ndaj qeverisë së Edi Ramës ka vijuar edhe në ditën e pestë. Në Tiranë, ku Ministria e Arsimit dhe Kryeministria janë rrethuar nga forca të shumta policore, protestuesit kanë kërkuar që efektivët të heqin kapelet dhe të bashkohen me qytetarët.
Përballë policëve të pajisur me skafandra dhe mburoja, disa qytetarë kanë ngritur akuza për dhunën e ushtruar gjatë protestave.
“Turp për ju, turp që dhunoni popullin dhe mbroni Edi Ramën”, iu drejtua një qytetar efektivëve të policisë.
Një tjetër protestues kërkoi ndëshkimin e policit që, sipas tij, kishte përplasur një të ri në tokë.
“Duhet të dënohet polici që përplasi të riun në tokë. Mos na dhunoni fëmijët, mos i prekni. Po mbroni hajdutët”, deklaroi ai.
Tensionet janë shoqëruar edhe me shkëmbime verbale mes protestuesve dhe efektivëve. Sipas dëshmive nga protesta, një polic u është drejtuar qytetarëve me fjalët: “Mos na qëlloni që mos kundërpërgjigjemi”.
Por krahas përplasjeve, gjatë protestës nuk kanë munguar as gjestet e afrimit mes të rinjve dhe policisë. Një protestues ka zgjedhur t'u japë dorën një nga një efektivëve që ndodheshin në shërbim pranë Ministrisë së Arsimit, një veprim që policët e kanë mirëpritur.
Ndërkohë, kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës është artikuluar edhe nga të rinjtë që kanë marrë pjesë në protestë. Njëri prej tyre e ka cilësuar tubimin si një nga protestat më të bukura që ka parë, duke theksuar se pakënaqësia nuk lidhet me përkatësinë partiake, por me mënyrën se si funksionon sistemi politik.
“Kjo protestë që ka pesë ditë që po zhvillohet në rrugët e Tiranës është protesta më e bukur që kam parë dhe plot të drejta. Pika kryesore është dorëheqja e Ramës. Ramën e shoh të frikësuar, e shoh edhe te deklaratat e tij. Thotë mashtrime edhe gënjeshtra. Kjo rini nuk është e partive, por është mbushur me mllef që është krijuar nga ky sistem”, u shpreh i riu.
Ai akuzoi kryeministrin për dhunë ndaj protestuesve dhe kritikoi mënyrën e administrimit të fondeve publike, duke pretenduar se qeveria nuk u jep përparësi pensioneve dhe pagave.
“Nuk është normale për një vend demokratik kjo që po ndodh. Rama po ushtron dhunë ndaj të rinjve dhe shqiptarëve. Këtu ka mjaftueshëm fonde për të vjedhur sesa për t’u rritur pensionet dhe rrogat. Deputetët e kanë marrë përgjigjen nga ne, i shajnë nga robt. Kjo është rinia e revoltuar. Çfarë kërkon më shumë një kryeministër? Si në rastin e Pedro Sánchez në Spanjë?! Tirana është në kaos. Ngjarjen në Qytet Studenti nuk e kanë bërë studentët”, deklaroi protestuesi. 1 ORE ME PARE "Protestoj për të ardhmen time", 16-vjeçari apel policisë: Hiqini kapelet, mos na dhunoni! 16-vjeçari apel policisë Një 16-vjeçar ka mbajtur një fjalim të fortë gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, duke iu drejtuar efektivëve të policisë me thirrjen që të mendojnë për të ardhmen e të rinjve dhe të mos ushtrojnë dhunë ndaj tyre. I mituri tregoi se merr pjesë çdo ditë në protestë, pasi kërkon një të ardhme më të mirë. Ai tha se vetë nuk është dhunuar, por disa prej shokëve të tij janë arrestuar dhe mbajtur në komisariat më gjatë nga sa duhej, sipas pretendimit të tij. 16-vjeçari theksoi se bëhet fjalë për të mitur, ndërsa shtoi se prindërit e tij fillimisht nuk ishin dakord që ai të dilte në protestë.
“Hiqeni kapelën! Mendoni për të ardhmen tonë. Jam 16 vjeç dhe vij çdo ditë në protestë. Nuk duam të na rrahin. Kemi bërë pesë muaj protestë. Nuk mjaftonte ajo protestë. Si do të futet ai në BE?
Nuk jam dhunuar, por shokët e mi. Janë arrestuar ata. Janë mbajtur më shumë seç duhet në rajon, janë pyetur, janë të mitur. Prindërit nuk ishin dakord që të dilja. U thashë: ‘Dua të protestoj për të ardhmen time’. I thashë: ‘Do të dal dhe dua një të ardhme më të mirë’.”, tha ai. 1 ORE ME PARE Tensione në Vlorë, protestuesit tentojnë të hyjnë me forcë në Muzeun Hebraik; ndërhyn policia Tensione në Vlorë, protestuesit tentojnë të hyjnë me forcë në Muzeun Hebraik Situata është tensionuar gjatë protestës së zhvilluar në Vlorë, ku disa protestues kanë tentuar të futen në ambientet e brendshme të Muzeut Hebraik.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, forcat e policisë kanë ndërhyrë për të kontrolluar situatën dhe për të penguar hyrjen e protestuesve në godinë. Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë shoqëruar disa prej pjesëmarrësve në protestë.
Ende nuk ka informacion zyrtar mbi numrin e personave të shoqëruar apo nëse gjatë incidenteve janë shkaktuar dëme materiale.
Tensionet në Vlorë vijnë në një kohë kur prej katër ditësh në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë po zhvillohen protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Në kryeqytet, protestave u janë bashkuar edhe studentë dhe gjimnazistë, të cilët kanë marshuar në drejtim të Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!”, protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë, ndërsa mobilizimi është shtrirë përtej kërkesave që lidhen vetëm me arsimin. 2 ORE ME PARE “Rama jep dorëheqjen!”/ Nis marshimi i studentëve të Mjekësisë, autoboti me ujë pozicionohet pas Kryeministrisë Nis marshimi i studentëve të Mjekësisë Protestat e të rinjve kundër qeverisë së Edi Ramës kanë hyrë sot në ditën e pestë, ndërsa studentët e Mjekësisë kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, me kërkesën kryesore dorëheqjen e kryeministrit. Studentët, të cilët janë mbledhur fillimisht pranë fakultetit, po lëvizin në drejtim të Ministrisë së Arsimit. Sipas raportimeve nga terreni, marshimi ka kaluar në zonën e 9-katësheve, ndërsa protestuesit vijojnë rrugën drejt godinës së ministrisë, ku pritet të ndalen për të vazhduar protestën.
Thirrja “Rama, jep dorëheqjen!” po shoqëron marshimin e studentëve, të cilët i janë bashkuar protestave që prej katër ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Ndryshe nga një protestë që kufizohet te kërkesat për arsimin, studentët e Mjekësisë kanë drejtuar thirrjet e tyre kundër kryeministrit Edi Rama. Kjo është edhe kërkesa që ka bashkuar gjimnazistët dhe studentët gjatë ditëve të fundit, duke e kthyer protestën në një kundërshtim të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë.
Ndërkohë, situata përpara Kryeministrisë paraqitet më e qetë se një ditë më parë, kur protestat u shoqëruan me tensione dhe përplasje mes të rinjve dhe forcave të policisë.
Mëngjesin e sotëm është konstatuar një prani më e ulët e efektivëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku protestuesit janë mbledhur gjatë katër mbrëmjeve të fundit për të kërkuar largimin e Edi Ramës.
Megjithatë, policia nuk i ka tërhequr të gjitha mjetet e sigurisë. Pas godinës së Kryeministrisë qëndron ende një autobot me ujë, të cilin autoritetet e kanë vendosur në këtë zonë që në ditën e parë të protestave. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tym, flakë e kaos në Tiranë; revolta e studentëve nuk shuhet nga gazi lotsjellës 16 Tetor 2026, 19:2019:20LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Protesta e studentëve para Kryeministrisë; përplasje, gaz lotsjellës dhe autobote me ujë! 16 Tetor 2026, 16:2116:21LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Nuk ka të ndalur revolta qytetare, tym e flakë kudo 15 Tetor 2026, 19:3719:37LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana për të tretën ditë në kaos, dhunë, zjarr e tym në çdo lagje e rrugë 15 Tetor 2026, 14:5914:59LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Dita e tretë e revoltës së rinisë, bojkoti studentor shtrihet nga veriu në jug; ‘shkundet’ politika 15 Tetor 2026, 09:5909:59LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana në “gjendje lufte”, dhuna, kaosi dhe revolta pushtojnë kryeqytetin! 14 Tetor 2026, 18:3318:33LIVE UPDATES

