Një denoncim i fortë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një nënë nga Lushnja, e cila ngre shqetësimin për trajtimin që, sipas saj, vajza e saj ka marrë nga një mësuese në shkollën “Kongresi i Lushnjës”, si dhe për pengesat që pretendon se po has për transferimin e dy fëmijëve të saj në një shkollë tjetër.
Nëna tregon se vajza, e cila këtë vit do të jetë në klasën e katërt, ka pasur probleme me një mësuese që prej klasës së parë. Sipas saj, mësuesja e ka goditur vajzën në disa raste, fillimisht pasi kishte bërë zhurmë gjatë orës së mësimit, më pas pasi kishte harruar detyrat dhe një herë tjetër pasi kishte harruar portofolin me mjetet shkollore.
Ajo thotë se pas një prej rasteve ka shkuar në klasë dhe është përballur me mësuesen, duke e pyetur për veprimin. Sipas nënës, mësuesja i është përgjigjur se e kishte goditur vajzën pasi ishte nxehur.
Prindi pretendon se vajza ka pasur frikë të shkonte në shkollë pas këtyre episodeve dhe se është konsultuar me specialistë në Tiranë. Sipas saj, psikologët i kanë rekomanduar që rasti të denoncohej dhe i kanë dhënë edhe një dokument në lidhje me shqetësimin.
Nëna thotë se ka folur sërish me mësuesen, i ka treguar këshillat e specialistëve dhe se ajo i ka kërkuar falje. Prindi thotë se e ka pranuar faljen, por pretendon se pasojat te vajza kanë vijuar, duke bërë që ajo të ketë frikë dhe refuzim ndaj shkollës.
Për këtë arsye, nëna ka vendosur që të transferojë të dy fëmijët, djalin që do të nisë klasën e shtatë dhe vajzën që do të nisë klasën e katërt, në një tjetër shkollë.
Por pikërisht këtu, sipas saj, ka nisur një tjetër problem.
Ajo pretendon se drejtoresha e shkollës “Kongresi i Lushnjës” nuk po i jep dokumentacionin e nevojshëm për transferimin. Nëna thotë se i ka shkruar drejtoreshës për të marrë një shpjegim, por mesazhi është parë pa marrë përgjigje dhe më pas ajo është bllokuar.
Sipas denoncimit, nëna ka shkuar edhe personalisht në shkollë, ku pas mbërritjes së drejtoreshës i ka kërkuar të dijë arsyen pse nuk po i jepet transferimi. Ajo pretendon se drejtoresha i është përgjigjur se nuk kishte punë me transferimin dhe më pas ka mbyllur derën e zyrës, duke mos pranuar të vijonte bisedën.
Nëna shprehet e shqetësuar pasi, sipas saj, në shkollën tjetër i kanë thënë se pa dokumentacionin e transferimit nuk mund të regjistrojnë fëmijët.
Ajo pretendon gjithashtu se drejtoresha është në dijeni të rastit të denoncuar dhe se nuk dëshiron që mësuesja të përballet me përgjegjësi për këtë çështje. Ky është një pretendim i nënës, të cilin JOQ Albania nuk mund ta konfirmojë në këtë fazë.
“Jam një prind i divorcuar që po e ngre zërin për fëmijët e mi. Nuk dua t’i lë fëmijët pa shkollë. Ju lutem më ndihmoni për të drejtën e fëmijëve”, shprehet ajo në mesazhin e saj drejtuar redaksisë.
JOQ Albania e bën publik këtë shqetësim duke sjellë pretendimet e nënës dhe mbetet e hapur për çdo reagim nga mësuesja, drejtoresha e shkollës, Zyra Vendore Arsimore apo institucionet përgjegjëse për të sqaruar rastin dhe çështjen e transferimit të dy fëmijëve.

