Një 51-vjeçar shqiptar është arrestuar në Korfuz, pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur me mbesën e tij 8-vjeçare.
Rasti është zbuluar pasi vajza është dërguar për kontroll mjekësor nga nëna e saj. Gjatë vizitës, mjeku ka ngritur dyshime për shenja që mund të lidhen me abuzim seksual dhe ka vënë familjarët në dijeni. Më pas, rasti është denoncuar në polici.
Pas kallëzimit, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet për abuzim të përsëritur. Në vijim të hetimeve, 51-vjeçari është arrestuar.
Më 10 shtator, ai është paraqitur para prokurorit në Korfuz, ku ka kërkuar kohë për të përgatitur mbrojtjen e tij. Sipas raportimeve të mediave greke, shqiptari i ka mohuar akuzat.
Edhe prindërit e 8-vjeçares kanë depozituar kallëzim penal lidhur me rastin.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, periudhën gjatë së cilës dyshohet se ka ndodhur abuzimi dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.

