Lajme Zone
Merz paralajmëron për pasoja të rënda ekonomike nëse AfD fiton zgjedhjet në Saksoni-Anhalt
BotëCNA

Merz paralajmëron për pasoja të rënda ekonomike nëse AfD fiton zgjedhjet në Saksoni-Anhalt

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar për paso...

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike në rast të një fitoreje të AfD-së në zgjedhjet parlamentare të landit Saksoni-Anhalt, që zhvillohen të dielën e ardhshme.

Sipas sondazheve, AfD-ja, e cila në Saksoni-Anhalt është klasifikuar nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës si forcë ekstremiste e djathtë, pritet të dalë si partia më e madhe politike. Në skenarin më optimist për të djathtën radikale, partia synon edhe arritjen e një shumice absolute. “Nëse ndodh ajo që aktualisht duhet të kemi frikë se mund të ndodhë, landi do të pësojë dëme të konsiderueshme”, deklaroi Merz, duke iu referuar mundësisë së një fitoreje të AfD-së, sipas DW. Kancelari gjerman shprehu gjithashtu shqetësimin se një qeverisje e drejtuar nga AfD-ja mund të ndikojë negativisht në klimën e investimeve. Sipas tij, është e vështirë të imagjinohet që investitorët ndërkombëtarë do të vijonin të merrnin pjesë në ceremonitë për vendosjen e gurthemeleve të fabrikave të reja apo të investonin në krijimin e ndërmarrjeve të reja në land, nëse ai do të drejtohej nga një kryeministër i AfD-së.

Megjithatë, Merz theksoi se vendimi për të ardhmen politike të Saksoni-Anhaltit i takon qytetarëve të landit dhe rezultati do të përcaktohet nga vota e tyre.

Gjatë intervistës, kancelari u përball edhe me një deklaratë të mëparshme të atribuar atij, sipas së cilës ai kishte thënë se nën drejtimin e tij politik rezultatet zgjedhore të AfD-së do të përgjysmoheshin. Merz e kundërshtoi këtë interpretim, duke sqaruar se nuk e kishte deklaruar “gjithmonë”, por se një qëndrim i tillë ishte shprehur prej tij së fundmi në vitin 2018./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.