Lajme Zone
Meloni paralajmëron masa të reja në shkollat në Itali: Kufizim për nxënësit e huaj dhe ndalim të burkave e hixhabeve
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Meloni paralajmëron masa të reja në shkollat në Itali: Kufizim për nxënësit e huaj dhe ndalim të burkave e hixhabeve

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka njoftuar një paketë masash të reja për shkollat, që pritet t’i paraqitet së shpejti Këshillit të Ministrave për shqyrtim.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka njoftuar një paketë masash të reja për shkollat, që pritet t’i paraqitet së shpejti Këshillit të Ministrave për shqyrtim. Ndër masat e propozuara janë vendosja e një kufiri ligjor për numrin e nxënësve të huaj në klasa, detyrimi për mësimin e gjuhës italiane për prindërit e nxënësve të huaj me vështirësi të theksuara integrimi, si dhe ndalimi i burkave dhe hixhabeve në shkolla.

“Një masë do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave që prezanton një kufi ligjor për numrin e nxënësve të huaj për klasë, u kërkon prindërve të nxënësve të huaj me probleme serioze integrimi në shkollë të mësojnë italisht dhe ndalon burkën dhe hixhabin në shkolla”, deklaroi Meloni.

Sipas saj, masat synojnë të adresojnë çështjet e integrimit dhe të vendosin rregulla të përbashkëta në sistemin arsimor.

Duke folur për ndalimin e burkës dhe hixhabit, Meloni tha se në shkollat italiane nxënëset duhet të jenë me fytyrë të zbuluar.

“Shkon në shkollë me fytyrën të zbuluar dhe në Itali, askush, në emër të një tradite të vërtetë ose të supozuar, nuk mund të vendosë që një grua e re duhet të fshihet. Barazia mes burrave dhe grave është e panegociueshme. Nuk është e negociueshme në rrugët tona, nuk është e negociueshme në shkollat tona”, u shpreh kryeministrja italiane.

Meloni foli gjithashtu për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj të mundshëm gjatë fushatave të ardhshme zgjedhore.

“Algoritmet mund t’ju shpifin, por nuk mund t’ju mbishkruajnë”, tha ajo, duke paralajmëruar se gjatë periudhës para zgjedhjeve mund të shtohet përhapja e përmbajtjeve të manipuluara ose të rreme.

Meloni u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm me informacionet që do të qarkullojnë në muajt e ardhshëm.

“Mos pranoni automatikisht asgjë që shihni në muajt e ardhshëm si të vlefshme”, tha ajo.

Kryeministrja italiane mohoi gjithashtu se qeveria kishte bllokuar një propozim dypartiak për një moratorium mbi përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit.

“Nuk është e vërtetë, siç dëgjoj të thonë disa nga krahu i majtë, se ne bllokuam propozimin dypartiak për një moratorium mbi përdorimin e mediave sociale nga fëmijët. Përkundrazi, ne shmangëm ndërhyrjen në iniciativat qeveritare pikërisht sepse Parlamenti po e diskutonte atë”, deklaroi Meloni.

Sipas saj, përgjegjësia për mbrojtjen e të miturve nuk mund t’u lihet vetëm familjeve.

“Platformat duhet të mbajnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë, sepse ato kanë mjetet për të hequr shumë prej mekanizmave që krijojnë varësi tek të rinjtë”, u shpreh ajo.

Meloni ngriti gjithashtu çështjen e verifikimit të moshës së përdoruesve të rrjeteve sociale, duke kërkuar një zgjidhje që të mos detyrojë përdoruesit të paraqesin dokument identifikimi. Sipas saj, një sistem i tillë mund të çonte në “profilizimin më të gjerë të qytetarëve të imagjinuar ndonjëherë”. Top Channel