Në Rusi janë mbyllur votimet për zgjedhjet parlamentare, në një proces që pritet të konfirmojë edhe një herë dominimin politik të presidentit Vladimir Putin dhe partisë së tij mbështetëse, Rusia e Bashkuar. Zgjedhjet u zhvilluan për tre ditë, në të gjitha 11 zonat kohore të Rusisë, ndërsa votimi u organizua edhe në ambasada dhe konsullata ruse jashtë vendit.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të zhvilluara në vitin 2021, Rusia e Bashkuar fitoi 324 nga 450 mandatet në Dumën e Shtetit, dhoma e ulët e parlamentit rus.
Putin nuk është kandidat në këto zgjedhje dhe nuk është anëtar i partisë, edhe pse e ka drejtuar atë nga viti 2008 deri në vitin 2012. Zgjedhjet presidenciale të radhës në Rusi janë parashikuar për vitin 2030, pasi Putin fitoi zgjedhjet e vitit 2024 me rreth 88.5% të votave.
Procesi zgjedhor zhvillohet në një klimë ku opozita e besueshme, sipas burimeve të pavarura të cituara nga CNN, është praktikisht inekzistente. Kritikët e Kremlinit janë përjashtuar nga gara, burgosur ose janë larguar jashtë vendit.
Sipas organizatës së pavarur ruse për të drejtat e njeriut OVD-Info, më shumë se 2,000 persona ndodhen aktualisht në burg për arsye politike.
Partia Yabloko, e vetmja parti e regjistruar që kundërshton luftën në Ukrainë, u ndalua nga Gjykata Supreme ruse të marrë pjesë me listën e saj kombëtare. Disa kandidatë të saj u lejuan të garojnë në zona të veçanta njëmandatëshe, por partia ka raportuar kufizime dhe presione ndaj përfaqësuesve të saj.
Yabloko deklaroi gjithashtu se një vëzhgues i saj humbi ndjenjat gjatë ndalimit në një qendër votimi në Shën Petersburg, ndërsa vëzhgues të tjerë u penguan të hynin në qendra votimi.
Rezultati i zgjedhjeve pritet të përdoret nga Kremlini si dëshmi e mbështetjes së popullsisë për presidentin Putin dhe për luftën në Ukrainë, të cilën autoritetet ruse vazhdojnë ta quajnë “operacion special ushtarak”.
Para votimit, Putin u bëri thirrje qytetarëve të shfaqnin unitet përmes pjesëmarrjes në zgjedhje.
Për vëzhguesit, përveç rezultatit të partive, pjesëmarrja në votime pritet të jetë një prej treguesve kryesorë për të kuptuar nivelin e mbështetjes së qytetarëve për drejtimin politik të vendit dhe luftën në Ukrainë.
Një tjetër element i diskutuar i këtyre zgjedhjeve ishte përdorimi i gjerë i votimit elektronik, i cili u promovua edhe përmes incentivave për votuesit.
Kritikët e sistemit kanë ngritur prej kohësh pikëpyetje mbi transparencën e votimit online, ndërsa autoritetet ruse i kanë hedhur poshtë këto pretendime dhe këmbëngulin se procesi zhvillohet në përputhje me ligjin.
Vetë Vladimir Putin votoi elektronikisht dhe Kremlini publikoi pamje të presidentit duke përdorur sistemin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi gjithashtu probleme teknike dhe ndërprerje të sistemit elektronik në Moskë, të cilat, sipas kryetares Ella Pamfilova, u shkaktuan nga një sulm i gjerë kibernetik.
Zgjedhjet u zhvilluan ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdoi. Autoritetet ukrainase i kanë cilësuar votimet e organizuara nga Rusia në territoret ukrainase të pushtuara si të paligjshme, ndërsa gjatë ditëve të zgjedhjeve të dyja palët vijuan sulmet me dronë dhe raketa. Top Channel

