Lufta për kokainën në Siçili nxjerr në skenë rrjetin shqiptar me rrënjë në Fier, Rrogozhinë, Lushnjë e Kavajë; nga dosjet e vjetra të drogës te makina e djegur e “Tistunit”, pazaret e Vittorias po kthehen në përplasje të hapur me grupet mafioze Luzim Ndreu nga Fieri, vëllezërit Tosku nga Rrogozhina, Elis Rustami nga Çerma e Lushnjës, Lorenc Daiu e Kujtim Rapushi nga Kavaja; të njëjtët emra dhe i njëjti territor dalin prej një dekade në dosjet italiane të kokainës. Lufta e verës 2026 në Vittoria po nxjerr në sipërfaqe historinë e një rrjeti shqiptar të lidhur me bujqësinë, logjistikën dhe grupet kriminale siciliane.
Makina e Luzim Ndreut u dogj, njerëzit e konsideruar të afërt me të u paralajmëruan të ndalonin shitjen e drogës, ndërsa vetë fieraku i njohur në Vittoria me nofkën “Giuliu ’u Tistuni” përfi pak ditë më vonë në një përplasje të dhunshme me Giovanni Gurrierin brenda lokalit “La Lucciola”. Konflikti i korrik-gushtit 2026 për kontrollin e tregut të drogës në juglindje të Siçilisë ka rikthyer në skenë një rrjet shqiptar, emrat e të cilit nuk lindën me sherrin e fundit, por dalin prej vitesh në dosjet e policisë italiane.
Në qendër është Luzim Ndreu, 49 vjeç, nga Fieri, ndërsa rreth tij shfaqen Auglent “Denny” Lalollari, Lorenc Daiu, vëllezërit Tosku, Ismet Totraku, Elis Rustami dhe të tjerë. La Repubblica shkruante në korrik se hetuesit kishin rindërtuar aleancat e botës kriminale të Vittorias me atë që e cilësonte “karteli shqiptar”, duke përmendur pikërisht Ndreun, Toskut dhe Lalollarin.
Gjurmët shqiptare krijojnë një hartë të dallueshme: aksi Rrogozhinë-Lushnjë-Fier, me Kavajën në të njëjtin brez territorial. Ndreu është nga Fieri, vëllezërit Tosku nga Rrogozhina, Elis Rustami nga Çerma e Lushnjës, ndërsa Lorenc Daiu dhe Kujtim Rapushi janë nga Kavaja. Ismet Totraku ka origjinë nga Dibra.
Historia nis të marrë formë të dokumentuar që në tetor 2016, kur operacioni “Kamarina Drugs” goditi një organizatë italo-shqiptare të trafikut të kokainës në Ragusa. Mes shqiptarëve nën masa sigurie ishin Lorenc Daiu, Elis Rustami, Adenis Tosku dhe Dashnor Tosku, bashkë me Mirjan Ajdinin, Ferit Hoxhollin, Hajdar Kajën, Elton Larakun, Kujtim Malkën, Erjon Seferin e Klodian Kamberajn.
Daiu nga Kavaja figuronte si sipërmarrës bujqësor, Rustami nga Çerma dhe Toskut nga Rrogozhina ndodheshin në të njëjtën dosje, pikërisht në një territor ku serrat, magazinat dhe transporti i produkteve bujqësore janë motori i ekonomisë. Bujqësia del vazhdimisht në sfondin e historive të shqiptarëve të Vittorias: si punë, si biznes dhe si mjedisi ku lëvizin disa prej personazheve që më pas përfjnë në hetimet e kokainës.
Në mars 2018 erdhi operacioni “Casuzze”. Policia arrestoi Ismet Totrakun, Dashnor Toskun dhe Elis Rustamin për trafik kokaine, ndërsa dy shqiptarë të tjerë kërkoheshin jashtë Italisë. Hetimi nisi pas sinjalizimeve për një grup shqiptarësh që jetonin në Casuzze, deklaronin se punonin në sera dhe lëviznin me makina të fuqishme; përgjimet më pas zbuluan një mekanizëm shpërndarjeje ku kokaina maskohej në biseda me fjalorin e domateve dhe punës bujqësore, ndërsa furnizimi shkonte përtej kufijve të Siçilisë.
Një vit më vonë del fuqishëm Luzim Ndreu. Më 2 shkurt 2019, “Tistuni” u arrestua me Pandeli Priftin dhe Kujtim Rapushin nga Kavaja në një objekt rural në Vittoria, ku policia sekuestroi 50 kilogramë hashash dhe pothuajse 1 kilogram kokainë, me vlerë tregu të përllogaritur rreth 600 mijë euro. Hetuesit kishin vëzhguar prej ditësh zonën, ndërsa droga u gjet mes automjetit dhe ambienteve të fermës.
Dhjetë vjet dosje tregojnë një vijë që përsëritet: disa emra ndryshojnë, të tjerë rikthehen, por territori mbetet Vittoria–Santa Croce–Ragusa, bashkë me bujqësinë, magazinat dhe kokainën. Giuseppe Bascietto e përshkruan këtë ambient jo si një klan klasik me një komandë të vetme, por si një rrjet ku grupe të ndryshme mund të bashkëpunojnë për furnizimin, transportin, ruajtjen e drogës, shpërndarjen dhe mbledhjen e borxheve.
Kjo shpjegon edhe lidhjet me botën kriminale siciliane. Hetimet e fundit përmendin aleanca me njerëz të Gianfranco Stracquadainit, “Faccia d’angelo”, ndërsa në rrjetin e marrëdhënieve dalin edhe Matriali, figura e njohur si “u Puorcu” dhe vëllezërit Di Modica. Aurelio Di Modica figuron në të njëjtin proces me Denny Lalollarin, duke krijuar një nga urat konkrete mes komponentit shqiptar dhe ambientit lokal të Vittorias.
Lorenc Daiu është një nga emrat që lidh të shkuarën me të tashmen. Kavajsi del në “Kamarina Drugs” që në 2016, ndërsa në investigimet e Bascietto-s të vitit 2026 një burim e përshkruan sërish pranë Ndreu-Lalollari, këtë herë si pikë reference në logjistikën mes Santa Croce Camerina dhe Comiso. Dhjetë vjet diferencë, i njëjti territor dhe përsëri kokaina.
Edhe marrëdhënia mes Ndreut dhe Denny Lalollarit përshkruhet si e veçantë. Në ambientin e tyre përdoret formula “xhaxhai dhe nipi”, jo domosdoshmërisht si lidhje familjare, por si shenjë e një raporti autoriteti dhe afërsie, ndërsa Lalollari përshkruhet si figurë në rritje në komponentin shqiptar të Vittorias.
Pikërisht këtë ekuilibër duket se kërkoi të thyente mafiozi Giovanni Gurrieri këtë verë. Sipas rindërtimit të Bascietto-s, njerëzve të afërt me Ndreun iu kërkua të ndalonin shitjen e drogës, Gurrieri kërkoi të takohej me “Tistunin”, takimi nuk u bë, më pas një makinë e Ndreut u dogj dhe konflikti shpërtheu fizikisht në “La Lucciola”.
Lufta e sotme në Vittoria merr tjetër kuptim kur vendoset mbi këtë histori. Pas saj shfaqet një bërthamë shqiptare që prej vitesh lidhet me aksin Rrogozhinë-Lushnjë-Fier, me Kavajën pranë tij, dhe që në Itali del në disa prej dosjeve më të rëndësishme të kokainës në Ragusa.
“Kamarina Drugs” në 2016, “Casuzze” në 2018, arrestimi i Ndreut me Priftin dhe Rapushin në 2019 dhe përplasja Gurrieri–Ndreu në 2026 nuk janë e njëjta dosje dhe nuk provojnë një komandë të vetme. Ajo që përsëritet është më domethënëse: emrat, territori, kokaina dhe marrëdhëniet me grupet kriminale vendase.
Pamfleti ka marrë informacione se një pjesë e konsiderueshme e parave të gjeneruara nga trafiku i kokainës i këtij rrjeti dyshohet se është rikthyer në Shqipëri dhe është investuar në biznese, pasuri dhe kompani ndërtimi. Kjo pistë është ende në verifikim dhe pritet të jetë pjesa tjetër e hetimit mbi rrjetin, pronarët formalë dhe qarkun e parave që lidh Siçilinë me Shqipërinë.
Djegia e makinës së “Tistunit” këtë verë është vetëm episodi më i fundit i një pazari shumë më të vjetër. Për ta zbardhur deri në fund, gjurma që duhet ndjekur tashmë nuk është vetëm droga, por paratë që qarkullojnë rreth serrave, magazinave, automjeteve, kompanive bujqësore dhe pronave në një territor ku ekonomia legale dhe rrjetet kriminale kanë mësuar prej vitesh të lëvizin pranë njëra-tjetrës. /Pamfleti Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Kadastra e Lorena Goxhobellit, një moçal skandalesh dhe aferash pa fund! 19 Shtator 2026, 22:3522:35Dosja e zezë Rrjeti izraelit i bizneseve të errëta nën mbrojtjen e Edi Ramës 19 Shtator 2026, 16:2116:21Dosja e zezë Si i shpëtuan gjeorgjianët hetimit të SPAK? Tirana bazë e zhvatjes me call-center, milionat u pastruan te KFC Albania 18 Shtator 2026, 11:2611:26Dosja e zezë Zbërthehet pronësia e JET Bank/ “Sani”, El Goren, Israel Albania, DON Albania dhe biznesmenët e jahteve pas 28.5% 17 Shtator 2026, 12:1812:18Dosja e zezë Kompania sekrete e skemës “Delvina Gas”: Si lidhen Ron Yeffet, 2 ukrainaset dhe biznesmeni ruso-izraelit 16 Shtator 2026, 20:5520:55Dosja e zezë “Punë oligarkësh”, apo jo z.zëvendësministër? 15 Shtator 2026, 19:1519:15Dosja e zezë

