Një artikull i medias spanjolle “The Objective” e përshkruan Edi Ramën nën presionin e shtuar të hetimeve për korrupsion dhe protestave kundër qeverisë. Në fokus vendoset ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila sipas artikullit po hetohet për manipulim të kontratave publike me vlerë rreth 190 milionë euro, ndërsa përmendet edhe ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni, nën arrest shtëpie, e akuzuar për nxjerrje informacioni të klasifikuar.
Artikulli thekson rolin e SPAK në hetimin e korrupsionit në nivele të larta të politikës dhe përmend edhe dokumente të dorëzuara nga FBI-ja te autoritetet shqiptare lidhur me trafikun e drogës.
Një tjetër çështje e nxehtë është projekti i resortit luksoz në Sazan, me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë dhe i lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, kundër të cilit janë zhvilluar protesta.
Media spanjolle ndalet edhe te akuzat e opozitës dhe protestuesve për përdorimin e sektorit të ndërtimit për pastrimin e parave të krimit, ndërsa Rama i kundërshton akuzat dhe mbron projektet e investimeve. Në planin politik, artikulli vë në dukje se, pavarësisht presionit të brendshëm, Rama vijon të ruajë lidhje të forta ndërkombëtare, veçanërisht me kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez, ndërsa qeveria synon anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.
ARTIKULLI:
Dominimi i Edi Ramës në Shqipëri po lëkundet. Protestuesit janë thirrur të marrin pjesë këtë të diel në protestat e përditshme, të cilat tashmë kanë hyrë në ditën e 127-të radhazi, përpara rezidencës zyrtare të kryeministrit në Tiranë.
Ditët e fundit, protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj asaj që e konsiderojnë një “sistem totalitar të korruptuar” dhe kërkojnë “ndalimin e Ramës” dhe “ndalimin e Belindës”, duke iu referuar Belinda Ballukut, ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, e cila po hetohet për manipulimin e kontratave publike për ndërtimin e rrugëve dhe tuneleve, me vlerë 190 milionë euro. Ajo po hetohet gjithashtu për marrje ryshfeti, përfshirë një vilë luksoze, si dhe për pastrim parash.
Një ish-president i republikës ballkanike, një ish-kryeministër, dy ish-zëvendëskryeministra, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe disa zyrtarë të lartë të agjencive me buxhete të mëdha publike janë dërguar në gjyq, janë burgosur ose përballen me procese gjyqësore.
Që prej muajit të kaluar, ish-drejtuese e Inteligjencës së vendit, kosovarja Vlora Hyseni, ndodhet në arrest shtëpie, pasi dyshohet se i ka përcjellë informacion të klasifikuar lidhur me një prej çështjeve të korrupsionit një personi në arrati, me të cilin kishte një marrëdhënie të ngushtë. Sipas artikullit, të dy kanë komunikuar me telefon 87 herë brenda gjashtë muajve.
Mungesa e pavarësisë së drejtësisë është një prej sfidave kryesore të Shqipërisë, por prokurorët dhe gjyqtarët kanë vijuar hetimin e pushtetit politik. Ashtu si Audiencia Kombëtare në Spanjë, SPAK-u, struktura shqiptare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po përballet me një rritje të numrit të çështjeve që lidhen me korrupsionin politik, trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe grupet kriminale.
Rama është një aleat i ngushtë i kryeministrit spanjoll, Pedro Sánchez. Kreu i Partisë Socialiste shqiptare e përmend shpesh miqësinë e tij personale me homologun spanjoll, të cilin e ka cilësuar si “një njeri të mençur dhe me integritet të padiskutueshëm”. Rama i shprehu mbështetjen Sánchez-it kur ky i fundit mori pesë ditë kohë për reflektim, pas problemeve gjyqësore të bashkëshortes së tij, Begoña Gómez.
“Mos u dorëzo kurrë”, shkroi Rama në Twitter, duke kritikuar “manipuluesit e fakteve”. Nga ana e tij, kryeministri spanjoll ka vlerësuar “vullnetin reformues” të homologut shqiptar, ndërsa Moncloa ka theksuar “marrëdhënien e mirë” mes dy qeverive. Gjatë gjashtë viteve të fundit, dy liderët janë takuar të paktën shtatë herë.
Revolucioni i flamingove
Ditët e fundit, protestuesit kanë ngritur zërin kundër “mafies” së Ramës, krimit, korrupsionit dhe sundimit të “oligarkëve” që kontrollojnë ekonominë e vendit. Mes tyre ata përmendin familjen Kastrati, pronare të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe të një rrjeti të gjerë pikash karburanti.
“Shqipëria kërkon revolucion” është një nga sloganet që përsëritet gjatë protestave.
Pavarësisht zhvillimit të shpejtë ekonomik të vendit, me rritjen e turizmit në bregdet dhe transformimin e përshpejtuar urbanistik të kryeqytetit, kritikët akuzojnë qeverinë se po miraton me shpejtësi leje ndërtimi, duke krijuar mundësi që rrjetet e trafikut të drogës, përfshirë kartelin e Ballkanit, i cili sipas artikullit kontrollon një pjesë të konsiderueshme të tregtisë së drogës në qytetet europiane, të pastrojnë miliarda euro përmes projekteve luksoze hoteliere dhe rezidenciale.
Dhjetëra rrokaqiej të përfunduar së fundmi ose ende në ndërtim kanë ndryshuar siluetën e Tiranës. Protestuesit i quajnë ato “kullat e kokainës”.
“Poshtë narkoshteti” është një tjetër slogan i dëgjuar gjatë protestave, të cilat në tubimet e para, sipas artikullit, mblodhën më shumë se 100 mijë persona.
Së fundmi, FBI-ja mbërriti në Tiranë dhe i dorëzoi drejtësisë shqiptare dokumentacion lidhur me trafikun e drogës. Sipas artikullit, ky zhvillim ka ngjallur interes të madh në qarqet gjyqësore dhe mediatike.
Projekti i Sazanit, pika që mbushi kupën
Ajo që, sipas artikullit, ka përshkallëzuar pakënaqësinë shoqërore është një projekt i lidhur me Ivanka Trump, vajzën e presidentit amerikan, dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, për ndërtimin e një resorti të madh luksoz.
Investimi prej 1.4 miliardë dollarësh lidhet me ishullin e Sazanit, një zonë natyrore e mbrojtur, e njohur për kolonitë e mëdha të flamingove, por edhe për pozicionin e saj strategjik në Mesdhe, me qasje të lehtë drejt Europës, Afrikës dhe Azisë.
“Shqipëria nuk shitet” është një nga sloganet e protestave, të cilat shqiptarët i kanë pagëzuar si “revolucioni i flamingove”.
Kryeministri ka argumentuar se qeveria e tij nuk po u dorëzon tokë publike investitorëve të huaj, por se investitorët e kanë blerë tokën nga pronarë privatë. Rama ka deklaruar gjithashtu se të ardhmen e projektit do ta përcaktojë vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe “jo rruga apo ideologjia”. Ai ka garantuar se projekti do të përmbushë kërkesat mjedisore të Bashkimit Europian.
Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian në vitin 2030, por për këtë duhet të përafrojë kuadrin e saj ligjor me atë të BE-së, edhe në fushën e qëndrueshmërisë, luftës kundër korrupsionit dhe garantimit të standardeve demokratike.
Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 dhe që në vitin 2017, dyshimet për manipulim të zgjedhjeve parlamentare të atij viti shkaktuan një nga protestat më të mëdha të viteve të fundit, sipas Fondit Carnegie për Paqen Ndërkombëtare.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në vitin 2025, Rama arriti të përmirësonte rezultatin e Partisë Socialiste, duke siguruar më shumë se gjysmën e votave.
Nëse pakënaqësia shoqërore dhe çështjet gjyqësore nuk e ndërpresin para kohe legjislaturën, zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në vitin 2029.
Deri atëherë, kreu i opozitës, ish-kryeministri konservator Sali Berisha, do të ketë mbushur 85 vjeç.
Për momentin, Rama refuzon të japë dorëheqjen dhe vijon axhendën e tij intensive ndërkombëtare. Vetëm këtë javë, ai priti në Tiranë presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Politikani socialist është treguar pragmatik në politikën e jashtme dhe mes aleatëve të tij renditen liderë me profile të ndryshme, si Pedro Sánchez, Giorgia Meloni, Mohammed bin Salman dhe Benjamin Netanyahu. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

