Tiranë- Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend. Deri në orën 20:00 janë raportuar 24 vatra zjarri, prej të cilave 6 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 5 të tjera janë nën monitorim.
Gjatë ditës, në operacionet për shuarjen dhe monitorimin e zjarreve janë angazhuar 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 20 efektivë, një helikopter dhe dy avionë “Air Tractor”.
“Mali i Dajtit”, zona kryesore e ndërhyrjes Fokusi kryesor mbetet në “Malin e Dajtit”, ku vatrat në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës vijojnë të jenë aktive.
Në terren janë angazhuar 40 forca zjarrfikëse, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 7 forca të ADZM-së, ndërsa operacioni po mbështetet nga ajri me një helikopter dhe dy avionë “Air Tractor”.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Vatra aktive në Dibër dhe Librazhd
Në qarkun e Dibrës vijojnë të jenë aktive vatrat në Ballenjë, ku operojnë 5 forca të ADZM-së, si dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, ku situata po monitorohet nga 4 efektivë të MZSH-së. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, në “Malin e Dardhës”, Librazhd, një vatër është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 hektarësh. Forcat e MZSH Librazhd vijojnë punën në terren, ndërsa banesat nuk janë në rrezik.
Në Gjegjan–Gojan–Prozhëm–Tërbun, Pukë, vatrat janë izoluar dhe nuk ka më vatra aktive. Në zonë vijon vetëm monitorimi.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Autoritetet theksojnë se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet

