Lajme Zone
"Mattot", një dilemë historike!
KulturëCNA

"Mattot", një dilemë historike!

"S'e luan as topi!"... "Njeriu me Top" është një roman i ...

"S'e luan as topi!"...

"Njeriu me Top" është një roman i mrekullueshëm i Dritero Agollit! Më pas u bë film me skenar dhe regji nga mjeshtri Viktor Gjika. Eshtë një film i realizmit socialist, një film shumë i mirë për atë periudhë, me një mesazh brilant për kohën e humbur të shqiptarëve ndër vite.

Personazhi kryesor quhet Mato Gruda.

Mato gjeti rastësisht një top-lufte gjerman, diku pas një beteje për çlirimin e Shqiperisë. Atij filloi ti dukej vetja shumë i fuqishëm me këtë "Top".

Driteroi i madh, duke njohur thellësisht mentalitetin e shqipove, nisur nga kjo, ndërtoi një paralelizëm brilant.

Mato, në pamje të parë duket si një emër shqiptar, me tingull fshatar! Driteroi, me shumë zgjuarsi, etimologjikisht e morri nga italishtja. "Matto"- italisht do te thote-" i marrë", për të mos thënë budalla. Arsyetimi bazë i Matos ishte fraza:- "atë e di unë"! Tamam shqiptar!

Mato ishte nje fshatar i pagdhëndur. Ai kujtoi se me "Topin" e tij mund të përmbyste një familje të madhe, "Fizajt", ose "Fisi" apo "Klani", simbolikisht. Mato ishte i bindur që mund të përmbyste familjen më të rëndesishme të fshatit, ekonomikisht dhe politikisht; do ta përmbyste me një "Top", të gjetur nga rrënojat e një beteje!

Mato ishte në gjak me " Fizajt". Mere Fizi (plaku Mere), patriarku i tyre, i kishte vrarë babanë për interesa ekonomike. Në fakt e vranë edhe si një shembull për të gjithë ata që ju rren mendja se mund te përballen me fuqinë e pushtetit.

Të korruptuar moralisht dhe ekonomikisht, por shumë të pushtetshëm në fshat, me shumë prona, njerez dhe influenca, klani jepte e merrte me të gjitha krahët. Klani ishte sa me ballistët po aq edhe me komunistët. Mato, i ndershëm në budallallekun e tij, mendoi se do ti shuante me "Topin" e tij të fuqishëm!

Mato gjuajti me top për ta shuar gjithë fisin, me soj e sorollop, një natë që ata ishin mbledhur në kullë. E ndihmoi Augusto (Agushi), ushtari italian që strehoej tek ai. Fjeti si hero natën, i bindur se fitoi.

Por, Mato, fatkeqësisht se kishte graduar mire shenjën, dhe topi goditi mullaret e barit, të" Fizajve"!

Ketu fillon drama e Matos, ndërgjegjësimi i tij. Ai, edhe pse fshatar gjaknxehtë, e kuptoi se lufta nuk fitohet dot me nje top, por me shumë përpjekje e sakrificë.

Ne fund edhe Mato vritet, simbolikisht, nga topi i tij.

Filmi e ngre ne piedestal vdekjen e Matos, koha e kërkonte qe ai të vdiste per liri! Kënga e kompozuar nga Limoz Dizdari, si një vaj polifonik, ishte e mrekullueshme! Ziguri, i biri i Matos, 14 vjeçar, godiste armiqtë me top ndërkohë që Mato shijonte qiellin e paster të lirisë duke vdekur. Se ç'u bë me Zigurin më pas nuk e di, Driteroi nuk e sqaron!

Ja, pra! Kjo ishte levizja e 6 muajve të fundit në Shqiperi.

Dolën qindra Mato, qindra Pinxho Kapella, qindra Tosun Baç, qindra Murat Shtaga e Shega, dolën për një Shqiperi të re. Doli Llapa, Qorri- Shehaj e Sali horri! Fatkeqësisht, mullarët e Fizajve i zëvendësuan me kazanët e plehrave, korrupsionin galopant me xhamat e institucioneve, e topin e Matos me gurë e leva.

Ne fund, asgje! Bosh!...

Fitoi prap, Plaku Mere!...

Padyshim më shumë fitoi pushteti, fitoi mbreti!

Shteti u cënua por pushteti u forcua.

Asnje refleksion nga qeveria, asnjë ndryshim, vetëm broçkulla.

Asnje debat neper institucione, asnjë analizë, vetëm një portal i gënjeshtërt.

Asnje i korruptuar nuk leviz, asnjë të paafti nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë! Përkundrazi, tani mblidhen si grusht tek njëri tjetri, vetem kjo i shpeton nga "armiku" përballë.

Edhe nje here: o me ne, o me ata!

Kohë e keqe!

Një cikël që ripërsëritet!

Kohë e humbur, në histori!

"Mattot" kanë qënë e do vazhdojnë të jenë një refren i pandryshueshëm, sa të kemi frymë!

Këtë: "S'e luan as topi!".../ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.